2011-10-24 16:07:02

Benedikti XVI shpall shenjtorë imzot Konfortin, don Guanelën e motër Bonifaçia de Kastron.


Të shndërruar në modele për t’u imituar nga ligji më i madh i Ungjillit: ai i dashurisë për Zotin e për vëllezërit. Kështu dje, në ditën kur Kisha kujtonte misionarët e mbarë botës, Benedikti XVI u paraqiti më se 50 mijë shtegtarëve e besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, tre Shenjtorë të rinj: imzot Guido Maria Konforti, don Lugji Guanela e motra Bonifaçia Rodriguez de Kastro, të cilët i kanonizoi gjatë një Meshe solemne.
Në përfundim të liturgjisë eukaristike, Papa u kërkoi besimtarëve të luten për mbledhjen ndërkonfesionale e ndërfetare të Asizit, që do të mbahet më 27 tetorin e ardhshëm.

Shenjtëria nuk ka një formë të vetme. Ajo shfaqet në mijëra forma, frymëzuar nga dashuria e Zotit në zemrat e afta për t’i dashur të tjerët. Mund të ketë formën e krijimtarisë, që buron nga një mendje e hollë, por edhe atë të kallove në duart e mësuara me punë të rënda fizike të një punëtori të thjeshtë. Mund të shfaqet ndërmjet punëtorëve të një fabrike, por edhe të krijojë oaza mikpritjeje për njerëz pa rrugëdalje, të braktisur ose të sëmurë rëndë. Histori të tilla mësojmë, në sa njihemi për së afërmi me jetën e një gruaje e të dy burrave, portretet vigane të të cilëve i shikonin dje nga lozha qëndrore e Bazilikës së Vatikanit, mijëra njerëzit e pranishëm në Meshë. Para se të sintetizonte jetën e tre shenjtorëve të rinj, Benedikti XVI e nisi homelinë me përgjigjen që i jep Jezusi bashkëbiseduesit të vet në faqen e Ungjillit, të sapo lexuar: “Cili është urdhërimi më i madh?”. Është dashuria pa kushte, e plotë me gjithë vetveten. Për këtë dashuri janë të aftë shenjtorët:
“Kërkesa kryesore, për secilin nga ne, është që Zoti të jetë i pranishëm në jetën tonë. Ai, siç thotë Shkrimi Shenjt, duhet të na depërtojë në të gjithë qenien e të na mbushë çdo skaj e skutë: zemra duhet ta njohë e të preket prej tij; e kështu edhe shpirti, energjitë, vullneti e mendja jonë”.
Zemra e të krishterit të vërtetë duhet ta njohë mirë Krishtin, ta ndjejë aromën e shijen e pranisë së tij. Të tilla ishin zemrat e tre shenjtorëve të rinj, që kujtoi Papa gjatë homelisë. Guido Maria Konforti ishte vetëm tridhjetë vjeç, kur themeloi një familje rregulltare; ndërsa në moshën 37 vjeçare ishte ipeshkëv i Ravenës e më pas, edhe i Parmës. Një lloj fëmije i mrekullueshëm në shërbim të Ungjillit, për të cilin shkriu të gjitha forcat e trupit të tij të ligshtë. Jetoi duke bërë mirë e duke formuar misionarë, për t’i nisur në të katër anët e tokës:
Në çdo rrethanë, edhe në disfatat më poshtëruese, diti të shikojë planin e Zotit, që i printe për të ndërtuar Mbretërinë e Tij, posaçërisht duke mohuar vetveten, duke pranuar ditë për ditë vullnetin e Hyjit e duke u lëshuar gjithnjë më shumë në dorën e tij. Shën Guido Maria Konforti i mbajti përherë sytë të ngulur tek Kryqi, që e tërhiqte ëmbëlsisht. Duke e kundruar, ndjente dëshirën e fshehur në çdo zemër, për ta pranuar kumtimin e dashurisë së vetme, që shëlbon”.
