“Oborri i paganëve” arrin në Firence: jemi të thirrur të ballafaqohemi me çdo formë
të ateizmit.
Nismë e re e “Oborrit të paganëve”, struktura e dialogut ndërmjet besimtarëve e jo
besimtarëve, organizuar nga Këshilli i Papnor i Kulturës. Këto ditë, në Pallatin e
Vjetër të Firences, u mblodhën intelektualë të shtresave të ndryshme kulturore, që
folën për artin e fenë. Kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i dikasterit,
mbajti fjalën e hapjes. Pikërisht Hirësia e Tij bën një bilanç të shkurtër të takimeve
të para të “Oborrit të paganëve”:
Përgjigje: - Në se duam
të bëjmë një bilanc, mund të themi se nga rrënja fillestare, nga burimi i Parisit,
patëm një lloj rritjeje, të cilën as ne vetë nuk arrijmë ta kontrollojmë, sepse jemi
të ftuar vazhdimisht nga institucione të ndryshme, e duhet thënë se është kuptimplote
që pjesa më e madhe janë institucione të ashtuquajtura laike, jo drejtpërdrejtë kishtare.
Na ftojnë të ndërhyjmë për ta rikrijuar këtë ngjarje të madhe, edhe në forma të ndryshme.
Ftohemi të flasim, sipas temave, që ndryshojnë vazhdimisht. Për shembull, flitet për
artin, por edhe për shkencën. Pastaj për drejtësinë, shoqërinë, ekonominë e deri për
bioetikën, mjekësinë e përshpirtërinë. Kemi, prandaj, një spekter të vërtetë shumëngjyrësh,
një ylber tematik, që na propozohet nga këto qendra e institucione të ndryshme, të
cilat përfshijnë mbarë Evropën. Mjafton të kujtojmë se javën e kaluar ishim në Rumani,
në Bukuresht; do të shkojmë, pastaj, në Barcelonë, në Stokholm, në Tiranë, në Palermo
e në Marsejë. E më pas, si t’i kemi mbuluar këto horizonte evropiane, kjo pemë do
të vijojë ta zgjërojë gjethimin e sigurisht do të përfshijë nën hijen e saj edhe SHBA,
Kanadanë, Amerikën Latine.
Pyetje: - Kardinali Ravazi, si organizohen
takimet e “Oborrit të paganëve”? E, a mund të na flisni në mënyrë të posaçme për ndonjerin
prej tyre?
Përgjigje: - Do të thosha se nisin para së gjithash
me organizimin e një dite nga ana e institucioneve – Universitete, Akademi, nganjëherë
edhe nga vetë Kisha lokale – e, në një çast të dytë, hyjmë ne, e hyjmë me dijen tonë,
me pyetjet e propozimet tona, me përzgjedhjen e me sugjerimet për kandidatët, ndërsa
unë nuk ndërhyj, përveçse me një lloj hyrjeje nga ana ime, edhe në mjediset krejtësisht
laike. Ky është pak a shumë mekanizmi. Pastaj punohet për botimin e akteve. Përsa
i përket Italisë, kemi tashmë një kolanë me dy vëllime, një kolanë të shtypur nga
Donzelli Editore. Sipas meje, ishte domethënës qyteti i Firences, sepse vend arti,
vend estetike e një nga vendet, ku ballafaqimi ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve
qe shumë i lehtë, e edhe i frytshëm, në një botë ku ka shumë shëmtim e, edhe shëmtim
moral. Prej këndej, do të shërbejë për t’u rikthyer tek dinjiteti, tek fisnikëria
e reflektimit të lartë edhe tek kërkimi në horizontin e artit. Dëshiroj të kujtoj
edhe përvojën e Tiranës, praninë tonë në një shtet, i cili qe
shpallur me Kushtetutë ateist – i vetmi shtet i tillë në botë. Organizatori kryesor
i këtij takimi është ai, që drejtonte e drejton edhe sot e kësaj dite katedrën e
filozofisë pranë Universitetit të Tiranës, katolik e profesor edhe i lëndëve gati-gati
teologjike. Nga ana tjetër, është Barcelona, që po mobilizon të gjitha
energjitë e dhe të gjitha universitetet, rrjetin e gjashtë universiteteve të veta:
të gjitha do të përfshihen në këtë ngjarje e në çastet e larmishme të saj, me akademitë
e ndryshme.
