Më 18 tetor kalendari përkujton shën Lukën Ungjilltar.
Luka Ungjilltar, që është edhe autor i “Veprave të Apostujve”, i vetmi nga të katër
ungjilltarët që nuk ishte hebre, njihet si shkrimtar i butësisë së Krishtit. Ndoshta
vinte nga Antiokia e Sirisë, ku kishte marrë kulturë klasike dhe kishte studiuar për
mjekësi. Ish-pagan, u kthye në fenë e krishterë nën udhëheqjen e Shën Palit, i cili
e quan “Mjek i dashur, shok i shtegtimeve misionare, ngushëllues i burgimeve, kur
të gjithë e kishin braktisur”. Ungjilltari nuk e njohu Jezusin. U bazua kryesisht
në rrëfimet e dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, ndërmjet të cilëve ka shumë mundësi
të kenë qenë disa nga gratë që iu përgjigjen të parat lajmit të mirë, e në radhë të
parë, Maria, Nëna e Krishtit. Luka ndjek me vëmendje fjalët, gjestet, heshtjen e saj.
Ungjillin e shkroi për paganët e kthyer në kristianizëm, duke theksuar universalitetin
e shëlbimit dhe dashurinë e posaçme të Jezusit për të varfrit e duke dhënë edhe dëshmi
origjinale për fëmijërinë e Krishtit. Në Ungjillin e Shën Lukës spikasin shëmbëlltyrat
që tregojnë ndjeshmërinë e Zotit për të sëmurët e njerëzit që vuajnë, ndërsa në “Veprat
e Apostujve” përshkruan figurën ideale të Kishës, që nuk heq kurrë dorë nga mësimet
e apostujve. Apostulli-mjek e quan Krishtin ‘mjek universal’, që shëron të gjitha
vuajtjet e njerëzimit, Zot të gjithëpushtetshëm, plot butësi e mëshirë. Sipas gojëdhënave,
Luka duhet të ketë qenë edhe piktor e posaçërisht, autor i shumë portreteve të Zojës
së Bekuar. Gjithnjë sipas gojëdhënave, thuhet se pas vdekjes së Palit, predikoi në
vende ndryshme, jashtë Romës. Në të vërtetë nuk dihet asgjë e saktë për të, pas fjalëve
‘Vetëm Luka është me mua’ që Shën Pali ia shkroi Timoteut nga burgu. Por Ungjilli
i tij vijon të kumtohet, së bashku me atë të Mateut, të Markut e të Gjonit në mbarë
botën. E me të edhe ‘Veprat e Apostujve’. Në liturgjinë e Fjalës, gjatë Meshës shenjte
që kremtohet thuajse në të gjitha gjuhët e botës, Luka vijon të predikojë edhe në
ditët tona. SHËN LUKA, UNGJILLTAR, 18 TETOR
Festë I lindur nga
një familje pagane dhe i kthyer në fe, qe shok i apostullit Pal dhe shkroi ungjillin
sipas predikimit të tij. Në Veprat e Apostujve na ka përçuar fillimet e jetës së
Kishës, duke na treguar ngjarjet e saj deri në qëndrimin e parë të Palit në Romë. Ant.
Ejani, ta adhurojmë Zotin që na flet neve në Ungjill. t'i këndojmë Zotit, * t'i
brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë. T'i dalim para me falënderje, * t'i këndojmë
këngë hareje! (Ant.) Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, * Mbret i madhërueshëm
mbi të gjithë zotat! Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, * të tijat
janë edhe majat e maleve, i tiji është deti - ai e krijoi, * duart e tija e
formuan tokën. (Ant.) Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, * të biem
në gjunjë para Zotit që na krijoi! Sepse ai është Hyji ynë, ne jemi populli
i kullosës së tij, * grigja që ai ruan. (Ant.) Oh sikur ta ndienit sot zërin
e tij: * “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë, porsi në ditë të Masës
në shkretëtirë, † kur etërit tuaj më vunë në sprovë: * më provuan megjithëse
i kishin parë veprat e mia. (Ant.) Dyzet vjet më mërziti ajo brezni † e thashë:
'Popull zemërluhatshëm është ky, * që s'i njeh udhët e mia.' Prandaj u përbetova
në hidhërimin tim: * 'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” (Ant.) Lavdi
Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë
e jetës. Amen. (Ant.)
