2011-10-21 19:09:49

20 vjetori marrëdhënieve Vatikan-Shqipëri, kardinali Sodano kujtoi persekutimin e komunizmit e përtëritjen shpirtërore të kombit


Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë shënoi 20 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë. Tingujt e këngëve të murgjërve benediktinë, i lartoheshin Zotit në lavde falënderimi në abacinë e Shën Anselmit në Romë, ku Ambasadori Rrok Logu organizoi kremtimin e Jubileut, një kornize madhështore që priti mysafirët e lartë e shumë shqiptarë, që morën pjesë në kremtimin e djeshëm në Aventin.

Qe dekani i Kolegjit Kardinalor, Angjelo Sodano, ai që kryesoi Meshën e falenderimit, në bashkëkremtim me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirditën, ipeshkvin e Sapës, imzot Lucian Avgostinin, Nuncin e parë Apostolik në Shqipëri, kardinalin Ivan Dias e meshtarë të tjerë.

Qeveria e Tiranës përfaqësohej nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i cili sot, u takua edhe me kreun e dikasterit vatikanas për Kulturën, kardinalin Xhanfranko Ravazi dhe me përfaqësues të Veprës Romake të Shtegtimeve.

Gjatë homelisë së Meshës së djeshme, kardinali Sodano kujtoi vuajtjet e persekutimin e katolikëve e të krejt popullit shqiptar nën regjimin komunist dhe theksoi rëndësinë e përtëritjes shpirtërore të kombit, në vitet e demokracisë.

Në fund të meshës, foli ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, z. Rrok Logu, të cilit i takon merita e organizimit, dhe ministri Aldo Bumçi, i cili në mikrofonin e don David Gjugjës, përmbledh shkurtimisht fjalimin e tij…........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.