Me 21 tetor kalendari përkujton shën Gasprin e Bufalos
Shën Gaspri i Bufalos lindi në Romë më 6 janar 1786, e që i vogël iu kushtua lutjes
e pendesës. I ati ishte kuzhinier i princit Altieri; e ëma merrej me punët e familjes.
Ishe ajo që i dha të birit një edukatë të vërtetë të krishterë. I shuguruar meshtar
më 31 korrik 1808, u specializua në ungjillëzimin e karrocierëve e të banorëve të
katundeve romake. U dënua me internim, sepse nuk pranoi të betohej për besnikëri ndaj
Napoleonit e kaloi katër vjet në burgjet e Bolonjës, Imolës e Korsikës. Fatin
e tij e pati më pas vetë perandori francez, që u internua në Ishullin e Shën Helenes,
ku edhe vdiq. Ndërsa shenjti i ardhshëm u kthye në Romë, ku Papa Piu VII i besoi detyrën
të përshkonte Italinë duke predikuar e duke iu kushtuar posaçërisht misioneve popullore.
Tepër i devotshëm i Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit, më 15 gusht 1815 themeloi
Kongregatën e Misionarëve të Gjakut të Krishtit. Rregulltarët e këtij urdhri i kushtohen
predikimit dhe mësimdhënies. Në vitin 1834, së bashku me Marinë de Matia, themeloi
degën femërore të Kongregatës: “Motrat e adhurimit të Gjakut të paçmueshëm të Jezu
Krishtit”. Vdiq në Romë më 28 dhjetor 1837. U shpall shenjt nga Papa Piu XII më 12
qershor 1954.