Shën Françesku dhe historia e françeskanëve në Shqipëri.
Qyteti i Shën Françeskut, Pajtor i Italisë, themelues i Urdhërit Françeskan, u zgjodh
përsëri për të kremtuar Ditën e reflektimit, të dialogut e të lutjes për paqe e drejtësi
në botë, me temë: “Shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes”. Tashmë ky qytet
i vogël italian është bërë simbol i vetë paqes për gjithë botën, edhe për Shqipërinë.
Por ç’ lidhje ka Shenjti asizian me historinë e Shqipërisë? Në këtë këndvështrim po
kujtojmë sot si shkelën bijtë e Tij në Shqipëri, duke sjellë me vete urimin: “Pax
et Bonum”- “Paqe e të mira”! Dihet se historia e françeskanëve në Shqipërí
zë fill me një gojëdhënë. Sipas saj, vetë Shën Françesku në vitin 1219 u ndal në Lezhë.
Këtu, në anën e djathtë të Drinit, ku sot janë kodrat e Marlekës dhe Kisha e quajtur
e dom Lleshit, e rrenuar nga komunizmi dhe e rindërtuar, mori një shkop pishe. E mbajti
me vete deri në Venedik. Si mbërrijti në qytetin italian, atje ku sot është Kuvendi
i Shën Françeskut "al Deserto", e nguli në dhe. Shkopi, mrekullisht, lëshoi rrënjë
dhe në pak kohë u rrit e u bë pishë vigane. Për shekuj me radhë përshpirtëria e vendasve
e ruajti ketë dru si kujtim e dëshmi të Shenjtit të Madh të Asizit dhe e pagëzoi me
emrin "Pisha e Shën Françeskut". Gojëdhëna, e ruajtur me kujdes, e njëjtë si ndër
në shqiptarët, ashtu edhe ndër banorët e Venedikut, është mjaft e vjetër dhe e përsëritur
nga të gjithë historianët e nga ata që merren me zanafillën e françeskanëve në Shqipëri.
Në një letër, të cilën e dërgon misionari piçenas, Atë Bonaventura ab Acquaviva, nga
fillimi i 1800-shit, thuhet se ky françeskan e gjeti gojëdhënën në një dorëshkrim
të ruajtur në kuvendin e Lezhës dhe u mbështet në të për të vërtetuar - sipas shënimit
të tij - se veprimtaria apostolike e të bijve të Shën Françeskut në viset e fiset
shqiptare, zë fill që në vitet e para të Urdhërit Françeskan. Natyrisht gojëdhëna
mbetet gojëdhënë dhe vlera e saj historike është e kufizuar, aq më tepër mbasi kurrnjë
nga biografët e Shën Fançeskut nuk e përmend pushimin e Shenjtit në tokën shqiptare
gjatë udhëtimit për a nga Orienti. Por duhet të kujtojmë edhe se asnjëri nuk e
kundërshton faktin se Shën Françesku mund të jetë ndalur për një pushim të shkurtër
në brigjet e Shqipërisë e, veçanërisht në ato të Lezhës, mbasi ky qytet aso heret
ishte nën administratën dhe sundimin e Venedikut e Shenjti udhëtonte me mjete detare
të kësajë Republike. E, kur hesht gojëdhëna, nis të flasë historia. Të gjithë historianët e françeskanizmit në Shqipëri përmendin si datë të nguljes
të bijve të Shën Françeskut në këto vise vitin 1240. Ky pohim mbështetet në një rrasë
të vendosur mbi derën e Kishës françeskane të Lezhës, në të cilën lexohet: "Hoc
templum Fratrum Minorum ædificatum ast anno MCCXL = Ky tempull i Vëllazënve të Vogjël
u ndërtue në vjetin 1240". Rrasa në fjalë është e shkruar latinisht, por sipas
dëshmisë së Pater Lorencit nga Santa Croce, i pari që e përmendë ketë rrasë, origjinalja
qe në gjuhën greqishte. Pater Lorenci kje Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë
në vitin 1720 dhe në ketë kohë, duke përshkruar një dokument të arkivit historik të
kuvendit të Lezhës, shenon tekstualisht: "Provinçja e Françeskajëve të Shqipnisë
asht nji nder ma të vjetrat e Urdhnit të Fretënve, si shifet nga themelimi i Kuvendit
të Shën Mërisë në Lezhë, përtej Drinit, në ballin e Kishës së cilit gjindet endë sot
ky mbishkrim latin, i përkthyem nga një tjetër grekisht". Katër vjet para
kësaj date, në vitin 1236, Gregori IX Papë, në një letër drejtuar Eprorit të Dominikanëve
të Romës, duke iu lutur që t’i dërgonte disa rregulltarë prej urdhërit të tij si inkuizitorë
në kryedioqezin e Tivarit, dëshmon se në viset e këtij dioqezi së voni kanë shkuar
edhe disa rregulltarë të tjerë. Papa nuk i cilëson me emër se kush ishin këta rregulltarë,
por mbas së gjitha gjasësh, duhet të kenë qenë Françeskanët, mbasi përhapja e këtyne
dy Urdhërave të rinj në Ballkan e gjetiu, është gati gjithmonë e gjithkund e njëkohshme. Data,
e cila s' lë kurrfarë dyshimi historik mbi ardhjen e Françeskanëve në Shqipërí është
viti 1248. Në këtë vit Inoçenci IV dërgon si Argjipeshkëv të Tivarit françeskanin
Gjonin De Plano Carpini me detyrë që të kishte në kujdes dioqezet e Shqipërisë së
Veriut e të Serbisë si dhe drejtimin e sivëllezërve të vet, që gjindeshin në ato vise
