Me 20 tetor kalendari përkujton shën Irenën e Portugalisë.
Në kalendarin e Kishës katolike shënohen disa shenjtore me emrin Irenë, emër që tingëllon
bukur e ka edhe kuptim të bukur. Vjen nga greqishtja e do të thotë ‘paqe’. Shën Irena,
martire që Kisha katolike kremton sot, është një nga më të njohurat, falë sidomos
një gojëdhëne shumë prekëse e shumë popullore në vende të ndryshme të botës, ndonëse
tingëllon si e pabesueshme. Gojëdhëna tregon se Irena, e lindur në Portugali
aty nga gjysma e shekullit VI, qe rregulltare në një kuvend virgjërash kushtuar Zotit.
Ndonëse e thjeshtë e kokulur, ajo spikaste ndërmjet simotrave për bukurinë e rrallë
të fytyrës e të trupit. Duke e soditur në Kishë, një i ri fisnik i vendit u dashurua
çmendurisht me vajzën dhe bëri çmos të martohej me të. Irena i la të kuptojë se kjo
ishte e pamundur, e jo pse e përbuzte, as pse nuk i pëlqente, por sepse kishe bërë
një betim shumë më të lartë, të cilit duhet t’i qëndronte besnike. Si mori këtë përgjigje,
djaloshi, sinqerisht i dashuruar, u dëshpërua aq, sa u sëmur rëndë. E prekur thellë
nga ndjenja e dashurisë së krishterë, Irena shkoi ta vizitojë e i foli fjalë aq të
frymëzuara, sa t’ia lehtësonte sëmundjen. E ai më pas u shërua plotësisht. Por
historia nuk mbaron me kaq. Një meshtar, rrëfyes i padenjë, i turbulluar nga bukuria
e murgeshës së re, deshi ta bënte për vete pendestaren e tij. Si nuk ia doli mbanësh,
sendërgjoi një hakmarrje të tmerrshme. I dha vajzës një pije misterioze. Pak ditë
më pas, të gjithë nisën të shohin në trupin e saj të bukur, shenjat e shtatzënisë.
Shkandulli mori dhen. I ra në vesh edhe djaloshit që i kishte kërkuar dorën e
ai u zemërua aq, sa dërgoi një vrasës për t’ia marrë jetën, të cilën, sipas tij, nuk
e meritonte, si gënjeshtare e pacipë që ishte. Vrasësi ia preu Irenës kokën, ndërsa
trupin ia flaku në ujërat e një lumi. Rryma e mbarti trupin e Irenës deri në Tago,
pastaj e bëri të ndalohej pranë qytetit Skalabis, ku jetonte xhaxhai i shenjtores,
abat. I lajmuar në vegim për ngjarjen, Abati shkoi me procesion për të mbartur trupin
e së vrarës. Nuk qe aspak e vështirë të vërtetohej pafajësia e rregulltares së
bukur, fajtore pa faj, martire e pastërtisë shpirtërore e fizike. Fundi i saj preku
thellë gjithë qytetin, aq sa banorët vendosën t’ia ndërrojnë emrin, duke e quajtur
Santarem, domethënë Shën Irenë. E thamë më sipër se kjo mbetet gojëdhënë pak e besueshme,
gjithsesi populli e ruajti nga breznia në brezni për t’i thurë lavde virtytit të pastërtisë
e të besnikërisë deri në vdekje ndaj premtimit të bërë para Zotit në elter, që vlen
më shumë se jeta.