E diel 23 tetor, Kisha kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë
më 23 tetor kalendari kishtar përkujton edhe shën Gjon Kapestranin e shën Severinin.
Po sot Bie Dita Botërore Misionare. Këta shenjtorë na mësojnë se për të sjellë fryte
në këtë botë duhet të arrijmë maturinë e plotë. E për këtë, është e nevojshme të drejtohemi
gjithnjë kah Krishti, për të parë dhuratat, që Zoti i ka dhënë secilit. Të hënën
më 24 tetor kalendari përkujton shën Anton Maria Klaret e shën Luigji Guanella.
Liturgjia e kësaj dite na sjell mësimin e Jezusit i cili na kujton se masa e gjykimit
hyjnor do të jetë e njëjtë me atë që kemi përdorur në jetën tonë për t’i gjykuar të
tjerët. Më martën më 25 tetor kalendari përkujton shën Krispinin e shën
Gaudencin. Liturgjia e ditës na kujton se jeta është dhuratë nga Hyji e nuk na përket
neve. Ne jemi vetëm mbarështues të saj, e kush ta ketë mbarështuar me urti, do të
shpërblehet sipas planit të Zotit, që është burim i dritës, i gëzimit e i shëlbimit.
Të mërkurën më 26 tetor, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Dhimitrin,
martir. Në festën e tij Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen
e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi
me vetë misionin e Jezusit.
Të enjten e ardhshme më 27 tetor, kalendari
kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë. Liturgjia
e ditës na kujton se kush e kërkon Zotin, do të shikojë shëlbimin që vjen prej tij.
Të premten më 28 tetor, sipas kalendarit kishtar do të kremtohet festa
e shenjtorëve Simoni e Juda Tadeu, Apostuj, zëri i të cilëve vijon të përhapet në
mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit.
Të shtunën
që vjen më 29 tetor kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës.
Në këtë ditë liturgjia na kujton sa të mëdha janë veprat e Zotit e na fton t’i kundrojmë
në jetën tonë të përditshme
Të dielën e ardhshme më 30 tetor, Kisha
do të kremtojë të dielën e 31 gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 30 tetor kalendari
kishtar do të përkujtojë festën e shën Gjermanit, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës
na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në udhën dhe dritën e Zotit.