- kështu shkruan historiani Fabianich. Duke mos e marrë parasysh epigrafin
e Kishës së Lezhës, që shenon si banim të parë të Françeskanëve kuvendin e kishën
e këtij qyteti në vitin 1240, mbasi ky dokument nuk është krejt i sigurtë historikisht,
dhe duke pasë vertetuar se françeskanët para a rreth kësaj date, së paku që prej vitit
1249 e mbrapa u shpërndanë në krahinat arbënore, duhet të themi se në fillim të Bijtë
e Shën Françeskut jetuan ndër shtëpitë private të besimtarëve, duke kaluar nga një
vend në tjetrin, si kudo në Evropë. Të parat banesa të mirëfillta të Françeskanëve
në viset shqiptare i gjejmë në një dokument të vitit 1283. Këtu përmenden me sigurí
kuvendet e Fretërve në Tivár, në Ulqin e në Durrës, kuvende këto që i përkisnin Kustodisë
së Raguzës. Në vitin 1288 ndeshemi në një kuvend tjetër në Shkodër dhe në një kuvend
të dytë, në Tivar, të dy të ndërtuar nga bujaria e përshpirtëria e mbretëreshës së
Serbisë, Helenës dhe motrës së saj, Maria de Chau. Si shihet nga ç' thamë më sipër,
vendet ku ngulën Françeskanët më së pari në Shqipërí qenë, pa dyshim, Tivari, Ulqini,
Durrësi e Shkodra, në se mendojmë që rrasa në kishën e Lezhës është e mëvonshme se
data 1240. Nuk është për t'u çuditur në se Françeskanët e parë në Shqipëri,
si në krahinat tjera të Europës, qenë me kombësí italiane. Urdhëri Françeskan u themelua
nga Shenjti i Madh i Asizit e prandaj edhe të bijtë e tij të parë qenë nga Italia.
Ajo që të bën përshtypje edhe sot në shpërndárjen e Françeskanëve në botë, është ideja
gjeniale e Shën Françeskut për misione e për misionarë vendas. Pa tjetër që në vitet
e para të Françeskanizmit në Shqipërí, Fretërit e parë gjetën ndër vendas dëshirtarë
e ndjekës të jetës së varfër të Themeluesit. Emrat e këtyre Françeskanëve vendas nuk
i dimë. Dimë vetëm se në qindvjetorin e parë të Françeskanizmit në Shqipërí (1219-1939)
Fretërit i dhanë dioqezeve shqiptare 11 ipeshkvij e argjipeshkvij. Është për t'u nënvizuar
edhe fakti se në vitin 1402, pra 62 vjet mbas themelimit të të parit kuvend në Lezhë,
Françeskanët e Shqipnisë ndahen nga nënshtrimi i Kustodisë së Raguzës dhe marrin emër
e vetsundim kombëtár, duke u quajtur Kustodia e Durrësit. Nën këtë Kustodí ishin Durrësi
vetë me krahinë për rreth, Shkodra, Ulqini e Tivari. Pak mbrapa, duke qenë shtuar
kuvendet e fretërve në brendí të Shqipërisë, Kustodia e Durrësit u shndërrua në provinçë
që mori emrin Provinçja e Maqedonisë, mbasi kështu njihej aso here krahina e Matit
ose mesi i Shqipërisë së sotme. Shekulli në të cilin gjindemi tashti, dmth shekulli
XIV, përbën kohën e artë të Françeskanizmit ndër shqiptarë. Vërtetohet që më se 37
qendra ishin vendbanime të Françeskanëve e se fretërit në këtë shekull ishin aq shumë
me numër, sa të mbushnin me françeskanë shqiptarë deri kuvendet e nevojat e Raguzës
e të Dalmacisë. Mjafton të kujtojmë se në kohën e murtajës, rreth vitit 1396, Guardiani
i Kuvendit të Raguzës e vetë Kustodi i kësajë kustodie qenë nga Shkodra, ashtu si
shkodranë qe dhe Guardiani i Zarës. Kah mbarimi i shekullit XIII përmendet Fra Deda
nga Shqipëria (Domenicus Albanensis) i cili, duke pasur në farefis shumë princa të
krahinave të Shqipërisë së mesme dhe duke pasë fituar famë për zotësí e dije, ishte
i ngarkuar nga Selia e Shenjte e Romës, dhe në këtë drejtim veproi me sukses, për
të kthyer nga Ortodoksia shumë princër e për t'i mbajtur besnikë të Romës tjerët,
që shikonin me simpatí nga Kostantinopoja. Në vitin 1395 përmendet Fra Nikolla nga
Samërishi (Nicolaus de Samarixi) i Shkodrës, profesor fort i ndritur i teologjisë
e si i tillë, i dërguar nga Gjergji I Balsha bashkë me dy vëllezër të tjerë fretër,
për t'ia dorëzuar Venedikut dy qytetet e Shkodrës e të Drishtit asaj Republike, me
shpresë se kështu do të shpëtoheshin nga kërcënimet turke. Kur kështjella e Shkodrës,
Rozafa, në vitin 1405 u rrethua nga urditë turke, një françeskan shqiptár, Pater Françesku
nga Shkodra, mbrojti qytetëzën dhe kështjellen nga forcat otomane dhe me trimërinë
e tij e me armë në dorë, e çliroi nga rrethimi. Venediku, në shenjë mirënjohjeje,
e propozoi si ipeshkëv të Drishtit, gjë që Selia Shenjte e Papa e pranuan. Se ç'
rol luajtën Françeskanët shqiptarë në kohën e Skanderbeut e më pas, dihet prej të
gjithëve.
(Ky material u përgatit mbi bazën e një interviste dhënë Radio
Vatikanit me 4. 10. 1976, nga Atë Danjel Gjeçaj OFM)