Më 30 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar,
e gjithnjë më 30 tetor kalendari kishtar përkujton edhe shën Gjermanin, ipeshkëv i
Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që jeton
me nder e dashuri dhe ecën në udhën e dritën e Zotit. Të hënën më 31 tetor,
sipas kalendarit kishtar bie përkujtimi i shën Alfonsit Rodriguez, rregulltar Jezuit
e i shën Kuirinit. Liturgjia e ditës na kujton se Mbretëria e Zotit nuk i ngjet organizmave
që rregullojnë jetën tonë tokësore. Mbretëria e Zotit është si fara e vogël e si tharmi
që, ndonëse nuk duket, e tharm gjithë brumin. E tillë është edhe forca e dashurisë
ndërmjet njerëzve. Të martën më 1 nëntor, Kisha kremton solemnitetin e
të Gjithë Shenjtorëve. Kjo festë na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë
zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që
ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre
u përket mbretëria qiellore. Të mërkurën e ardhshme më 2 nëntor bie Përkujtimi
i besimtarëve të vdekur – apo siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”. Liturgjia
na kujton se njeriu asgjë nuk do të humbasë në historinë, që e ka jetuar duke ecur
pas Krishtit: të gjithë jemi të Tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj
Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin.
Të enjten më 3 nëntor, përkujtohen shën Martini i Porres e shën Silvia,
nëna e shën Gregorit të madh. Ata na kujtojnë se nuk e zgjedhim ne vendin ku do të
rrimë në mbretërinë qiellore. Na e zgjedh vetë Hyji Atë. Është Ai, që na ka thirrur,
që na jep një vend, një dhuratë. E natyrisht, sa më shumë t’ia besojmë vetveten, aq
më e madhe do të jetë dhurata e Tij, të cilën sot për sot nuk jemi në gjendje as ta
përfytyrojmë. Të premten që vjen më 4 nëntor, kalendari kishtar përkujton
shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e
Agrikola, martirë bolonjezë. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë
ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut,
drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Të shtunën më
5 nëntor do të përkujtohen shenjtorët Domnini, Teotini me shokët martirë. Liturgjia
e festës së tyre na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi.
Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar
dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin. Të dielën e ardhshme
më 6 nëntor, Kisha do të kremtojë të dielën e 32-të gjatë vitit kishtare e po
më 6 nëntor kalendari përkujton edhe shën Leonardin vetmitar. Jepi, o Zot shërbëtorit
tënd një zemër të përvujtë’: ta përsërisim së bashku këtë lutje që na kujton se feja
në Krishtin na bën të lirë, e megjithatë shpesh herë vazhdojmë të jemi skllevër të
bestytnisë e të egoizmit.