SHËRBESA E LEXIMEVE Himni O Krisht, kryetari
e princi i barinjve, ty me gëzim n’ kremtimin e kësaj feste turma tërë shpirt
këndon me këngë të shenjta lavdet e duhura. Grushtin e fortë për luftë të plotë
ta leu Shpirti Shenjt me dhuratën e krizmës, dhe të ngarkoi për të kullotur
grigjën tënde të shenjtë. Ky qe mësues edhe model i grigjës, ish dritë për
të verbrit, lehtësim për të mjerin, për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si
babë bëri gjithçka. O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën e merituar,
bëj që në jetë të bindur të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë lumninë me
shenjtin. I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm, dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret
i përshpirtshëm, nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia e Shpirtit Shenjtë. Amen.
Ant.
1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të
gjithëve.
Psalmi 21 /20/ (2-8. 14) O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë
sate, * plot hare e mbush shpëtimi yt. Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së
tij, * nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija. Që më parë i dhe bekime të mëdha:
* mbi krye i vure kurorë ari të kulluar. T’u lut për jetë e ti i dhe * ditë
të shumta - në jetë të jetës. E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: * e
stolise me madhëri e me shkëlqim. Ti e bëre bekim përgjithmonë, * e kënaqe me
gëzim në praninë tënde. Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, * në saje të besnikërisë
së të Lartit Zot s’do të trandet. Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, * e ne do
të këndojmë e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd. Lavdi Atit e Birit * e
Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e jetës.
Amen. (Ant.)
Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit,
dhe shërbëtor i të gjithëve.
Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu, do të kurorëzoheni
me lavdi të pavdekshme.
Psalmi 92 /91/ I (2-9) Është punë e mirë ta lavdërosh
Zotin, * t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë. Të shpallim dashurinë
në mëngjes * e gjatë natës besnikërinë tënde, me harpë dhjetëkordash e me lirë,
* me këngë përcjellë me cetër. Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, * kënaqem
për veprat e duarve të tua. Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, * sa
të thella mendimet e tua! Njeriu i pamend nuk i di, * dhe i marri nuk do t’i
kuptojë. Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, * e në lulëzofshin ata që
bëjnë keq, janë të caktuar për bjerrje të pasosur, * vetëm ti je i Tejetlartë
për amshim, o Zot! Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në
fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Ant.)
Ant. 2 Kur të
lajmërohet Kryebariu, do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.
Ant. 3
Shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.
II (10-16) Sepse
qe, o Zot, armiqtë e tu, † sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, * do
të shpërndahen të gjithë keqbërësit. Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, * më
shugurove me më të pastrin vaj. Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë,
* veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi. I drejti lulëzon si
palma, * rritet porsi cedri i Libanit. Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit * lulëzojnë
në banesat e Hyjit tonë. Japin fruta edhe në pleqëri, * janë të kërthndeztë
e plot shëndet, për të shpallur se Zoti është i drejtë: * Qeta ime, në të cilin
nuk ka të meta! Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim,
* ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Ant.)
Ant. 3 Shërbëtor i mirë
dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.
D Prej gojës sime do ta dëgjosh
fjalën,
C dhe atë do t’ua kumtosh vëllezërve të tu.
Leximi i parë Prej
Veprave të apostujve 9, 27-31; 11, 19-26 Një ditë Barnaba e mori dhe e çoi
te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, se si
Jezusi foli me të dhe se si Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër
të Jezusit. Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte
me vendosmëri në Emër të Zotërisë. U drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht
dhe diskutonte me ta, por edhe ata synonin ta vritnin. Kur e morën vesh këtë gjë
vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars. Kisha, pra,
ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën
e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt. Ndërkaq, ata që u
shpërndanë për shkak të salvimit që u bë lidhur me Shtjefnin, arritën deri në Fenici,
në Qipro e në Antioki. Këta nuk ua predikuan fjalën tjerëve përveç hebrenjve. Por
disa prej tyre, që ishin prej Qipros e prej Cirenës, kur erdhën në Antioki, filluan
t'u predikojnë edhe grekëve e t'ju kumtojnë si Lajm të mirë: Jezusi është Zot. Dora
e Zotit u ndihmonte e shumë njerëz besuan dhe u kthyen kah Zoti. Lajmi i këtyre
ngjarjeve arriti në Kishën e Jerusalemit e kjo dërgoi Barnabën në Antioki. Kur
ai arriti dhe pa hirin e Hyjit, u gëzua dhe i nxiti të qëndrojnë me gjithë shpirt
në Zotin. Ky ishte njëmend njeri i mirë, plot me Shpirt Shenjt dhe me fe. Një numër
i madh njerëzish iu shtua Zotit. Atëherë Barnaba u drejtua për në Tars për ta gjetur
Saulin. Kur e gjeti e çoi në Antioki. Plot një vjet qëndruan në atë bashkësi duke
mësuar një shumicë bukur të madhe nxënësish. Në Antioki nxënësit për të parën herë
u quajtën »të krishterë.«
Përgjigjja Krh. Vap 12, 24; 13, 48. 52
C
Fjala e Hyjit rritej e shtrihej. * U bënë besimtarë të gjithë ata që e ndienin veten
të caktuar për jetën e pasosur.
