2011-10-26 16:01:32

Thirrja e Papës për popullsitë e dëmtuara nga tërmeti në Turqi. Së paku 461 të vdekur


Rëndohet bilanci i viktimave të tërmetit të së dielës në Turqi. Sipas statistikave të fundit, numri i të vdekurve ka arritur në 461 vetë, të plagosurit janë 1350 e fati i qindra vetëve nuk dihet. Ndonjë lajm i mirë vjen nga puna e vullnetarëve, që po nxjerrin dalëngadalë njerëz nga rrënojat: pas shpëtimit të një vajze të posalindur dhe të një djali 10-vjeçar, doli e paprekur një mësuese 27-vjeçare. Në përfundim të Liturgjisë së Fjalës në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa Benedikti XVI bëri thirrje për popullsitë e dëmtuara nga tërmeti:RealAudioMP3
“Në këtë çast, mendimi shkon tek populli i Turqisë, dëmtuar rëndë nga tërmeti, që ka shkaktuar humbjen e jetëve njerëzore, shumë të pagjetur akoma e dëme të jashtëzakonshme. Ju ftoj të bashkoheni në lutje me mua për ata, që kanë humbur jetën dhe t’u qëndroni shpirtërisht pranë këtyre njerëzve, të sprovuar kaq rëndë. Zoti i Tejetlartë u dhëntë mbështetje të gjithë atyre, që impenjohen në veprën e shpëtimit e të ndihmës”.
Tashmë, duhet luftuar kundër kohës. Sa më shumë që kalojnë orët, aq më e paktë është mundësia për t’i gjetur njerëzit gjallë. Papa kujtoi sot se është e rëndësishme të jemi të bashkuar në lutje. Në një vend, ku shumica janë myslimanë, madje, ku në zonën e tërmetit, banon vetëm një familje katolike, edhe ajo italiane, atë Domeniko Bertolji, famullitar në Antioki, prej 45 vjetësh në Turqi, thekson:
“Zoti takohet në lutje e në heshtje, por sidomos në lutje, sepse në atë çast, njeriu vihet përballë Hyjit. E kështu, në lutje, ndarjet ndërmjet krishterimit e feve të tjera zvogëlohen, sepse, në fund të fundit, Zoti është po Ai. Të vihet ballë për ballë me Të, me varfërinë e vet, me dobësitë e problemet e veta, është me rëndësi si për të krishterin, ashtu edhe për atë, që nuk është i krishterë”.
Në këto çaste dramatike, solidariteti kapërcen çdo ndarje. Turqia ka pranuar zyrtarisht ndihmat e vendeve të ndryshme, ndër të cilat edhe Izraeli, që kohët e fundit ka pasur mosmarrëveshje me Ankaranë. Janë sinjale pajtimi, siç nënvizon atë Bertolji:
“Është një çast, që na bën të ndjehemi më solidarë, kuptojmë se jemi të gjithë krijesa të Zotit. Para vuajtjes, para vdekjes e shkatërrimit, duhet të bien të parat pikërisht barrierat ideologjike e problemet ndërmjet kombeve. Duhet të kapërcehen pengesat ideologjike e politike. Duhet të shohim njeriun, të shohim gjërat më kryesore e më të bukura, që na bëjnë ta ndjejmë veten pranë njëri-tjetrit”.
Kryeministri turk, Tajçip Erdogan pranoi se fillimisht pati probleme organizimi e koordinimi të ndihmave, por tani gjendja është nën kontroll.








All the contents on this site are copyrighted ©.