2011-10-29 15:11:03

Dokument i Vatikanit për ekonominë: urgjent, krijimi i një autoriteti botëror për qeverisjen e financës


Javën e kaluar, u paraqit në Vatikan, dokumenti i rëndësishëm i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, me titull “Për një reformë të sistemit financiar e monetar ndërkombëtar, në perspektivën e një autoriteti publik me kompetencë universale”. Në pyetje-përgjigjet ndërmjet gazetarëve dhe kreut të dikasterit, kardinalit Peter Turkson, sekretarit, ipeshkvit Mario Toso e të profesorit italian të ekonomisë, Leonardo Beketi dolën koncepte interesante.
Me këtë notë, sqaruan relatorët, Kisha nuk vihet në krye të lëvizjes së “indignados”, pasi ajo ndjek magjisterin e Papëve, siç shpjegoi vetë kardinali Turkson......:RealAudioMP3
“Ati i Shenjtë dhe Selia e Shenjtë i ndjekin çështjet me vëmendje të veçantë, duke këshilluar e inkurajuar vazhdimisht jo vetëm veprimin e përbashkët, por sidomos veprimin e bazuar mbi një këndvështrim të qartë të të gjitha aspekteve ekonomike, shoqërore, kulturore e shpirtërore, siç thuhet në parathënien e notës”.
Pjesa më e madhe e pyetjeve të gazetarëve kishte të bënte me atë që imzot Tozo e quajti “origjinaliteti i vërtetë” i dokumentit të Vatikanit, me propozimin për krijimin e një “Autoriteti publik me kompetencë universale”, i cili të dijë t’i udhëheqë nga pikpamja politike dhe etike tregjet ndërkombëtare, më mirë se organizmat aktuale botërore:
“Shtetet, që përbëjnë G20-tën nuk mund ta konsiderojnë veten si përfaqësues të të gjithë popujve. Megjithëse i zgjeruar, G20-a – që, siç dihet, nuk është pjesë e OKB-së – është gjithnjë një forum jo formal dhe i kufizuar, i cili e ka treguar se sa më shumë të zgjerohet, aq më tepër e humbet efikasitetin. Aktualisht, G20-ës i mungon legjitimiteti dhe mandati politik nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”.
Fryma e dokumentit, në kuadrin e krizës botërore ekonomike e financiare, u shjegua më së miri nga profesor Beketi i Universiteti të Romës “Tor Vergata”:
“Me globalizimin nuk mund të jemi indiferentë, siç ndodhte në të kaluarën. Po jap disa shembuj konkretë të varësisë nga njëri-tjetri: kriza e thesarit amerikan, siç e dimë, është problem për të gjithë botën e sidomos për Kinën, e cila ka investuar pjesën më të madhe të rezervave të saj në SHBA. Falimentimi i Greqisë është problem edhe për bankat franceze e gjermane, të cilat kanë investuar në atë vend. Varfëria në botën globale bëhet problem i të gjithëve, sepse masa e të dëshpëruarve, të gatshëm të punojnë edhe për rroga shumë të ulta, është kërcënim i jashtëzakonshëm për shtetin tonë social”.
Praktikisht, theksoi prof. Beketi, dokumenti i Selisë së Shenjtë propozon riekuilibrimin e politikës e të financës, bashkimin e Evropës nga pikpamja fiskale dhe disiplinë më të madhe në financat publike kombëtare.

Në shënjestër të dikasterit vatikanas për Drejtësinë e Paqen është veprimtaria e bankave, të cilat duke e zgjeruar fushën e kredive, shtuan sasinë e monedhës në qarkullim, duke krijuar inflacionin, që më pas, u kthye kundër vetë bankave, të paafta të paguanin interesat. Shpejt, kjo krizë kaloi edhe në ekonominë reale, duke filluar nga sektori i ndërtimit. Prirjet negative për zhvillimin dhe tregtinë sollën pasoja të rënda për punësimin e jetën e miliarda njerëzve. Mëse 1 miliard vetë, vë në dukje Selia e Shenjtë, janë të detyruar të jetojnë me diçka më tepër se një dollar në ditë.
Me trishtim, në dokument vihet në dukje se ndërmjet 1900-ës dhe 2000-shit, popullsia e botës është katërfishuar dhe pasuria e prodhuar në nivel botëror është shtuar me shpejtësi edhe më të madhe. Pra, të ardhurat për frymë janë rritur jashtëzakonisht, por jo edhe shpërndarja e drejtë e kësaj pasurie, e cila në të kundërtën, është keqësuar. Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen vë gishtin mbi plagën e mosrespektimit të rregullave e të kontrolleve në nivel ndërkombëtar, pavarësisht se ato shpesh respektohen brenda vendeve. Në nivel botëror, vlen rregulla e më të fortit, vihet në dukje në dokumentin për ekonominë. Ideologjia në bazën e këtij qëndrimi është “dobia personale sjell edhe të mirën e përbashkët”, por kjo – vëren dikasteri për Drejtësinë e Paqen – nuk është gjithmonë e vërtetë. Do të duhej më tepër frymë solidariteti, e vetmja, në gjendje të heqë dorë nga dobia personale për të mirën e përbashkët. Vendimet për ekonominë botërore, thekson Vatikani, duhet të merren jo mbi bazën e interesave të grupeve, apo të vendeve të caktuara, por në favor të të gjithëve.
Në dokument përkrahet ideja e vendosjes së një takse ndërkombëtare për transaksionet financiare. Duhet të vilet, duke pasur parasysh sasinë e transaksionit dhe kompleksitetin e operacioneve, sidomos ato që realizohen në tregun “dytësor”, ku bëhen pjesa më e madhe e spekullimeve financiare. “Një taksë e tillë – lexohet në tekst – do të ishte shumë e dobishme për të nxitur zhvillimin global e të qëndrueshëm, sipas parimeve të drejtësisë shoqërore e të solidaritetit”. Fondet e mbledhura në këtë mënyrë, vazhdon Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen, do të kontribuonin në krijimin e një rezerve botërore për të përkrahur ekonomitë e vendeve në krizë, si edhe ndërhyrjet në sistemin e tyre monetar e financiar.
Rikapitalizimi i bankave, përfundon dokumenti, pra, shpëtimi i tyre nga falimentimi, duhet të bëhet vetëm nëse ato detyrohen të veprojnë në mënyrë “virtuoze”, me qëllim zhvillimin e ekonomisë reale e jo spekullimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.