2011-10-27 13:41:46

Kisha dhe kuvendi i Shën Damianit


Në verën e vitit 1205, Shën Françesku shkoi për t’u lutur në atë kënd, që asokohe ishte oratorio fshtarak. E në sa ishte përhumbur në uratë, ndjeu Krishtin e kryqëzuar (sot në Bazilikën e Shën Kiarës), i cili po i fliste nga elteri gjysëm i rrënuar. Zoti e ftonte të rindërtonte Kishën e tij, në rrezik të shembej. Jo ndërtesën me gurë, ku po lutej, po atë shpirtërore. Në vitin 1212, këtu u vendos Shën Kiara me shoqet e veta e po këtu, më 1212, Shën Françesku krijoi Këngën e Krijesave. Gjëja e parë, që të bie në sy, para se të hysh në Kishë, është portiku i madh. Të duket sikur të fton të hysh. Në të djathtën hapet kapela e Shën Jeronimit, me afreske realizuar nga Tiberi i Asizit (1517 e 1522). Kisha ka një navatë të vetme, me qemerin paksa gotik e absidin e pikturuar me afreske të fillimit të shekullit XIV. Kryqi në elterin e madh është një nga kopjet e origjinalit, ruajtur nga Shën Kiara. Kori, prej druri të gdhendur, vjen në ditët tona nga viti 1504. Në anën e djathtë kalohet përmes një hajati, ku mund të soditet Kryqëzimi i Pier Antonio Mexastris (1482); e pastaj, në kopshtin e Shën Kiarës e në mjediset e kuvendit. Kiostri, apo oborri i brendshëm, është i stolisur me afresket e Euzebit nga San Giorgio (1507), kushtuar Varrëve të Shën Françeskut e Lajmërimit të Zojës së Bekuar. Vjen, pastaj, mensa, me afresket, për fat të keq, mjaft të dëmtuara, të Dono Donit, që paraqesin Krishtin e kryqëzuar kah flet me Shën Kiarën. E Vasha, duke bekuar bukën, me nxitjen e Papës Gregori IX, lë mbi të gjurmët e kryqit.
Kisha e Shën Damianit nuk ka ndonjë vlerë të veçantë në këndvështrimin artistik, posaçërisht në se e krahasojmë me disa nga bazilikat e Asizit, ku veprat e mëdha të artit e lartojnë shpirtin njerëzor, po aq sa fryma françeskane, që ndjehet mistikisht në këto hapësira feje, kulture, paqeje e të mirash. Gjithsesi, është një vend, që lidhet ngusht me jetën e Shën Françekut e të Shën Kiarës. Në këtë oratorio fshatarak, paksa jashtë mureve të qytezës, në verën e vitit 1205 Shenjti dëgjoi zërin e Krishtit të kryqëzuar, që i fliste nga elteri. Në shpellën poshtë ndërtesës, u fsheh nga i ati, që nuk donte ta lejonte të hynte në kuvend. Këtu Shën Kiara nisi jetën e re rregulltare, duke filluar nga vitit 1212 e po këtu themeloi edhe Urdhërin e klariseve. Në kasollën e rrogozave, në një skutë të shtëpisë, Shën Françesku shkroi vargjet e para të Këngës së Krijesave, ndërsa në fjetoren e Shën Damianit, Shën Kiara dha shpirt, më 11 gusht të vitit 1253, vetëm dy ditë pas vizitës së Papës Inoçenci IV. Këtu vendin e kryeveprave, e zënë kujtimet. E ajo, që të pushton më shumë në këtë skaj të harruar, është heshtja e thellë dhe ndjesia e shkëputjes nga bota. Këtë provon kushdo shkel në Shën Damian. Kisha është vetëm një kilometër larg Bazilikës së Shën Françeskut por, ndoshta për shkak të ullishtave, që e rrethojnë, ose pse vizitohet më shumë nga shtegtarët, që duan të heshtin e të luten, distanca duket shumë më e madhe. Sidoqoftë, shtegtari nuk përton të niset, për të shkelur mbi të gjitha gjurmët e Shën Françeskut, që janë gjurmët e vetë Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.