2011-10-22 19:45:08

140-vjetori i lindjes së poetit të madh, atë Gjergj Fishtës


Me 23 tetor përkujtohet 140-vjetori i lindjes së poetit të madh shqiptar françeskan, atë Gjergj Fishta. Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë hapet nesër një ekspozitë me fonde të rralla nga jeta dhe vepra e tij. Ndërkaq, po punohet për vënien në skenë të njërës prej dramave të Fishtës.

Pikërisht në Fishtë, fshati i tij i lindjes pranë Lezhës, u organizua sot aktiviteti përkujtimor me një frazë marrë nga “Mrizi i Zanave” e shndërruar për rastin: “Mblidhuni toskë e mblidhuni gegë bashkë si kokrrat në shegë”. Këto ditë është mbajtur në Qendrës e Studimeve Albanologjike në Tiranë, një konferencë për gjuhën shqipe, ku është folur gjerësisht për kontributin e Fishtës.

Në Kosovë, Shtëpia Botuese “Nositi” ka nxjerrë nga shtypi librin “At Gjergj Fishta”, ku përfshihen shkrime e studime të autorëve të njohur të kohës së françeskanit të madh. Është ribotim i materialeve të vitit 1943, realizuar nën kujdesin e atë Benedikt Demës. Libri ndahet në katër pjesë: “Fishta si njeri, Fishta si letrar, Fishta në vdekje dhe pas saj, si edhe pjesë e studimeve dhe e gjykimeve mbi krijimtarinë e tij nga shkrimtarë të vendit e të huaj. Ndër këta të fundit, atë Marin Sirdani, atë Anton Harapi, Mark Ndoja, Sterjo Spasse, Jolanda Kodra etj.. Botimi është bërë i mundur me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës dhe të françeskanëve të Gjakovës.

Ndërkaq, Fishta zbarkon edhe në Facebook. Gjithnjë në 140-vjetorin e lindjes së poetit të madh, Fletorja “Shqiptaria” organizon konkursin letrar “Pinjollët e Gjergj Fishtës”. Dy krijime të reja, në poezi e në prozë, do të votohen nga përdoruesit e Facebook-ut dhe do të publikohen, gjithnjë në këtë rrjet shoqëror, më 28 tetor.







All the contents on this site are copyrighted ©.