D Nxënësit mbusheshin me gëzim dhe me Shpirt
Shenjt.
C U bënë besimtarë të gjithë ata që e ndienin veten të caktuar për
jetën e pasosur.
Leximi i dytë Nga “Homelitë mbi Ungjijtë” i shën Gregorit
të madh, papë (Hom. 17, 1-3; PL 76, 1139) Zoti shkon pas predikatarëve të
tij Vëllezër fort të dashur, Zoti dhe Shpëtimtari ynë na qorton herë me fjalë e
herë me vepra. Të themi të vërtetën edhe veprat e tija kanë vlerën e urdhrit, sepse
ndërkohë që në heshtje bën diçka në të njëjtën kohë na tregon atë që duhet të bëjmë
edhe ne. Ja se ai i dërgon dy nga dy nxënësit për të predikuar, sepse dy janë urdhrat
e dashurisë: dashuria për Hyjin dhe dashuria për të afërmin. Zoti i dërgon apostujt
dy nga dy për të predikuar që në mënyrë të heshtur të na tregojë se ai që nuk ka dashuri
për të afërmin nuk duhet assesi të marrë mbi vete detyrën e predikimit. Dhe
më të drejtë është thënë: “i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend,
ku mendonte të shkojë” (Lk 10, 1). Vërtet Zoti shkon pas predikatarëve të tij,
sepse predikimi arrin më parë, dhe vetëm atëherë Zoti vjen për të banuan në shpirtin
tonë, kur ta kenë paraprirë fjalët e shpalljes, nëpërmjet të cilave e vërteta është
pranuar nga mendja. Për këtë arsye Isaia u thotë predikuesve: “Përgatiteni udhën
e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Hyjit” (Is 40, 3). Ndërsa plasmisti u thotë
atyre: “bëni gati udhën Atij që kalëron mbi perëndim të diellit” (Ps 68 /67/, 5 vulg.).
Zoti u ngjit “mbi perëndim” që ishte vdekja e tij. Me të vërtet Zoti u ngjit
“mbi perëndim” meqë vdekja e tij i shërbeu si piedestal i lartë për të shfaqur edhe
më shumë lavdinë e tij nëpërmjet ringjalljes. U ngjit “mbi perëndimin” sepse duke
u ringjallur e shkeli vdekjen që e kishte përballuar. Ne, pra, ia rrafshojmë
udhën atij që ngjitet “mbi perëndim” kur mendjeve tuaja u predikojmë lavdinë e tij;
në mënyrë që kur të vijë ai vet, t’i shndrisë ato me praninë e dashurisë së tij. Ta
dëgjojmë atë që thotë duke i dërguar predikuesit: “Të korrat janë të mëdha, kurse
punëtorë ka pak. Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të
korrat e veta” (Mt 9, 37-38). Për të korra të mëdha punëtorët janë pak. Për këtë
mungesë punëtorësh nuk mund të flasim pa një trishtim të thellë, sepse ka njerëz që
do e dëgjonin fjalën e mirë, por mungojnë predikuesit. Ja, bota është plot me meshtar,
dhe prapë se prapë janë të pakët ata që punojnë në të korrat e Zotit. E kemi marrë
shërbesën meshtarake, por nuk i bëjmë veprat që kjo shërbesë i kërkon. Për këtë
arsye, vëllezër fort të dashur, mendoni me shumë kujdes mbi fjalën e Zotit: “Të korrat
janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë
korrtarë në të korrat e veta” (Mt 9, 37-38). Lutuni ju për ne, që të mund të punojmë
për ju ashtu siç duhet; që gjuha të mos mbesë pa vepruar për nxitje, e heshtja jonë
të mos na dënojë, pranë gjykatësit të drejtë, neve që kemi marrë shërbesën e predikuesve.
