Julia Kristeva: takimi i Asizit, ngjarje historike; të ndërtohen ura ndërmjet besimtarëve
e jo besimtarëve
Një nga risitë e Takimit të Asizit të këtij viti ishte pjesëmarrja e jo besimtarëve.
Për herë të parë, në takimin e paqes ndërmjet përfaqësuesve të feve të botës, mori
pjesë edhe psikanalistja dhe filozofja e njohur franceze, me origjinë bullgare, Julia
Kristeva, e cila deklaroi se mbeti e mahnitur nga fjalimi i Benediktit XVI. Ne i drejtuam
mikrofonin dhe e pyetëm ç’rëndësi pati për të ftesa, që e solli në qytetin e Shën
Françeskut: Është ftesë,
që sipas meje, përfaqëson një ngjarje, një çast të madh në historinë e Kishës dhe
të kulturave evropiane. Mendoj se të gjithë e kuptojnë se në mesin e krizës financiare,
ekonomike dhe morale, duhet të japim një mesazh të fortë mbi ç’premton kultura evropiane.
Ne ndoshta jemi në vështirësi ekonomike; do të duhet kohë për të gjetur zgjidhje financiare.
Megjithatë, në kulturën heterogjene evropiane, që ka parë luftra të përgjakshme, mund
të rigjehen – si të thuash – ura ndërmjet perceptimeve e bashkësive të ndryshme. Këtë
bëri kohët e fundit, Benedikti XVI në Berlin, ku i kërkoi burimet e humanizmit të
krishterë në të drejtën greko-latine e, ku nguli këmbë në Deklaratën e të drejtave
të njeriut. Sipas meje, ky është këndvështrimi, nga i cili duhet parë ftesa drejtuar
disa humanistëve për të marrë pjesë në Takimin e Asizit. Duhet t’u japim fund luftrave
ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve e, pavarësisht se jemi të ndryshëm, duhet të
përpiqemi të ndërtojmë ura mes nesh. Nuk është hera e parë që thuhet se jemi të ndryshëm
nga pikpamja kulturore, nuk mund të themi se nuk ekzistojnë ndryshime ndërmjet besimtarëve
e jo besimtarëve. Por, kjo ndryshueshmëri duhet kultivuar. Si? Në dialog, përmes inkulturimit
të ndërsjelltë.