2011-10-18 11:02:42

Nënë Meri Prema: e Lumja Nënë Terezë na kujton “Zoti na krijoi për të dashur e për t’u dashur", nesër 8 vjetori i Lumturimit të së Lumes Gonxhe Bojaxhiut


Nesër me19 tetor bie tetë vjetori i Lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II (2003) mbajtur në Vatikan. Eprorja e Përgjithshme e Misionareve të Bamirësisë, themeluar nga e Lumja Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Prema, duke folur për Themeluesen, thekson se ajo la pas trashëgiminë më të çmuar: gëzimin, që buron në zemrën e njeriut, kur do e kur e duan.
Pra, kanë kaluar tashmë 100 vjet, nga 26 gushti i vitit 1910, kur në Shkup, që aso kohe ishte nën pushtimin osman, lindi një foshnje, si të gjitha foshnjat. Familja shqiptare Bojaxhiu u shtua me një vajzë, jeta dhe veprimtaria e së cilës do të bëhej burim frymëzimi për të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të papasur, për njerëz të të gjitha shtresave shoqërore, feve, kombeve. Vajza e thjeshtë shqiptare do të pushtonte diçka më tepër se gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohëve: zemrën e botës, për t’ia dhuruar Zemrës së Krishtit!
Mesazhi i Nënës të të varfërve mbetet: “Zoti na krijoi për vepra të mëdha, për të dashur e për t’u dashur. Sepse dashuria na ndihmon të shikojmë përtej luftërave, që vrasin; përtej vetmisë, që bren; përtej padrejtësive, që revoltojnë; përtej shqetësimeve të vogla e të mëdha të jetës sonë të përditshme, që na bëjnë shpesh ta humbasim nga sytë çka është vërtetë e rëndësishme, e madhe, vendimtare për jetën tonë. Jemi të thirrur për gjëra shumë më të mëdha se pasuria, talenti, fama, se zilitë e kënaqësitë kalimtare. Jemi të thirrur të shohim Zotin, Atin tonë, që është dashuri!
Jemi të thirrur ta ndjejmë në zemrat tona se ai na do me një dashuri pa asnjë kusht, të ëmbël, të amshuar.
Jemi të thirrur ta provojmë këtë dashuri e ta ndajmë me ata, që na rrethojnë, duke nisur nga familjet tona, nga miqtë, njerëzit që punojnë një çap larg nesh.
Në sa afrohet tetë vjetori i Lumturimit të saj, Nënë Tereza na kujton: “Buzëqeshini njëri-tjetrit! Mos mendoni vetëm për vete! Gjejeni pakëz kohë për t’i dhuruar një buzagaz tjetrit, të tjerëve. Familjarëve. Komshinjve. Njerëzve që ecin të trishtuar rrugëve. Sepse nuk ka ilaç më të mirë për të shëruar trishtimin e botës, se sa një buzëqeshje”.
Në Shishu Bhavan (Shtëpia jonë për fëmijë) në Kolkata, kishim një vajzë të gjymtuar rëndë fizikisht, që jetoi deri në moshën 39 vjeçare. Quhej Sundari, që do të thotë ‘e bukur’. Ajo nuk kishte asgjë mbas shpirtit, ishte e shëmtuar, nuk mund të punonte, madje nuk mund as të lëvizte nga shtroja. Veç një gjë dinte ta bënte mrekullisht mirë: të buzëqeshte! E kur vinte buzën në gaz, fytyra e saj shkëlqente nga gëzimi, duke komunikuar kështu gjithë dashurinë që kishte në zemër. E dinte se e donin, se kujdeseshin për të, se nuk ishte një qenie pa kurrfarë vlere. Përkundrazi.
Bëhej, kështu, e bukur para syve të atyre, që shijonin buzagazin e saj.
Ta kremtojmë tetë vjetorin e Lumturimit të Nënë Terezës, duke ndarë së bashku gëzimin, që buron nga dashuria, në se kemi mësuar prej Saj të duam!
Të lutemi, që ta ndjejmë në shpirt dashurinë e Zotit për ne!
Përplot me Shpirtin e Zotit, të shndërrohemi në kasnecë të Fjalës Tij për njerëzit që na rrethojnë, duke i bërë punët tona të vogla, me dashuri të madhe; duke dhuruar një buzëqeshje, një fjalë të mirë, duke ia shtrirë me dashuri dorën njeriut, që luhatet e rrezikon të rrëzohet. T’i bëjmë me dashuri të madhe këto gjëra të vogla, sepse janë pikërisht këto, që do ta bëjnë jetën tonë dhuratë të çmuar për Zotin. Kështu bota, që na rrethon, do të ketë një fytyrë të re, sepse “Buzëqeshja lind buzëqeshjen e dashuria, dashurinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.