Përgjigjja
Krh. Lk 1, 3. 4; Vap 1, 1 C Mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha qysh prej fillimit,
vendosa t’i shkruajë të gjitha me radhë, * që të jemi të sigurt për palëkundshmërinë
e mësimeve që morëm.
D Foli për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi.
C Që
të jemi të sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që morëm.
Himni: Te
Deum Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë. Ty, Atin e amshueshëm
* bota mbarë të adhuron. Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha, ty
kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë: Shenjt, Shenjt, Shenjt, *
Zoti, Hyji Sabaot! Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate. Ty
i apostujve * kori i lavdishëm, ty i profetëve, * numri i nderueshëm, ty e martirëve
* të lëvdon ushtria. E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë: ty,
o Atë, * i madhërisë së pamasë, dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin
Bir, edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt. Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë. Ti
që je i Atit, * Bir i amshueshëm. Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut,
* nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës. Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes,
* ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit. Ti që rri në të djathtën e Zotit,
* në lavdinë e Atit. Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës Ty, pra, po të lutemi
që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, * të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm. Bëj
që në lumturinë e amshueshme, * të numërohemi ndër shenjtër të tu. Shpëtoje
popullin tënd, o Zot, * e bekoje trashëgimin tënd! Ti ata sundoji * e lartësoji
deri në amshim. Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë. Dhe emrin tënd
e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës. Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na
ruajsh pa mëkat. Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne! Dhembshuria jote
qoftë mbi ne, o Zot, * sikurse po shpresojmë në ty. Në ty, o Hyj, shpresova,
* e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja O Zot, Hyj, ti e zgjodhe shën Lukën,
që, me anë të fjalës e të shkrimeve, t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë sate,
bëj që ata, të cilët mburren me emrin e krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre
e të gjithë popujt ta shohin shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.
LAVDET E MËNGJESIT Himni Me
duartrokitje, o Lukë, këndojmë triumfin ku ti shkëlqen nga gjaku i kuq i derdhur, dhe
për merita t’larta sipas regullit kurorën e fituar. Frymëzuar nga Shpirti, e
me vëmendje n’botën që bariu i epër shfaqi mrekullirat, dhe Krishti i bëri me
dashni nga mëshira, ti i shkruan me zemër. Ti me kujdes i hedh ndër shkrime
t’bukra punët lavdruese t’nxënësve të Jezusit, t’rejat e tija e t’njerëzve që
shfaqen ndër shekuj t’rinj. O shok i Palit dhe vëzhgues i zemrës së tij të
lartë, por edhe imitues, dashnia e Krishtit bëj gjithmonë të ndezë krahrorin
tonë. Ndër t’liga tona mjek mjeshtrinë përdore, dhe sill lehtësinë e gëzueshme
të besimit, më në fund Hyjin të zotërojmë, me atë gjithmonë t’ngadhnjejmë. Amen. Ose
një himn tjetër apo këngë e përshtatshme e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant.
1 Të gjitha fjalët e profetëve u plotësuan në Ungjillin e Krishtit.
Psalmi
63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me
dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur
(Krh. Cassiodoro). O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. * Ka etje për
ty shpirti im, ty të dëshiron mishi im, * si toka e shkretë, e thatë, e paujë, kështu
erdha në Shenjtëroren tënde * për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde. Sepse
më e mirë është dashuria jote se jeta: * buzët e mia do të të lavdërojnë. Kështu
do të të bekoj në jetën time * e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia, do
të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, * me buzë të hareshme do të të lavdërojë
goja ime. Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, * në përgim natën do të mendoj
për ty, sepse ti je bërë ndihma ime, * prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve
të tu! Shpirti im u mbështet në ty, * e djathta jote më merr për dore. Lavdi
Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë
e jetës. Amen
Ant. 1 Të gjitha fjalët e profetëve u plotësuan në Ungjillin
e Krishtit.
Ant. 2 Me kumtimin e Ungjillit Hyji na fton të kemi fe në të
vërtetën, që ta fitojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.
