2011-10-22 19:15:50

Papa: pas luftës, për rivendosjen e rendit nuk mjafton vetëm e drejta, por janë të nevojshme pajtimi e falja


Ushtarët le të formohet për të qenë dëshmitarë të Krishtit: kështu u tha Papa Benedikti XVI pjesëmarrësve të Takimit ndërkombëtar për ipeshkvijtë Ordinarë ushtarak, të cilët i priti sot paradite në Vatikan duke pohuar se edhe ushtarët janë të thirrur t’i përgjigjen urdhrit të dashurisë. Ngjarja merr një domethënie të veçantë, pasi që zhvillohet në 25 vjetorin e Kushtetutës apostolike Spirituali militum curae, promulguar nga i Lumi Gjon Pali II mbi ipeshkvijtë Ordinarë ushtarakë. Sot paradite në Kapelën Paoline në Vatikan, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, kremtoi Meshën e Shenjtë për pjesëmarrësit e këtij takimi ndërkombëtar.
Përmasa fetare merr një domethënie të veçantë edhe në jetën e një ushtari”: kjo nënvizohet mes tjerash nga Benedikti XVI në këshillin e tij drejtuar ipeshkvijve Ordinarë ushtarakë për t’u impenjuar në ungjillëzimin e botës ushtarake: “Bëhet fjalë për formimin e krishterëve që ta kenë fenë e thellë e të gjallë, të jetojnë të bindur përmasën fetare në jetë e të jenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit në mjediset e tyre”.
Papa ripohoi që, posaçërisht para sfidës së ungjillëzimit të ri, Kisha është e thirrur t’u japë ushtarëve “asistencën shpirtërore”, që i përgjigjet të gjitha kërkesave e nevojave të një jete të krishterë koherente e misionare”. Për ta arritur këtë cak, vërejti Papa, lypet që ipeshkvijtë dhe meshtarët kapelan ushtarakë të ndjehen “përgjegjës të kumtimit të Ungjillit” kudo që janë të pranishëm ushtarët dhe familjet e tyre. Prandaj, Ati i Shenjtë Ratcinger u tregoi cili duhet të jetë caku drejt të cilit duhet të anojë një ushtar i krishterë:
“Jeta ushtarake e një të krishteri (..) duhet të vihet në marrëdhënie me urdhrin e parë e më të madh të urdhërimeve, atë të dashurisë ndaj Zotit e ndaj të afërmit, sepse ushtari i krishterë është i thirrur të realizon një sintezë në saje të së cilës është e mundur të jesh edhe ushtar për dashuri, duke kryer “misionin e paqes në brendësi të armatës - ministerium pacis inter arma”.
Papa përmendi posaçërisht ata ushtarë që e mishërojnë bamirësinë, duke ndihmuar viktimat e katastrofave, si dhe refugjatët, “duke u vu në disponim e në shërbim të më nevojtarëve e më të ligshtëve me guxim e kompetencë, si dhe gjatë impenjimeve në çminimin e zonave apo në misionet e paqes”.
“Është para syve të të gjithëve – përfundoi Benedikti XVI – fakti se si në shkatërrimet e tmerrshme shkaktuar nga luftërat, dinjiteti i njeriut shpesh fyet e turpërohet e paqja shkatërrohet. E para kësaj gjendjeje, vetëm drejtësia nuk mjafton për të rivendosur drejtpeshimin e humbur; duhet përshkuar udhën e pajtimit e të faljes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.