2011-10-25 15:40:40

Programi zyrtar i Takimit të feve në Asizi


U bë i njohur sot, programi zyrtar i Takimit të feve në Asizi të Italisë, që do të mbahet më 27 tetor, në praninë e Papës Benedikti XVI. Veprimtaritë për këtë shtegtim të rëndësishëm të të gjitha feve në qytetin e Shën Françeskut, nisur 25 vjet më parë nga i Lumi Gjon Pali II, do të fillojnë qysh nesër. Ati i Shenjtë do të kremtojë Liturgjinë e Fjalës në sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.30, në përgatitje të Takimit të Asizit, i cili sivjet ka si temë: “Shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes”.
Të enjten, Papa dhe delegacionet do të nisen me tren nga Stacioni hekurudhor i Vatikanit, në orën 8.00. Pas një ore e treçerek, Ati i Shenjtë mbërrin në Asizi, ku pritet nga autoritetet italiane dhe kishtare, për të shkuar më pas në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve. Jashtë Bazilikës janë vendosur ekrane të mëdha për shtegtarët. Të pranishmit do t’i përshëndesë kreu i dikasterit vatikanas për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson. Do të projektohet më pas një video, që kujton takimin e parë të Asizit, më 1986. Do të flasin Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, kryeipeshkvi anglikan i Kanterburit, Rouan Uiliams, përfaqësuesi i Kishës Armene, Primati i dioqezës armene në Francë, Norvan Zakarian, si edhe përfaqësues të tjerë të feve të pranishme, duke përfshirë atë të Rabinatit të Madh të Izraelit. Papa Benedikti XVI do të flasë i fundit, në orën 12.30.
Pas përfundimit të takimit në Bazilikë, Ati i Shenjtë dhe krerët e delegacioneve do të shkojnë në kuvendin e Porciunkolës për një drekë të përbashkët, e cila do të pasohet nga heshtja, për t’i lënë hapësirë reflektimit e lutjes personale. Ndërkaq, në orën 13.45, të rinjtë vihen për rrugë nga Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve drejt sheshit të Shën Françeskut, vendi, ku janë zhvilluar takimet e Asizit të viteve të mëparshme. Në orën 15.15 vijnë aty edhe delegacionet, ndërsa koret e krishtera “Gen Verde”, “Gen Rosso” dhe “Interfrancescano” ekzekutojnë këngë e koreografi të ndryshme.
Në orën 16.30, në sheshin e Shën Françeskut do të mbërrijnë edhe Papa e krerët e delegacioneve, për takimin përfundimtar të ditës. Këtu, të gjithë përfaqësuesit e feve do të rinovojnë Impenjimin e tyre solemn për paqen në botë. Në mesin e reflektimeve e të meditimeve të katolikëve, ortodoksëve, myslimanëve, hebrenjve, sikhëve, budistëve etj., do të ketë edhe një gjest simbolik: do të ndizen llampa, që do t’u jepen krerëve të delegacioneve, në shenjë të dritës së fesë dhe delegatët do t’i japin njëri-tjetrit dorën në shenjë paqeje.
Në orën 18.00, Ati i Shenjtë do të lutet para Varrit të Shën Françeskut, për t’u nisur më pas me tren për në Vatikan. Të nesërmen, ditën e premte, Papa do t’i presë delegacionet e pranishme në Asizi, në Sallën Klementina të Pallatit Apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.