Kënga Dan 3,
57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë
shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, * lëvdojeni
dhe madhërojeni në shekuj! Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, * bekojeni, o qiej,
Zotin. Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, * të gjitha ju, o fuqi, bekojeni
Zotin. Diell e hënë, bekojeni Zotin, * yjet e qiellit, bekojeni Zotin. Të
gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, * të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin. Zjarr
e nxehtësi, bekojeni Zotin, * acar e vapë, bekojeni Zotin. Vesë e brymë, bekojeni
Zotin, * akull e cegëm, bekojeni Zotin. Breshra e borëra, bekojeni Zotin, * netë
e ditë, bekojeni Zotin. Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, * vetëtima e re, bekojeni
Zotin. Toka e bekoftë Zotin, * lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Bekojeni,
o male e kodra, Zotin, * bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës. Dete e
lumenj, bekojeni Zotin, * bekojeni, burime, Zotin . Përbindësh e gjithçka lëviz
në ujëra, bekojeni Zotin, * të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin. Kafshë
të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, * bijtë e njeriut, bekojeni Zotin. Bekoje,
o Izrael, Zotin, * lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Priftërinjtë e Zotit,
bekojeni Zotin, * shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin. Shpirtra e frymë të të
drejtëve, bekojeni Zotin, * shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin. Anani,
Azari, Misael, bekojeni Zotin, * lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Të bekojmë
Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; * ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj I bekuar
je ti, o Zot, në kupën qiellore, * i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj! Në
fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Me kumtimin e Ungjillit Hyji
na fton të kemi fe në të vërtetën, që ta fitojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.
Ant.
3 Shumë do ta lavdërojnë urtinë e tij, ai kurrë nuk do të harrohet.
Psalmi
149 (1-9) Festa e miqve të Zotit Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë
në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re,
* këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve! Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit
të vet, * bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet! Le ta lavdërojnë Emrin
e tij në valle, * le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës, sepse Zoti kënaqet
në popullin e vet, * të përvujtët i nderon me shëlbim. Le të galdojnë të drejtët
në lumturi, * le të brohorasin nga shtrojat e veta! E paçin lavdinë e Zotit
në gojë, * e shpatën dytehëshe në dorë! Për të marrë shpagim mbi paganë, * për
t’u dhënë popujve ndëshkim, për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, * princat
e tyre në zinxhirë të hekurt, për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar:
* - ky është nder për të gjithë besnikët e tij. Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit
Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant.
3 Shumë do ta lavdërojnë urtinë e tij, ai kurrë nuk do të harrohet.
Leximi
i shkurtër 1 Kor 15, 1-2a. 3-4 Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin,
që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. Me anë të tij jeni në udhën
e shëlbimit. Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë
i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt.
Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt.
Përgjigjja
e shkurtër C E madhëruan pushtetin e Zotit * dhe të gjitha mrekullitë e tija. E
madhëruan pushtetin e Zotit dhe të gjitha mrekullitë e tija.
D I shpallën
veprat e tija dhe të gjitha mrekullitë e tija. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit
Shenjt. E madhëruan pushtetin e Zotit dhe të gjitha mrekullitë e tija.
Kënga
ungjillore (Benedictus) Ant. Ti ia përcolle Kishës Ungjillin e Krishtit, diell
që lind prej së larti.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, * që e pa dhe
e shpërbleu popullin e vet! Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë * në shtëpinë e Davidit,
shërbëtorit të vet, sikurse premtoi kaherë * me gojë të profetëve të tij të
shenjtë: se do të na shpëtojë prej armiqve tanë * dhe prej dorës së të gjithë
atyre që na urrejnë; se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë * e do
t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit,
atit tonë * se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë, të çliruar
nga duart e armikut * në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës
sonë. E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, * sepse do të shkosh
përpara Zotit për t'ia përgatitur udhët, për ta vënë në dijeni popullin e tij
* se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija, në saje të zemrës së
dashur të Hyjit tonë * që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin, për
të shndërritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes, * për t'i
drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“ Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si
ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Ti ia
përcolle Kishës Ungjillin e Krishtit, diell që lind prej së larti.