Pyetje: - A nuk keni frikë se, duke proceduar në këtë
mënyrë, diskutimi, ballafaqimi ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve, do të mbetet
i kufizuar, domethënë do të përfshijë, në rastin më të mirë, vetëm ajkën e shoqërisë?
Përgjigje:
- Po i përgjigjem kësaj pyetjeje sipas dy trajektoreve. Nga njëra anë,
sigurisht, duhet të kem parasysh, me të gjithë bashkëpunëtorët e mi, se duhet të bëjmë
vazhdimisht një reflektim sistematik e metodologjik, për t’ia dalë mbanesh ta kuptojmë
ateizmin nacionalpopullor, që nganjëherë ka doza të ndjeshme ironie e sarkazme. Të
kujton stilin e Oddifreddi-t e Humphrey-t, në Francë; të Hitchens-in e Dawkins-it
e kështu me radhë, që tallen me besimin, me atë të krishterë sidomos – të cilin e
shikojnë gati gati si të ishte objekt, që i përket i paleolitikut intelektual. Prej
këndej, duhet ta kemi mirë parasysh edhe këtë lloj qëndrimi, e njëkohësisht edhe një
lloj ateizmi praktik. Ky ateizëm gjen shprehjen e vet në indiferencën, cektësinë,
banalitetin, vulgaritetin, që ndeshen nga pak kudo në shoqërinë tonë. E kjo, më duket,
do të jetë përpjekja kryesore e impenjimi i dorës së parë, për të cilin punojmë, duke
pasur parasysh mirë edhe vërejtjet, si kjo që na bëtë edhe ju. Përgjigjja e dytë,
që i jap kësaj vërejtjeje me vend, është se nuk duhet të harrojmë që ndryshimet e
mëdha kulturore e shoqërore, janë gjithnjë vepër e elitës, e ajkës së shoqërisë.
Kujtojmë
se ‘Oborri i takimit” do të mbahet në Tiranë, në Oborrin e Katedrales së Shën Palit,
më 14 e 15 nëntor. Do të diskutohet rreth temës: “Në çfarë beson, ai që
nuk beson”. Tendat e dialogut me të rinjtë, që do të zhvillohet më 14 nëntor,
nga ora 17.30 deri në orën 19.00, do të nxisin diskutimin mbi nëntemat e punës, të
përshpirtërisë e të informacionit. Në orën 19.00 veprimtaria do të vijojë me sintezën
e dialogut të tendave, me përshëndetjet e udhëheqësve të besimtarëve katolikë, ortodoksë,
protestantë, myslimanë, bektashinj e hebrenj, të cilët do të ngjiten në skenë, të
pasuar nga veprimtari artistike, përgatitur nga secila bashkësi: këngë, valle, recitime,
dramatizime. Në orën 20.40 do të lexohet mesazhi i Papës Benedikti XVI drejtuar
Takimit të dialogut e më pas do të fillojnë lutjet, udhëhequr nga grupi i Tezesë
dhe Bashkësia e Shën Egjidit. Sipas programit, më 15 nëntor, në Universitetin
Shtetëror të Tiranës, në orën 10.00-11.30, do të mbahet një takim, me temë. “Besimtarë
e jo besimtarëë përballë sfidave të shoqërisë postmoderne”. Takimi do të bashkëkryesohet
nga Profesor Dhori Kule, rektor i Universitetit dhe nga Kardinali Ravazi, kryetar
i Këshillit Papnor për Kulturën, që do të mbajë edhe fjalën e hapjes. Takimi do
të vijojë me ligjëratat “Përmasat shpirtërore të mbijetesës së identitetit shqiptar”
(Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm) dhe “Feja në kushtet e mungesës së institucioneve
fetare. Reflektim mbi rastin shqiptar” (Doktor Mark Marku). Në vijim do të ketë pyetje
e diskutime. Oborri do të vijojë pasdite, nga ora 16.00-18.00 pranë Universitetit
Evropian të Tiranës. Në Aula Magna të këtij institucioni, takimin do ta bashkëdrejtojnë
kardinali Ravazi dhe Dr. Teuta Dobi, presidente e UET. Më pas, të pranishmit do të
ndjekin temat “Ndikimi i krizës globale në çështjet etike të ekonomisë (profesor Adrian
Civici), “Liria e besimit, pluralizmi i sferës publike dhe totalitarizmi ideologjik”
(Profesor Fatos Tarifa) dhe “Disa çështje etike e sociale, në lidhje me besimin në
Shqipëri” (Profesor Luan Omari). Veprimtaria do të mbyllet pas pyetjeve e diskutimeve.