2011-10-22 17:19:46

Atë Federiko Lombardi: “Viti i fesë” një nismë karakterizuese e kësaj papnie


Javën e kaluar, Papa Benedikti XVI shpalli Vitin e Fesë. Në Letrën Apostolike “Porta Fidei”, Ati i Shenjtë i fton katolikët të vihen për udhë drejt Jezu Krishtit. Porta e fesë – shkruan Papa – është gjithnjë e hapur edhe për ata njerëz, të cilët, megjithëse nuk e kanë dhuratën e fesë, janë në kërkim të vazhdueshëm e të sinqertë të kuptimit të jetës. Viti i Fesë do të fillojë më 11 tetor 2012 dhe do të përfundojë më 24 nëntor 2013. Editoriali i sotëm i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, i kushtohet pikërisht këtij argumenti:
“Viti i fesë, i cili u shpall gjatë ditëve të kaluara nga Papa, duhet të konsiderohet një nga nismat karakterizuese të kësaj papnie. Ashtu si shkruhet në letrën përkatëse, që në frazat e fillimit, kujtesa shkon menjëherë në fjalimin e parë të Papës së ri në Kapelën Sikstina, në paraditen pas zgjedhjes, kur pohonte “nevojën për të rizbuluar rrugën e fesë e për të vënë në dukje gjithnjë e më qartë gëzimin e entuziazmin e rinovuar të takimit me Krishtin”. E shkon më pas edhe në frymëzimin, që ishte në qendër të të gjitha fjalimeve gjatë udhëtimit të fundit në Gjermani e në themelimin e Dikasterit për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.
Me intuitën e tij frytdhënëse, Papa e lidh ngushtë Vitin e fesë me 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit. Ndërsa Koncili vazhdon të jetë objekt diskutimesh, na duket e drejtë që leximi e interpretimi i trashëgimisë së tij të pasur, zbatimi i tij në praktikë nga i gjithë populli i Zotit në përmasat e ndryshme, të vazhdojë të udhëhiqet me mençuri nga Papa, ashtu si edhe është thirrur e udhëhequr nga Papët që në fillim, duke shërbyer si “busull” për rrugën e Kishës.
Por, Benedikti XVI kujton edhe 20-vjetorin e publikimit të “Katekizmit të Kishës Katolike”, vepër e një guximi të pabesueshëm, dashur me forcë nga Gjon Pali II si besnikëri ndaj Koncilit, për ta shpallur sot fenë sa më plotë, sa më qartë e sa më mirë të jetë e mundur. Pikë referimi e çmuar, që kardinali Racinger i atëhershëm e njeh fort mirë, pasi ka pasur rol vendimtar në të.
Por Viti do të jetë sidomos një etapë e re në një histori, në atë rrugë të gjallë, që vjen nga larg, që nga krijimi i botës, nga Abrahami e Moisiu, nga Davidi e profetët, nga ai “numër i madh dëshmitarësh”, për të cilët flet Letra drejtuar Hebrenjve (kap. 11-12), në vazhdën e të cilëve vepruan Maria, apostujt, martirët e shenjtorët. Në këtë rrugë, Papa na thërret edhe ne, e na këshillon “ta mbajmë gjithnjë vështrimin të ngulur tek Jezusi, autor e perfeksionues i fesë” (Heb 12,2). E ç’gjë më të rëndësishme se kjo duhet të na thotë bariu i Popullit të Zotit në udhë?”







All the contents on this site are copyrighted ©.