Lutjet e
besimtarëve Shëlbuesi ynë e shkatërroi vdekjen, e shndriti jetën dhe nëprmjet Ungjillit
na e dha pashkatërrueshmërinë. Atë ta madhërojmë me lavdi dhe me lutje të përvujtë
t’i drejtohemi: Forcoje, o Zot, Kishën tënde në fe dhe dashuri. Ti Kishën tënde
e shndrite nëpërmjet shenjtërve dhe mësuesve të Kishës — bëj që të krishterët gjithmonë
të gëzohen në dritën e Ungjillit. Në lutje të barinjve të shenjtë ti ia fale popullit
mëkatet, sikurse në Besëlidhjen e vjetër në lutje të Moisiut — me ndërmjetësinë
e tyre Kishën tënde pandërprerë pastroje dhe shenjtëroje. Shenjtërit e tu i lidhe
ngushtë me vëllezër dhe atyre ua dhe Shpirtin tënd — mbushi me Shpirtin Shenjt
të gjithë udhëheqësit e popullit tënd. Ti je trashëgimi i barinjve të shenjtë —
bëj që asnjë prej atyre që i fitove me gjakun tënd të mos birret.
Ati ynë,
që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote,
si në qiell ashtu në tokë. Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet
tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga
i Keqi. Amen.
Lutja O Zot, Hyj, ti e zgjodhe shën Lukën, që, me anë të fjalës
e të shkrimeve, t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë sate, bëj që ata,
të cilët mburren me emrin e krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre e të gjithë
popujt ta shohin shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.
ORA E MESME HIMNI Ora e
tretë
Himni Tani neve, o Shpirti i Shenjtë, një me Atin e Birin, denjohu
i gatshëm t’futesh i reshur n’parzëm tonë. Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise të
ushtojnë duke rrëfyer, me zjarr t’flakrojë dashtënia, nxehtësia t’i ngrohë shokët. Nëpër
ty t’kuptojmë Atin, të njohim edhe Birin, ty Shpirtin e të dyve t’besojmë
në gjitha kohët. Amen.
Ora e gjashtë
Himni Mbret i fortë, Hyj i vërtetë, që
sundon të gjitha sendet, me ndriçim pajis mëngjesin dhe me zjarr shkëlqen mesditën. Shuaji
flakët e shamatave, flake zjarrin e dëmprurësve, jepu trupave shërimin, dhe
t’vërtetën paqe zemrave. Bëj, o Atë tërë drejtësi, dhe ti Bir baras si Ati, bashkë
me Shpirtin Ngushëllimtar që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e
nëntë Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme, i patrandur në ty mbahesh, kohët
e dritës së përditshme përcakton me shumë mbarësi. Dhe gjatë netëve lësho dritën, që
jeta të mos ndërpritet, por çmimi i vdekjes shenjte të jetë lavdia e përjetshme. Bëj,
o Atë tërë drejtësi, dhe, o Bir, baras si Ati, bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar, të
mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1. Sikurse ti më dërgove në botë,
o Atë, ashtu edhe unë i dërgova ata.
Psalmi 118 /117/ I (1-9) Kënga e gëzimit
dhe e fitores Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por
që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11). Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, * sepse
e amshuar është dashuria e tij! Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë,
* e amshuar është dashuria e tij! Le të thotë tani shtëpia e Aronit, * e
amshuar është dashuria e tij! Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, * e amshuar
është dashuria e tij! Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, * Zoti më dëgjoi
edhe më shpëtoi. Zoti është me mua, * s’druaj se ka ç’më bën njeriu. Me mua
është Zoti, ndihmëtari im, * për asgjë i bëj armiqtë e mi. Më mirë është të
strehohesh te Zoti * se të kesh besim në njerëz. Më mirë është të strehohesh
te Zoti, * se të kesh besim në princa. Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si
ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant.. 1 Sikurse
ti më dërgove në botë, o Atë, ashtu edhe unë i dërgova ata.
Ant 2. Kush
ju pranon ju, më pranon mua; kush më pranon mua, e pranon atë që më dërgoi mua.
II
(10-18) Më rrethuan të gjithë paganët, * i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit. Rreth
e përqark më rrethuan, * por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit. Më rrethuan
porsi bletët, † porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, * por i shfarosa në fuqi
të Emrit të Zotit. Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, * Por Zoti
qe ndihma ime. Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, * ai është shpëtimtari im. Ja,
britma gëzimi e ngadhënjimi, * në tendat e të drejtëve: »E djathta e Zotit u
madhërua! † E djathta e Zotit më lartësoi! * E djathta e Zotit u madhërua!« S’do
të vdes, të jetoj dua, * do t’i kumtoj veprat e Zotit! Me ndëshkim të rëndë
Zoti më ndëshkoi, * por nuk më lëshoi në duar të vdekjes. Lavdi Atit e Birit
* e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e
jetës. Amen
Ant. 2. Kush ju pranon ju, më pranon mua; kush më pranon mua, e
pranon atë që më dërgoi mua.
