2011-10-27 18:49:51

Papa në Asizi: kurrë më dhunë, luftë, terrorizëm!


Pas veprimtarive të paradites, të pranishmit u ftuan për një drekë të shpejtë, krejt të thjeshtë, në mensat e kuvendit të Shën Marisë së Engjëjve. Pasoi një kohë heshtjeje, kohë reflektimi e lutjeje personale. Secili delegat kishte në dispozicion një dhomë në vete në shtëpinë e shtegtarëve, pranë Kuvendit të Shën Marisë së Engjëjve.RealAudioMP3
Rreth orës 13.45 të rinjtë u vunë për udhë nga Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve, kah Sheshi i Shën Françeskut, ku zunë menjëherë vendin, që u ishte caktuar. Në sa arrinin delegacionet, Sheshi ushtonte nga koret Gen Verde, Gen Rosso, kori dioqezan dhe ai ndërfrançeskan, që pasuan njëri tjetrin me këngë e valle.
Ati i Shenjtë dhe kryetarët e delegacioneve dolën në këmbë nga porta e Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, në Sheshin e Los Anxhelos, ku zunë vend në minibuse, për të arritur pastaj, në Sheshin e Shën Françeskut, në majë të kodrës, pranë Bazilikave madhështore të Shenjtit.
Në orën 16.30 nisi takimi përfundimtar. Përshëndetjen e hapjes e mbajti kardinali Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Menjëherë pas tij, u përsërit impenjimi solemn për paqen, duke nisur nga Bartolomeu I, Patrik Ekumenik, kryepeshkop i Kostandinopojë, për të vijuar me përfaqësuesin e Federatës Luterane Botërore; përfaqësuesin e Sikhve; Hirësinë e Tij, Aleksandër, përfaqësues i Patriarkanës së Moskës; delegatin e Besëlidhjes Botërore Batiste; atë mysliman; budist, rabinin hebre, përfaqësuesin e Bashkimit Botëror të Kishave të Reformuara dhe përfaqësuesin e jo besimtarëve.
Kurrë më dhunë, kurrë më luftë; kurrë më terrorizëm! Në emër të Zotit çdo fe të sjellë mbi tokë paqe e drejtësi, falje e jetë, mirësi e dashuri” - me këto fjalë Benedikti XVI përfundoi përtërtijen e zotimit solemn për paqen.
Pastaj Ati i Shenjtë iu drejtua përfaqësuesve të feve botërore me fjalët: “Në përfundim të kësaj dite, të ngarkuar me veprimtari, dëshiroj t’ju falënderoj ju të gjithë. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht atyre, që e bënë të mundur takimin e sotëm. E në në mënyrë të veçantë, falënderoj atë, që na mikpriti përsëri: qytetin e Asizit, bashkësinë e kësaj dioqeze, me ipeshkvin e saj dhe bijtë e Shën Françeskut, që ruajnë trashëgiminë e çmuar shpirtërore të Varfanjakut të Asizit. Falënderojmë përzemërsisht edhe të rinjtë, që shtegtuan në këmbë nga Shën Maria e Engjëjve, për të dëshmuar se ndërmjet breznive të reja, janë të shumtë ata, që impenjohen për t’i dhënë fund dhunës e përçarjeve dhe për t’u bërë nismëtarë të drejtësisë e të paqes.

Ngjarja e madhe e sotme tregon qartë se përmasa shpirtërore është elementi kyç për ndërtimin e paqes. Përmes këtij shtegtimi të përbashkët ne mundem të hyjmë në dialog vëllazëror, të thellojmë miqësinë, të heshtim e të lutemi së bashku.

Pasi përsëritëm zotimin tonë për paqen e shkëmbyem me njëri-tjetrin shenjën e paqes, ne e ndjejmë veten të përfshirë edhe më thellë, së bashku me të gjithë burrat e gratë e bashkësive që përfaqësojmë, në shtegtimin tonë të përbashkët njerëzor.

Ne nuk do të ndahemi: do të vijojmë të takohemi, të jemi të bashkuar në këtë shtegtim, në dialog, në ndërmtimin e përditshëm të paqes dhe në zotimin për ngritjen e një bote më të mirë, një bote, në të cilën çdo burrë, çdo grua e çdo popull mund të jetojë në përkim me dëshirat e veta legjitime.

Ju falënderoj me gjithë zemër, që e pranuat ftesën time për të ardhur në Asizi si shtegtarë të së vërtetës e të paqes. E uroj secilin nga ju me fjalët e Shën Françeskut: “Zoti të dhëntë paqe!

Pasoi një çast heshtjeje e reflektimi, që përfundoi me gjestin simbolik të shpërndarjes dhe ndezjes së qirinjve, në sa kori këndonte “Lutjen e thjeshtë”.
Në përfundim të kësaj veprimtarie të jashtëzakonshme, me jehonë në mbarë botën, sepse mbarë bota kishte sot në Sheshin e Asizit, përfaqësuesit e vet më lartë shpirtëror, delegatët i shtrënguan njëri-tjetrit duart: ishte gjesti i paqes, i një paqeje, që përhapte frymën e vet jetëdhënëse në mbarë rruzullimin.
Kremtimi i sotëm i “Shtegtarëve të së vërtetës, shtegtarë të paqes”, nuk mund të mos përfundonte me një këngë, tingujt e së cilës shoqëruan gjithë veprimtarinë: me Këngën e Krijesave, kënduar nga kori i dioqezës së Asisit. Po nesër Papa do të takohet përsëri me delegacionet pjesëmarrëse në Ditën e sotme të Dialogut. E, pas takimit, në Sallën Klementine, në Vatikan, përfaqësuesit e feve të botës do të ulen rreth një sofre të përbashkët, në Sallën vatikanase të Palit VI, mysafirë të Sekretarit të Shtetit të Shenjtërisë së tij, kardinalit Tarçizio Bertone.







All the contents on this site are copyrighted ©.