2011-10-19 15:37:13

Kardinali De Paolis për vizitën apostolike në Lëvizjen “Regnum Christi”: duhen reflektime e ndryshime


Gjykim në thelb pozitiv, por me pika, që kanë nevojë për sqarim e reflektim. Me këto fjalë, kardinali Velasio De Paolis bën bilancin e vizitës apostolike pranë anëtarëve të shuguruar të “Regnum Christi”, lëvizjes laikale, e cila ka të njëjtën karizëm me Legjionarët e Krishtit.
Në një letër, dërguar të dyja institucioneve kishtare, prelati i referohet vizitës, që bëri pranë kësaj Lëvizjeje, kryeipeshkvi i Valadolidit, imzot Rikardo Blaskéz, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Që në fillim, ai vë në dukje se të shuguruarit e “Regnum Christi” e jetojnë me gëzim jetën e tyre në bashkim me Zotin. Gjithsesi ka aspekte, që duhen thelluar e rimenduar, për të cilat, kardinali përcakton katër dispozita.
Së pari, përgatitja e anëtarëve të Lëvizjes do të bëhet nën përgjegjësinë e delegatit papnor e të këshilltarëve të tij personalë. Së dyti, Eprori i përgjithshëm i Legjionarëve të Krishtit do të vazhdojë të jetë përgjegjës për personat e shuguruar të “Regnum Christi”, por vendimet me rëndësi, në veçanti pranimin e personave të rinj, transferimet, emërimet, ose anullimi i premtimeve, duhet të merren me miratimin e delegatit papnor, pasi të dëgjohet mendimi i asistentit të përgjithshëm të të shuguruarve. Pika e tretë sanksionon pezullimin nga detyra të meshtarit të deleguar nga drejtori i përgjithshëm e nga drejtorët territorialë për të shuguruarat. Funksionet e tij u kalojnë asistentëve të përgjithshëm, të ndihmuar nga tre këshilltarë.
Në pikën e katërt e të fundit flitet për çështjet e lidhura me Sakramentin e Pendesës, me udhëheqjen shpirtërore, me korrespondencën dhe me përdorimin e internetit. Si për anëtarët e Lëvizjes “Regnum Christi”, ashtu edhe për Legjionarët e Krishtit, vlejnë të njëjtat rregulla. Në veçanti, për Sakramentin e Pendesës, u njihet atyre e drejta të zgjedhin lirisht rrëfyesin e atin shpirtëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.