2011-10-29 15:08:29

Atë Federiko Lombardi: Të rifillojmë udhën e paqes nga Asizi


Të enjten, më 27 tetor, përfaqësuesit e feve të botës u mblodhën në Asizi, së bashku me Papën Benedikti XVI për Takimin tradicional, në të cilin rinovohet impenjimi për paqen në botë. Ky takim, i filluar nga i Lumi Gjon Pali II, 25 vjet më parë, pati si temë “Shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes”. Komenti i sotëm javor i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardit, i kushtohet pikërisht kësaj dite:RealAudioMP3
“Në shtegtim së bashku. Në tren, në autobus, në mensë, në reflektim. Papa qëndron në mesin e të tjerëve, pa paramente solemne liturgjike. Dëgjojmë edhe një herë mesazhin e madh, të shpallur tri herë nga Asizi prej Gjon Palit II, së bashku me krerët fetarë të botës: kurrë, njeriu nuk mund të vrasë e të urrejë në emër të Zotit, sepse emri i vërtetë i Hyjit dhe atësia e Tij për të gjithë, është dashuria.
Por njerëzimit, që për motive gjithnjë të lashta e gjithnjë të reja nuk arrin të gjejë paqen, shtegtarët e Asizit, kësaj radhe, i shpallën mesazhe, që tingëlluan veçanërisht të përvuajtura e të hapura. Paqja duhet kërkuar së bashku me të gjithë kërkuesit e së vërtetës, tha Papa, sepse Zoti nuk është pronë e ndjekësve të feve, veprimtaria e të cilëve, nganjëherë, madje e fsheh Hyjin e vërtetë. Atë Zot të vërtetë, që nuk mund të përmendet nga terroristët, por që nuk mund të përjashtohet nga horizonti i njeriut, pa e çnjerëzuar atë.
Vërtet, përshpirtëria e shën Françeskut, që sheh e ndjen me thjeshtësi praninë e Zotit në të gjitha krijesat, vazhdon të tërheqë në Asizi të gjithë personat me mendje e zemër të hapur, si edhe i ndihmon të përqafojnë identitetet e ndryshme në rrugën e përbashkët të dialogut, të vëllazërimit, të gëzimit.
“Takimi i kulturave kaq të ndryshme, këtu në Asizi – përfundonte jo besimtarja Julia Kristeva – dëshmon se hipoteza e asgjësimit të njeriut nga njeriu, nuk është e vetmja e mundshme”. E drejtë: jo shkatërrim, por paqe. E kjo nuk është vetëm hipotezë, por impenjim i përbashkët, duke rifilluar edhe një herë nga Asizi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.