2011-10-22 19:46:08

Papa ngriti në nderimet e elterit tre shenjtorë të rinj


Ati i Shenjtë Benedikti XVI me 23 tetor kremtoi në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, Meshën për kanonizimin e tre shenjtorëve. Ata janë kryeipeshkvi i Parmës, Guido Maria Conforti, themelues i Shoqërive të Përshpirtshme të Shën Françesk Saverit për Misionet e jashtme; don Luigji Guanela, themelues i Kongregatës së Shërbëtorëve të Bamirësisë e të Institutit të Bijave të Zojës së Provanisë Hyjnore; si edhe Bonifacia Rodrigez De Kastro, themeluese e Kongregatës së Shërbëtoreve të Shën Jozefit. Por le të flasim pak më hollësisht për ta.

Jetëshkrim i Guido Maria Konforti-itGuido Maria Konforti lindi në Ravadeze(Parma, Itali), më 30 mars 1865 e po atë ditë edhe u pagëzua, për të ndjekur, në rritje, rrugën e meshtarisë. Më 1895 themeloi Shoqërinë e Përshpirtshme të Shën Françesk Saverit, në shërbim të misioneve të jashtme. “Misionarët Saverianë” nisën të shpërndahen në të katër anët e botës, për ungjillëzimin e njerëzve, që nuk e njihnin Krishtin. Katër vjet më pas nisi dy sivëllezërit e parë drejt Kinës. Drejtoi, në vijim, dioqezat e Ravenës e të Parmës, deri në vitin 1928, kur u nis edhe ai vetë në Kinë, për të vizituar misionarët saverianë. Jeta e tij qe rendje e vazhdueshme në shërbim të Ungjillit: hapi shkolla, përgatiti katekistë, kremtoi Javën e parë katekistike në Itali, vizitoi katër herë të gjitha famullitë, që i qenë besuar, kremtoi dy sinode dioqezane, mori pjesë në disa kongrese eukaristike, drejtoi shtypin katolik, misionet në gjirin e popullit, formimin e klerit e të laikëve.
Fjeti në Tënzonë më 5 nëntor 1931, duke lënë pas famën e virtyteve e jehonën e dy mrekullive, bërë me ndërmjetësimin e tij në Burundi e në Brazil,
Na kujton se të ecësh në rrugën e shenjtërisë, do të thotë të bësh, thjeshtësisht e përvujtërisht, vullnetin e Zotit në çdo çast të jetës, me zell të zjarrtë për shpëtimin e të gjithë njerëzve, sepse – sipas fjalëve të tij - ipeshkvi nuk shugurohet vetëm për një dioqezë, por për shëlbimin e mbarë botës.
U shpall i Lum nga Gjon Pali II më 17 mars 1996, Shenjt, sot, nga Benedikti XVI.
Jetëshkrim i don Luigji Guanelës
Jeta e Luigji Guanelës mund të përshkruhet me mijëra faqe, por edhe të përmblidhet me dy fjalë: “Ishte gjithnjë atje, ku dëgjohej një britmë, që kërkonte ndihmë e mbështetje”. I lindur më 19 dhjetor 1842, u pagëzua një ditë më pas nga prindërit, bujq e katolikë të mirë, që u pëlqente ta kalonin kohën e lirë duke thënë Rruzaren e duke lexuar jetë shenjtorësh. Nga ky mjedis doli don Guanela, i shuguruar meshtar në vitin 1866; i lidhur ngusht me don Boskon; themelues i dy Kongregatave, “Shtëpisë së Motrave të Provanisë Hyjnore” dhe “ Shërbëtorëve të Marisë”; ndërtues i Kishës kushtuar Vdekjes së Shën Jozefit, me porosinë e Piut X; atë shpirtëror i emigrantëve italianë në SHBA, më 1912; i bashkatdhetarëve në llogoret e Luftës I Botërore më 1913 e i të dëmtuarve abrucezë nga tërmeti, më 1915.
Duke u ngjitur në nderimet e elterit, na kujton mesazhin: “ Vdekja është si nëna, që përqafon fëmijën; është engjëlli, që na çon në atdhe”.Ky engjëll erdhi ta merrte për dore të dielën, më 24 tetor 1915. Ishte një e diele pa perëndim!
Jetëshkrim i Bonifacia Rodriguez de Kastro.Lindi në Salamankë të Spanjës, më 6 qershor 1837. Jetoi urdhërimet e Tënzot me përkushtim të plotë, duke ua dhuruar jetën vëllezërve, më të varfërve sidomos.
Mbetet dëshmitare e vlerave të mëdha ungjillore.
Zotin e deshi si Atë. U lëshua në prehër të tij pa asnjë kusht. Pa kurrfarë frike. Kjo fe e fortë e bëri të pathyeshme përballë kundërshtimeve, që nuk i munguan.
I fali e i harroi të keqen, përbuzjen, shpifjet, padrejtësitë.
Nuk u ankua kurrë, e lume pse kështu përsëriste Zotin, që vuajti, duke heshtur e i fali ata, që e kryqëzonin.
Nënë e mësuese e grave, të cilat i kujdesi si beben e syrit, ngriti Institutin në mbrojtje të punëtoreve, duke mbetur gjithë jetën mjeshtre për punimin e gajtanave.
Diti të vuajë me pjekurinë e njeriut, që është i bindur se s’ka gjë që nuk vjen nga Zoti. Mbeti gjithnjë e njëjtë nëpër ndryshime: e mirë, e ëmbël, e butë. Shqetësohej vetëm për një gjë: “Të ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit”.
Nuk la pas vepra të mëdha, por jeta e saj vijon të na mësojë si duhet ecur mbi gjurmët e Krishtit.Mbylli sytë për dritën e kësaj jete në Zamora, më 8 gusht 1905. Po misioni i saj nuk ka përfunduar: vijon t’i lutet Zotit për dinjitetin e të gjitha grave punëtore të botës!







All the contents on this site are copyrighted ©.