Don Luigji Guanela ishte një monument i vërtetë bujarie për të afërmin. Benedikti XVI e quajti shok e mësues, ngushëllim e lehtësim për më të mjerët, më të ligështit, më të braktisurit. I besoi me guxim e vendosmëri urdhërimit të madh, ripohuar e përforcuar nga Jezusi në përgjigjen që i dha doktorit të ligjit, kur theksoi se urdhërimi i dytë, dashuria për të afërmin, është i njëllojtë me të parin:
“Sot duam ta lavdërojmë e ta falënderojmë Zotin, që na dhuroi Luigji Guanelën, profet e apostull i dashurisë së krishterë. Në dëshminë e tij, përplot me humanizëm e vëmendje ndaj më të varfërve, shikojmë një shenjë të ndritshme të pranisë e të veprimit mirëbërës të Hyjit. Ky shenjt i dashurisë së krishterë qoftë për të gjithë, posaçërisht për anëtarët e Kongregatës së themeluar prej tij, model i sintezës së thellë e frytdhënëse të kundrimit me veprimin, ashtu si e jetoi dhe e zbatoi ai vetë”.
Plot me dritë edhe historia e motrës Bonifaçia Rodriguez de Kastro, spanjolle nga Salamanka. Shenjtëria e saj lindi nga puna e dorës. Artizane e thjeshtë në dukje, me zjarrin e pashuar të dashurisë për Zotin në shpirt, ajo e çoi Krishtin ndërmjet avlemendëve e makinave qepëse, ndërmjet grave, që mund të katandiseshin në viktima të shfrytëzimit e që, përmes saj e motrave të Institutit, që themeloi, gjetën punë, siguri, fe.
Pohoi, në spanjisht, Papa:
“La nueva Santa se non presenta...
Shenjtorja e re na paraqitet si model i përkryer, në të cilin rikumbon puna e Zotit e jehon thirrja drejtuar bijave të saj, Motrave të Shën Jozefit, dhe të gjithë neve, që ta pranojmë dëshminë e saj me gëzimin e Shpirtit Shenjt, pa frikën e zhgënjimit, duke përhapur kudo lajmin e ri të Mbretërisë së Qiellit”.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, me të cilën e përfundoi kremtimin, Benedikti XVI i përshëndeti në pesë gjuhë të ndryshme shtegtarët, që kishin mbushur, sa më s’ zinte, Sheshin e Shën Pjetrit, duke u kujtuar edhe takimin e shumëpritur të së enjtes së ardhshme në Asizi e duke ua besuar ata e takimin, mbrojtjes së Virgjërës Mari:
Ndërmjetësimit të saj ia besojmë edhe Ditën e reflektimit, dialogut e lutjes për paqe e drejtësi në botë: shtegtimin në Asizi, 25 vjet pas atij, mbledhur nga i Lumi Gjon Pali II”.
E duhet kujtuar edhe një ngjarje e kronikës, që ndodhi në fund të kremtimit. Ndërsa ceremonia vijonte akoma, një burrë arriti të ngjitej në kornizën e Lozhës së Zonjave, në të djathtë të Sheshit, për t’u ndalur, pastaj, rrëzë parmakëve. Në këtë pozicion - siç njoftoi më pas drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi – mbeti për një gjysëm ore, derisa përfundoi kremtimi. Tërhoqi, kështu, vëmendjen e të gjithëve e, në vijim, dogji një Bibël. Ishte një njeri me të meta mendore. Duke folur me përgjegjësit e Xhandarmërisë vatikanase dhe me funksionarët e ambasadës rumune, që vrapuan për ta sqaruar ngjarjen, pohoi se kishte disa mesazhe të rëndësishme për t’i komunikuar botës, posaçërisht për luftën kundër terrorizmit. U identifikua menjëherë: ishte nënshtetasi rumun, Julian Jugarean. Pas kësaj ngjarjeje, u mbajt në arrest pranë Xhandarmërisë së Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.