2011-10-19 17:24:36

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: shpesh herë njeriu e harron mëshirën e Zotit, e cila vlen për amshim.


Në audiencën e sotme të përgjithshme, Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin Psalmit 136/135, sipas numërimit greko-latin. Psalmi kremton Zotin në shprehjet e përsëritura, të pambaruara, të mirësisë së tij. I njohur me emrin “Halleli i madh”, përshkon etapat kryesore të historisë së shëlbimit, deri tek misteri i Pashkëve, në të cilin vepra shëlbuese e Hyjit arrin pikën kulmore.

Arkitrau i Psalmit është kujtesa e popullit të Izraelit për mëshirën e Zotit, pavarësisht nga periudhat e errësirës e të mundimeve. Mëshira e Zotit – nënvizoi Papa – vlen në amshim.
E kjo është e rëndësishme edhe për ne, ta ruajmë në kujtesë mirësinë e Zotit. Kujtesa bëhet forcë e shpresës, kujtesa na thotë: Zoti është, Zoti është i mirë, e amshuar është mëshira e tij. E kështu kujtesa hap, edhe në errësirën e një dite, të një kohe, rrugën kah ardhmëria; është dritë, është yll, është prijëse”.
Mirësinë e Zotit e shikojmë qartë edhe në historinë e Kishës, madje edhe në ato faqe, në të cilat të duket sikur errësira e mund dritën:
“E, ashtu si në historinë e përbashkët, kolektive, është e pranishme kjo kujtesë e mirësisë së Zotit, që na ndihmon e bëhet yll i shpresës, kështu edhe secili nga ne ka historinë e vet personale të shëlbimit. Duhet ta çmojmë këtë histori! Duhet ta kemi gjithnjë parasysh kujtimin e gjërave të mëdha, që bën Zoti edhe në jetën tonë, sepse kjo kujtesë na ngjall e na ruan besimin se mëshira e tij është e amshuar. E në se sot jemi të rrethuar nga nata e errët, nesër ai do të na çlirojë, sepse mëshira e tij është e amshuar”.
Një, është lajtmotivi, që e përshkon dhe e bashkon gjithë Psalmin: dashuria e pasosur e Zotit, plot me besnikëri, me mëshirë, mirësi, hir, ëmbëlsi, butësi. Shprehja e parë e kësaj dashurie, sipas Psalmit, është krijimi:
“Bota e krijuar nuk është thjesht skenë, mbi të cilën vendoset vepra shëlbuese e Hyjit, por është vetë zanafilla e kësaj vepre të mrekullueshme. Në Krijim, Zoti shpalos gjithë mirësinë, gjithë e bukurinë e vet, merret vesh me jetën, duke shprehur dëshirën e pacak për të bërë mirë. E pikërisht nga kjo dëshirë buron çdo vepër tjetër e shëlbimit”.
Psalmi ndalohet, pastaj, tek dalja e popullit të Izraelit nga robëria egjiptiane, tek çlirimi nga skllavëria. Figura e Detit të Kuq, ndarë më dysh – shpjegoi Papa - duket sikur të kujton idenë e detit, parë si përbindësh i madh, që ndahet dy copash, për t’ u bërë, kështu, i parrezikshëm:
“Pushteti i Zotit fiton mbi forcat e errëta të natyrës, e edhe mbi forcat ushtarake, organizuar nga njerëzit: deti, që dukej se do t’ia priste rrugën popullit të Zotit, ndahet dysh, e lë Izraelin të kalojë mbi tokë të thatë e pastaj mbyllet përsëri mbi egjiptianët, duke i përlarë, kuaj e kalorës”.
Një nga tiparet dalluese të Zotit - kujtoi Papa – është dëshira e përhershme për të dhuruar. E në sa sintetizohen një pas një mrekullitë e mëdha të Hyjit, Psalmisti arrin në çastin e dhuratës së fundit, tokës:
Në kremtimin e dashurisë së amshuar të Zotit, kujtohet tani dhurata e tokës, dhuratë që populli do ta marrë, por pa mundur kurrë ta bëjë plotësisht të vetën, duke jetuar vazhdimisht mbi të si mik plot mirënjohje”.
Zoti dhuron e dhuron, ndërsa njeriu harron e harron. Po Zoti nuk heq kurrë dorë nga besnikëria e tij: kujtesa e Hyjit është peshtafi i çmuar, ku ruhet gjithë ajo dashuri, e kënduar në Psalm. Zoti, i cili krijoi qiellin e tokën e dritat e mëdha qiellore – përfundoi Papa – është Hyji, që e mbush gjithësinë me praninë e tij, me mirësinë e tij; është Zoti, që na jep jetën e përditshme, duke na dhuruar bukën. E, në sa na dhuron ‘Bukën e jetës’, Eukaristinë, që na shoqëron gjatë gjithë udhës sonë si besimtarë, na bën të shijojmë që mbi tokë, gëzimin përfundimtar të gostisë mesianike, qiellore”.

Në përshëndetjen drejtuar besimtarëve sllovakë, Benedikti XVI kujtoi se të dielën e ardhshme do të kremtohet Dita Misionare Botërore. Është ftesë për ta përtërirë bashkëpunimin tonë aktiv në veprat misionare të Kishës,.
Duke përshëndetur, më në fund, të sëmurët, të sapomartuarit dhe të rinjtë, posaçërisht të sapokrezmuarit e dioqezës së Faenca-Modiljanës, kryesuar nga imzot Klaudio Stanji, Papa u ndalua posaçërisht tek figura e Shën Lukës ungjilltar, kujtimi liturgjik i të cilit u festua dje nga Kisha.
“Dashuria e tij për të sëmurët, ju ndihmoftë ju, që keni humbur shëndetin, ta pranoni vuajtjen në bashkim me Mësuesin Hyjnor; ju inkurajoftë, ju, çifte të reja, ta jetoni përsosurisht Sakramentin e martesës, e ju nxitët ju, të rinj, ta bëni gjithnjë më shumë tuajën Fjalën e shëlbimit, për t’ua dëshmuar, pastaj, me gëzim, bashkëmoshtarëve tuaj”.









All the contents on this site are copyrighted ©.