2011-10-26 15:59:58

Asizi- Asisium


Qyteti i mirënjohur Asizi, zu fill në krahinën italiane të Umbries si vendbanim i vogël. I kthyer, më pas në bashkësi, u lidh me Romën, duke marrë emrin Asisium. U ungjillëzua në vitin 238 pas Krishtit përmes veprimtarisë misionare të ipeshkvit Rufino. U pushtua e rrënua nga Gotët e Totilës. Deri në shekullin XI kur, duke kaluar nga ana e gibelinëve, jetoi kohë shumë të trazuara, gjithnjë në ndeshje me Perugjën, guelfe. Në vitin 1189, duke përfituar nga mungesa e mëkëmbësit perandorak, Korradon di Lucèn, banorët e Asizit pushtuan fortesën e tij. Me që Perugja donte të ngatërrohej në luftën e asizianëve për çlirim, Asizi marshoi kundër perugjianëve, por pësoi humbje të rënda mbi Urën e Shën Gjonit. Kundërshtarët zunë shumë robër. Një prej tyre ishte edhe Françesk Bernardone, i biri i tregtarit të pasur të pëlhurave, Pietro Bernardone, me origjinë nga Luka, dhe i gruas së tij, Zonjës Pika. Ky djalosh, që do të bëhej asiziani më i famshëm në shekuj, kishte lindur ndërmjet viteve 1181 e 1182. Pas burgimit në Perugjia, vendosi të ngjeshë përsëri shpatën e të niset për kryqëzatën e kryesuar nga Gueltiero di Brienne, por një sëmundje e papritur e detyroi të ndalohej në rrethinat e Spoletos. Ndërkaq, në vitin 1197, në Asizi pagëzohej perandori i ardhshëm Federiku II. Më 1316 qyteti zgjëroi rrethimin me mure, duke përfshirë edhe kompleksin e Shën Françeskut, kuvendin benediktin të Shën Pjetrit dhe lagjen Aretine. Por lulëzimi zgjati pak. Asizi u dobësua keqas nga epidemia e murtajës së zezë dhe nga luftërat e paprera të kryesuara nga kapedanë, që ndiqnin njëri-tjetrin. Gjithsesi në këtë kohë, Sheshi i Popullit (1305) dhe Pallati i Igumenëve (1338) kishin marrë formën që kanë edhe sot. Qyteti jetoi një periudhë tjetër qetësie gjatë sundimit të kardinalit Albornoz i cili, pasi pati shtënë në dorë pronat e Kishës, rindërtoi Fortesën e Madhe, rrënuar gjatë ndeshjeve të vazhdueshme të shekullit XIII. Pas tij, ndeshjet u ndezën përsëri ndërmjet dy familjeve të fuqishme Nepis e Fiumi, për sundimin e pjesës së epërme e asaj të poshtër, sundim që kalonte dorë më dorë, duke shkaktuar rrënime e çrregullime të reja. Në këto rrethana, në qytet u bënë shumë pak ndërtime të reja. Meriton të kujtohet restaurimi i kuvendit të Shën Françeskut dhe fillimi i punimeve për ndërtimin e Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, në zonën e Porciunkolës, zënë nga një mori banesash, ngritur që në kohën e Shën Françeskut. Bazilika e re, e jashtëzakonshme, nisi të lartohej dalëngadalë sipas projektit të Galeaco Alesit, për të mbrojtur denjësisht Kapelën e Porciunkolës e për t’iu përgjigjur kërkesave të panumërta të shtegtarëve, që dyndeshin drejt viseve françeskane. I njëjti arkitekt nisi restaurimin e Katedrales së Shën Rufinit, që humbi stilin e vet romanik. Pasuan shumë ndërtime të tjera kishash e pallatesh private, që u dhanë pamje të re edhe udhëve të qytetit të gurtë. Por kjo periudhë nuk zgjati shumë e vendi ra përsëri në dekadencë ekonomike, me pasojë pakësimin e popullsisë. Shekulli XIV nuk qe më i begatë për vendlindjen e Shën Françeskut. Shumë kisha u mbyllën, të tjera u dëmtuan rëndë. Vepra artistike të të gjitha llojeve humbën ose u shitën nga njerëz të papërgjegjshëm, me qëllime fitimi. Nga një grabitje e tillë nuk shpëtuan as afresket. Shumë prej tyre u shkëputën nga muret e u zhdukën kush e di se ku. Vetëm në vitin 1881 rifilloi interesimi për qytetin e Shën Françeskut e të Shën Kiarës. U hapën rrugë të reja, për të lehtësuar shtegtarët, që rifilluan të dynden me shumicë në Asizi e, në fund të shekullit, në qytet arriti treni i parë. Dolën kështu, përsëri në dritë kryeveprat e mëdha të arkitekturës, të skulpturës, të qelqit e të pikturës, posaçërisht afresket e famshme të Giotto-s e të Cimabue-s.







All the contents on this site are copyrighted ©.