2011-10-21 15:40:13

Deklaratë e Sallës vatikanase të Shtypit: Selia e Shenjtë e Libia, pas vdekjes së kolonelit Gedafi


Lajmi i vdekjes së kolonelit Muhamar Gedafi i jep fund fazës së gjatë e tragjike të luftës gjakatare për shembjen e një regjimi të egër e shtypës”: këtë nënvizon një notë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, botuar mbrëmë, pas lajmit mbi vdekjen e kreut libian.

Kjo ngjarje dramatike – pohohet në tekst – kërkon përsëri reflektim mbi çmimin e pallogaritshëm të vuajtjes njerëzore, që shoqëron ngritjen e rënien e çdo sistemi, i cili nuk bazohet mbi respektin edhe dinjitetin e njeriut, sepse vlerëson, mbi gjithçka, vetëm ruajtjen e pushtetit. Duhet uruar, prandaj, që duke i kursyer popullit libian akte të tjera dhune, të cilat mund të vijojnë për shkak të frymës së rivalitetit a të hakmarrjes, qeveritarët e rinj të nisin menjëherë veprimtarinë e paqëtimit e të rindërtimit, me frymën e përfshirjes të të gjithëve, mbi bazën e tagrit e të drejtësisë; e duhet uruar edhe që bashkësia ndërkombëtare të impenjohet për të ndihmuar bujarisht në rindërtimin e vendit. Përsa i përket bashkësisë së vogël katolike, ajo do të vijojë të japë dëshminë e vet të posaçme në fushën e bamirësisë e të mbrojtjes së shëndetit; ndërsa Selia e Shenjtë do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, me frymën e promovimit të drejtësisë e të paqes.
Deklarata vatikanase kujton se, sipas praktikës së përhershme, Selia e Shenjtë, kur lidh marrëdhënie diplomatike, njeh Shtetet, jo qeveritë. Prandaj Selia e Shenjtë nuk ka proceduar me një njohje formale të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit (CNT) si qeveri e Libisë. Në pritje që CNT të marrë përfundimisht në dorë drejtimin e vendit si Qeveri e Tripolit, Selia e Shenjtë e konsideron përfaqësues të popullit libian, në përkim me të drejtën ndërkombëtare.

Selia e Shenjtë – kujtohet në notë – ka pasur tashmë disa kontakte me autoritetet e reja të Libisë. Në radhë të parë, Sekretaria e Shtetit, që përgjigjet për marrëdhëniet diplomatike të Selisë së Shenjtë, ka pasur kontakte me Ambasadën e Libisë pranë kësaj Selie, pas ndryshimeve politike në Tripoli. Gjatë pjesëmarrjes, kohët e fundit, në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, sekretari për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mamberti, pati mundësi të bisedojë me përfaqësuesin e përhershëm të Libisë pranë OKB-së, Abdurrahman M. Shalgham. E, pak ditë më parë, nunci apostolik në Libi, imzot Tomazo Kaputo, me seli në Maltë, shkoi në Tripoli për një vizitë triditore (nga 2 deri më 4 tetor). Gjatë kësaj vizite, u takua me kryeministrin e CNT, doktor Mahmud Xhibril. Imzot Kaputo u prit edhe në ministrinë e punëve të jashtme.

Me rastin e këtyre takimeve – vijon nota e Sallës vatikanase të Shtypit – u nënvizua nga të dyja palët rëndësia e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Libisë. Selia e Shenjtë pati rastin të ripohojë dëshirën për ta ndihmuar popullin libian e për ta mbështetur tranzicionin e tij. Selia e Shenjtë u uroi autoriteteve të reja suksese në ndërtimin e vendit.
Nga ana e tyre, drejtuesit e Libisë së re – përfundon nota – komunikuan se i vlerësojnë thirrjet e Atit të Shenjtë si dhe impenjimin e Kishës në Libi, posaçërisht, shërbimin në spitale e në qendra të tjera të asistencës të 13 bashkësive rregulltare (6 në Tripolitani, 7 në Cirenaikë).







All the contents on this site are copyrighted ©.