2011-10-21 17:40:36

Benedikti XVI ambasadorit të Vendeve të Ulëta: forca e Kishës nuk bazohet mbi llogaritë, as mbi interesat, por mbi besimin në Krishtin.


“Forca e çarmatosur e parimeve, që burojnë nga besimi i saj në Krishtin. Kjo është baza e autoritetit të Kishës në arenën ndërkombëtare”.
Benedikti XVI e ripohoi këtë, në audiencën me ambasadorin e ri të Vendeve të Ulëta pranë Selisë së Shenjtë, Jozef Weterings, të cilin e priti sot paradite në Vatikan, për paraqitjen e letrave kredenciale. Papa i vlerësoi lart përpjekjet e autoriteteve holandeze në mbrojtje të lirisë së besimit, që – siç theksoi Shenjtëria e Tij – kërcënohet seriozisht nga mendësia e përhapur antifetare, edhe në ato kombe, ku mbrohet me ligj.

I lirë nga çdo llogari, që ka të bëjë me grumbullimin e votave, e edhe nga nënshtrimi që krijon paraja në marrëdhëniet ndërmjet shteteve të varfëra me ato të pasura, ndikimi i Selisë së Shenjtë në botë fluturon shumë më lart. Me flatrat e lajmit të Ungjillit e të vlerave të krishetra, ndikon kudo në jetën e njeriut, posaçërisht të atij që është më i varfër, më i ligësht. Kisha e ka jetuar e vijon ta jetojë kështu misionin e saj, edhe pse ndokush, për dobësi, e tradhton.
Me guximin e transparencën, që e karakterizon gjithë papninë e tij, Benedikti XVI e nisi fjalimin drejtuar ambasadorit të ri holandez, akredituar pranë Vatikanit, me një konstatim, që nënvizohet shpesh në rrethana të tilla. Selia e Shenjtë – pohoi - nuk është fuqi ekonomike, e as ushtarake:
“Its contribution to international diplomacy…
Kontributi i saj në diplomacinë ndërkombëtare qëndron kryesisht në përkujtimin e parimeve etike, që do të duhej të mbronin rendin shoqëror e politik, si dhe në tërheqjen e vëmendjes mbi nevojën e ndërhyrjes për të parandaluar shkeljen e këtyre parimeve. Prej këndej, dialogu diplomatik, në të cilin impenjohet Selia e Shenjtë, nuk zhvillohet as në mënyrë konfesionale, e as për arsye pragmatike, por mbi bazën e parimeve universalisht të praktikueshme, reale, në përkim me elementet fizike të mjedisit natyror”.
Zëri i Kishës, e në veçanti i Selisë së Shenjtë – vijoi Benedikti XVI – është zëri i fortë i atij që nuk mund të dëgjohet, sepse i pambrojtur, i varfër, i sëmurë, i moshuar, përfaqësues i pakicave ose, ende i palindur. Kisha – theksoi me forcë Papa - kërkon gjithnjë të mbrojë drejtësinë natyrore, detyrë kjo, dhe drejtë e saj. Prej këndej, Ati i Shenjtë shtoi:
While recognizing with humility…
Ndonëse pranon përvujtërisht se anëtarët e saj nuk janë gjithnjë në lartësinë e detyrave fisnike morale, që ajo propozon, Kisha nuk mund të bëjë tjetër, veçse të vijojë t’i nxisë të gjithë njerëzit, përfshirë edhe anëtarët e saj, të bëjnë gjithçka është në përkim me drejtësinë e t’i kundërvihen çdo gjëje që është në kundërshtim me të”.
Pastaj, duke e përqendruar fjalimin në situatën e Vendeve të Ulëta, Benedikti XVI nënvizoi një fragment nga fjalimi i diplomatit holandez, që pak më parë kishte folur për nevojën e rivendosjes së paqes globale, përmes zgjidhjes së konflikteve dhe kundërshtimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Për t’u vlerësuar – pohoi Papa - edhe theksi që vuri ambasadori mbi nevojën për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Duke kujtuar veprimtarinë e qeverisë holandeze kundër drogës e prostitucionit, Benedikti XVI vërejti se liria e njerëzve për të zgjedhur rrugën që u pëlqen, e mbështetur gjithnjë nga Holanda, balancohet me vetëdijen se rrugët e zgjedhura nuk duhet ta dëmtojnë atë që i zgjedh, e aq më pak, të tjerët, gjithnjë në të mirë të shoqërisë.
Papa vuri në dukje, me kënaqësi, edhe veprimtarinë e qeverisë holandeze në mbrojtje të lirisë fesë:
“As you know, is a matter…Siç e dini, është çështje që, në këtë çast, i intereson posaçërisht Selisë së Shenjtë. E kjo, sepse kërcënohet jo vetëm nga detyrime ligjore, në disa vende të botës, por edhe nga mendësia anti-fetare në gjirin e disa shoqërive, edhe në ato ku liria fetare gëzon mbrojtjen me ligj. I urojmë, prandaj, qeverisë suaj, të përkujdeset që liria e fesë dhe liria e kultit të vijojnë të mbrohen e të promovohen, si në atdhe, ashtu edhe jashtë tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.