2011-10-28 16:51:24

Sot Kisha katolike përkujtoi Apostujt Simoni e Juda


"Zoti ynë Jezu Krishti caktoi udhëheqësit, mësuesit e botës dhe përhapësit e mistereve të tij hyjnore. Deshi që ata të shkëlqenin si pishtarë e të ndriçonin jo vetëm viset e Judenjve, por mbarë botën. Apostujt e Krishtit qenë shtyllat dhe themelet e së vërtetës”.
Këtë bindje, që e kanë të gjithë të krishterët, e patën posaçërisht të krishterët e bashkësive të para, shumë prej të cilëve u pagëzuan drejtpëdrejtë nga apostujt. Apostuj ishin edhe Juda e Simoni, të cilët Kisha katolike i përkujton në të njëjtën ditë. Simoni mbiquhej "kananeu" ose "zelota" do me thënë "zelltari", për të treguar se bënte pjesë në krahun më të skajshëm të grupimit fetar hebraik. Në listën e apostujve, hartuar nga Shën Mateu ungjilltar, ai zë vendin e dhjetë.
Kisha përkujtoi sot edhe Judën. Natyrisht nuk është fjala as për Judën Makabe, të Testamentit të Vjetër e as për Judën Iskariot, të Testamentit të Ri, atë që tradhtoi Krishtin.
Fjala është për Judën Apostull e Shenjtor. Emri Judë në kohën e Krishtit ishte shumë i përhapur ndër Judenj.Sipas historianit Niçefor Kalisti, Juda Apostull, pajtor i njerëzve që ndodhen në situata të dëshpëruara, ungjillëzues i Palestinës, Sirisë e ndoshta edhe i Mesopotamisë, u varros në Persi.







All the contents on this site are copyrighted ©.