Dokument i Vatikanit për ekonominë: urgjent, krijimi i një autoriteti botëror për
qeverisjen e financës
Selia e Shenjtë paraqiti sot një dokument, i cili përmban ide për daljen nga kriza
ekonomike botërore. Me titull “Për një reformë të sistemit financiar e monetar ndërkombëtar,
në perspektivën e një autoriteti publik me kompetencë universale”, libreti i Këshillit
Papnor për Drejtësinë e Paqen u bë i njohur nga kreu i dikasterit, kardinali Peter
Turkson, së bashku me sekretarin, ipeshkvin Mario Toso dhe me profesorin italian të
ekonomisë, Leonardo Beketi. Kriza e rëndë ekonomike e botës së sotme, shkruhet
në dokument, e ka zanafillën në kombinimin e gabimeve teknike me përgjegjësitë morale.
Gabimet e politikave të Ekonomisë dhe të Financave, si edhe dobësitë strukturore të
institucioneve të tyre, janë rënduar për shkak të qëndrimeve të gabuara etike në të
gjitha nivelet, në një ekonomi, që bazohet gjithnjë e më tepër në utilitarizmin dhe
në materializmin. Në shënjestër të dikasterit vatikanas për Drejtësinë e Paqen
është veprimtaria e bankave, të cilat duke e zgjeruar fushën e kredive, shtuan sasinë
e monedhës në qarkullim, duke krijuar inflacionin, i cili më pas, u kthye kundër vetë
bankave, të paafta të paguanin interesat. Shpejt, kjo krizë kaloi edhe në ekonominë
reale, duke filluar nga sektori i ndërtimit. Prirjet negative për zhvillimin dhe tregtinë
sollën pasoja të rënda për punësimin e jetën e miliarda njerëzve. Mëse 1 miliard vetë,
vë në dukje Selia e Shenjtë, janë të detyruar të jetojnë me diçka më tepër se një
dollar në ditë. Me trishtim, në dokument vihet në dukje se ndërmjet 1900-ës dhe
2000-shit, popullsia e botës është katërfishuar dhe pasuria e prodhuar në nivel botëror
është shtuar me shpejtësi edhe më të madhe. Pra, të ardhurat për frymë janë rritur
jashtëzakonisht, por jo edhe shpërndarja e drejtë e kësaj pasurie, e cila në të kundërtën,
është keqësuar. Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen vë gishtin mbi plagën e mosrespektimit
të rregullave e të kontrolleve në nivel ndërkombëtar, pavarësisht se ato shpesh respektohen
brenda vendeve. Në nivel botëror, vlen rregulla e më të fortit, vihet në dukje në
dokumentin për ekonominë. Ideologjia në bazën e këtij qëndrimi është “dobia personale
sjell edhe të mirën e përbashkët”, por kjo – vëren dikasteri për Drejtësinë e Paqen
– nuk është gjithmonë e vërtetë. Do të duhej më tepër frymë solidariteti, e vetmja,
në gjendje të heqë dorë nga dobia personale për të mirën e përbashkët. Vendimet për
ekonominë botërore, thekson Vatikani, duhet të merren jo mbi bazën e interesave të
grupeve, apo të vendeve të caktuara, por në favor të të gjithëve. Në dokument
përkrahet ideja e vendosjes së një takse ndërkombëtare për transaksionet financiare.
Duhet të vilet, duke pasur parasysh sasinë e transaksionit dhe kompleksitetin e operacioneve,
sidomos ato që realizohen në tregun “dytësor”, ku bëhen pjesa më e madhe e spekullimeve
financiare. “Një taksë e tillë – lexohet në tekst – do të ishte shumë e dobishme për
të nxitur zhvillimin global e të qëndrueshëm, sipas parimeve të drejtësisë shoqërore
e të solidaritetit”. Fondet e mbledhura në këtë mënyrë, vazhdon Këshilli Papnor për
Drejtësinë e Paqen, do të kontribuonin në krijimin e një rezerve botërore për të përkrahur
ekonomitë e vendeve në krizë, si edhe ndërhyrjet në sistemin e tyre monetar e financiar. Rikapitalizimi
i bankave, vazhdon dokumenti, pra, shpëtimi i tyre nga falimentimi, duhet të bëhet
vetëm nëse ato detyrohen të veprojnë në mënyrë “virtuoze”, me qëllim zhvillimin e
ekonomisë reale e jo spekullimin. Vatikani denoncon rrezikun e krijimit të një brezi
“teknokratësh”, që s’dinë ç’është e mira e përbashkët, kërkon reformimin e sistemit
financiar e monetar ndërkombëtar dhe themelimin e një autoriteti publik universal,
që të qeverisë financat. Mund të jetë një Bankë Qendrore Botërore, shkruhet në dokument,
e cila duhet të mendohet e krijohet duke pasur si pikë referimi Organizatën e Kombeve
të Bashkuara. Ky autoritet i ri, duhet ta vendosë politikën mbi ekonominë e të jetë
“super partes”. Fondi Monetar Ndërkombëtar, që duhej të kryente detyrën e vendosjes
së një numri të vogël me rregulla të pranueshme për të gjithë, e ka humbur qëndrueshmërinë
e vet dhe nuk është në gjendje ta udhëheqë tregun ekonomik botëror, vëren Vatikani. Dokumenti
“Për një reformë të sistemit financiar e monetar ndërkombëtar, në perspektivën e një
autoriteti publik me kompetencë universale” është hartuar në vazhdën e Enciklikës
së Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate” dhe bazohet në traditën më të mirë të
doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.