2011-10-27 15:24:20

Benedikti XVI në Takimin e Asizit: Nëse ka njerëz që nuk e gjejnë Zotin, faji është edhe i besimtarëve


Fetë nuk mund të jenë kurrë arsyeja e dhunës. Ato dhe dialogu ndërfetar janë e duhet të jenë në bazën e paqes. Kështu foli sot paradite Papa Benedikti XVI në fjalimin, që mbajti para përfaqësuesve të traditave të ndryshme fetare të botës, mbledhur në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi të Italisë për Takimin e paqes, i cili mbush 25 vjet, që prej themelimit të tij nga i Lumi Gjon Pali II. Ati i Shenjtë dhe rreth 300 pjesëmarrës - ndër të cilët kryepeshkopi Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse të Shqipërisë - shkuan me tren në qytetin e Shën Françeskut për të reflektuar e medituar së bashku mbi temën “Shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes”. Gjatë paradites, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve - aty ku ndodhet “Porciunkola”, kapela, simbol i françeskanizmit, ku i Vobekti i Asizit themeloi urdhërin - të krishterë, hebrenj, myslimanë e përfaqësues të lartë të feve reflektuan mbi rolin e tyre në arritjen e paqes së plotë në mbarë botën. RealAudioMP3
Terrorizmi – denoncoi Papa, i cili foli në fund, rreth orës 12.30 – shpesh i motivuar dhe i justifikuar nga feja, është mohim i Zotit. Benedikti XVI kujtoi Takimin e parë të Asizit, dashur nga paraardhësi i tij në vitin 1986, kur akoma ishte në këmbë Muri i Berlinit, që e ndante botën më dysh. Rënia e tij, nënvizoi Ati i Shenjtë, tregoi se vullneti i popujve për të qenë të lirë ishte më i fortë se arsenali i dhunës komuniste e, se atij pushteti materialist i mungonin krejtësisht bindjet shpirtërore. Të gjithë e dimë se ku çoi politika për krijimin e “njeriut të ri”, por edhe sot, vazhdoi Papa, liria e rigjetur kërcënohet sërisht. Dhuna paraqitet me një fytyrë të re e të frikshme, si terrorizmi:
“E dimë se shpesh, terrorizmi motivohet nga feja e se pikërisht karakteri fetar i sulmeve shërben si justifikim për mizoritë më të pamëshirshme, me të cilat besohet se mund të mënjanohen normat e së drejtës në emër të kësaj “së mire”. Në këtë rast, feja nuk është në shërbim të paqes, por justifikon dhunën”.
Është e nevojshme të përsëritet edhe sot, ç’thanë krerët fetarë më 1986 në Asizi së bashku me Papën Gjon Pali II: kurrë, fetë nuk mund të jenë shkak për dhunë e luftë. Dhuna e lufta nuk janë në natyrën e fesë, nënvizoi Papa Racinger, i cili pranoi edhe fajet e të krishterëve:
“Si i krishterë, dua të them këtu: po, gjatë historisë, edhe në emër të fesë së krishterë, është përdorur dhuna. E pranojmë, me turp të madh. Por është krejtësisht e qartë se ky ka qenë përdorim abuziv i fesë së krishterë, në kundërshtim të plotë me natyrën e saj të vërtetë”.
Mungesa e Zotit, mohimi i Tij, e korrupton njeriun deri në atë shkallë, sa të përdorë dhunën e jo feja, theksoi më pas Papa, duke kritikuar ata që, në të kundërt, e akuzojnë fenë si arsye për dhunën në historinë e njerëzimit dhe kërkojnë zhdukjen e saj:
“Por mohimi i Zotit solli mizori e dhunë pa masë, që u bënë të mundura vetëm sepse njeriu nuk pranonte më asnjë normë e asnjë gjykatës mbi vetveten, por ndiqte vetëm ligjin e vetvetes. Tmerret e kampeve të përqendrimit tregojnë jashtëzakonisht qartë pasojat e mungesës së Zotit”.
Duke iu referuar kohës së sotme, Benedikti XVI vuri në dukje dekadencën, në të cilën është i destinuar të bjerë njeriu, nga ndryshimi i klimës shpirtërore, që përjetohet në botë. Në një shoqëri të karakterizuar nga degjenerimi i dëshirës për lumturi, theksoi Papa, dhuna bëhet normale, paqja nuk ekziston më e mungesa e paqes çon në shkatërrimin e njeriut:
“Adhurimi i mamonës, i pasurisë e i pushtetit, kthehet në të kundërtën e fesë, në një lloj religjioni, ku nuk vlen më njeriu, por vetëm përfitimi personal”.
Në fund, Benedikti XVI foli për risitë e këtij takimi në Asizi, për praninë e një grupi jo besimtarësh, burra e gra të shkencës e të kulturës, të cilët marrin pjesë për herë të parë. Atyre, tha Ati i Shenjtë, nuk u është dhënë dhurata e fesë, por janë të dëshiruar për të vërtetën, janë në kërkim të Zotit. Ata ngrenë pikëpyetje si për ateistët luftarakë, që pretendojnë se nuk ka Zot, ashtu edhe për besimtarët, që nuk duhet ta konsiderojnë Hyjin si pronë të vetën:
“Këta njerëz kërkojnë të vërtetën, kërkojnë Zotin e vërtetë, imazhi i të cilit në fetë e ndryshme, jo rrallë për shkak të mënyrës së praktikimit të tyre, është shpesh i fshehur. Fakti që ata nuk arrijnë ta gjejnë Zotin varet edhe nga besimtarët, me imazhin e tyre të reduktuar, ose edhe të shpërfytyruar të Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.