2011-10-27 11:23:15

Programi zyrtar i Takimit të feve në Asizi


Papa dhe delegacionet nisen me tren nga Stacioni hekurudhor i Vatikanit, në orën 8.00. Pas një ore e treçerek, Ati i Shenjtë mbërrin në Asizi, ku pritet nga autoritetet italiane dhe kishtare, për të shkuar më pas në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve. Jashtë Bazilikës janë vendosur ekrane të mëdha për shtegtarët. Të pranishmit i përshëndet kreu i dikasterit vatikanas për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson. Projektohet një video, që kujton takimin e parë të Asizit, më 1986. Flasin Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, kryeipeshkvi anglikan i Kanterburit, Rouan Uiliams, përfaqësuesi i Kishës Armene, Primati i dioqezës armene në Francë, Norvan Zakarian, si edhe përfaqësues të tjerë të feve të pranishme, duke përfshirë atë të Rabinatit të Madh të Izraelit. Papa Benedikti XVI flet i fundit, në orën 12.30.
Pas përfundimit të takimit në Bazilikë, Ati i Shenjtë dhe krerët e delegacioneve shkojnë në kuvendin e Porciunkolës për një drekë të përbashkët, e cila pasohet nga heshtja, për t’i lënë hapësirë reflektimit e lutjes personale. Ndërkaq, në orën 13.45, të rinjtë vihen për rrugë nga Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve drejt sheshit të Shën Françeskut, vendi, ku janë zhvilluar takimet e Asizit të viteve të mëparshme. Në orën 15.15 vijnë aty edhe delegacionet, ndërsa koret e krishtera “Gen Verde”, “Gen Rosso” dhe “Interfrancescano” ekzekutojnë këngë e koreografi të ndryshme.
Në orën 16.30, në sheshin e Shën Françeskut mbërrijnë edhe Papa e krerët e delegacioneve, për takimin përfundimtar të ditës. Këtu, të gjithë përfaqësuesit e feve rinovojnë Impenjimin e tyre solemn për paqen në botë. Në mesin e reflektimeve e të meditimeve të katolikëve, ortodoksëve, myslimanëve, hebrenjve, sikhëve, budistëve etj., edhe një gjest simbolik: ndizen llampa, që u jepen krerëve të delegacioneve, në shenjë të dritës së fesë dhe delegatët i japin njëri-tjetrit dorën në shenjë paqeje.
Në orën 18.00, Ati i Shenjtë lutet para Varrit të Shën Françeskut, për t’u nisur më pas me tren për në Vatikan. Të nesërmen, ditën e premte, Papa do t’i presë delegacionet e pranishme në Asizi, në Sallën Klementina të Pallatit Apostolik.








All the contents on this site are copyrighted ©.