Ant. 3. Ne jemi bashkëpunëtorët e Hyjit në Kishë; ndërsa
ju jeni ara e Zotit, ndërtesa e tij.
III (19-29) M’i hapni dyert e drejtësisë,
* dua të hyj e t’i thur lavde Zotit. Ja, këtu është dera e Zotit; * nëpër
të do të hyjnë të drejtët. Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, * dhe
u bëre Shpëtimtari im. Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, * erdhi
e u bë guri i këndit; Zoti e bëri këtë gjë: * sa mrekulli për sytë tanë! Kjo
është dita që na e dhuroi Zoti: * të galdojmë e të gëzojmë në të! Ma jep, o
Zot, shpëtimin tënd, * deh, o Zot, jep të mbarën! Bekuar qoftë ai që vjen në
emër të Zotit! * Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit. Hyji është Zot, ai na ndriçoi:
† rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor * me rrema në dorë deri në ballë të
lterit! Ti je Hyji im, ty të falënderoj, * Ti je Hyji im, unë të madhëroj! Lavdërojeni
Zotin, sepse është i mirë, * sepse e amshuar është dashuria e tij! Lavdi Atit
e Birit * e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë
e jetës. Amen
Ant. 3. Ne jemi bashkëpunëtorët e Hyjit në Kishë; ndërsa ju
jeni ara e Zotit, ndërtesa e tij.
Ora e tretë Leximi i shkurtër Rom 1, 16-17 Ungjilli
është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e mandej
për grekun. E njëmend në të zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë,
sikurse është në Shkrim shenjt: 'I drejti do të jetojë prej fesë.' D Në mbarë botën
u përhap lajmi i tyre; C fjala e tyre deri në skajet e botës.
Ora e gjashtë Leximi
i shkurtër 1 Sel 2, 2b-4 Morëm guxim, me ndihmën e Hyjit tonë, ta predikojmë Ungjillin
e Hyjit ndër ju sado që me luftë të madhe. Vërtet, predikimi ynë nuk vjen nga gabimi
as nuk ka qëllime të papastra as nuk mbështetet në dinakëri, por, sikurse Hyji vendosi të
na e besojë Ungjillin, ashtu ne edhe e predikojmë; jo, sikurse të donim t'u pëlqejmë
njerëzve, por Hyjit që i shqyrton zemrat tona. D I mbajtën mësimet e Krishtit, C
janë dëshmitarë të fjalës së tij.
Ora e nëntë Leximi i shkurtër 2 Tim 1,
8b-9 Hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili
na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë - jo në saje të veprave tona, por
në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin. D
Gëzohuni dhe galdoni, thotë Zoti: C sepse emrat tuaj janë të shkruar në qiell.
Lutja O
Zot, Hyj, ti e zgjodhe shën Lukën, që, me anë të fjalës e të shkrimeve, t’ua zbulojë
të varfërve misterin e dashurisë sate, bëj që ata, të cilët mburren me emrin e
krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre e të gjithë popujt ta shohin shëlbimin
tënd. Nëpër Zotin.
LUTJET E MBRËMJES Himni si në Lavdet e mëngjesit
Ant.
1 Hyji më bëri mbarështues të Ungjillit, që është dhuratë e hirit të tij.
Psalmi
116 /115/ (10-19) Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: * »Jam i pafat për
së tepërmi!«. Në hutimin tim kam thënë: * »Rrenacak është çdo njeri!« Si
do t’ia shpërblej Zotit * për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë? Do të ngre
gotën e shëlbimit * e me nderim do të thërras Emrin e Zotit. Do t’i kryej kushtet
e mia bërë Zotit * në praninë e mbarë popullit të tij. E çmueshme është para
Zotit * vdekja e shenjtërve të tij. O Zot, unë jam shërbëtori yt, † shërbëtori
yt dhe biri i shërbëtores sate. * Ti i këpute hekurat e mi: ty do të ta kushtoj
flinë e lavdit, * me nderim do të thërras Emrin e Zotit. Do t’i kryej kushtet
e mia bërë Zotit * në praninë e mbarë popullit të tij, në oborret e Shtëpisë
së Zotit, * midis teje, o Jerusalem! Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si
ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Hyji
më bëri mbarështues të Ungjillit, që është dhuratë e hirit të tij.
Ant.
2 Çdo gjë bëj për ta shpallur Ungjillin, që edhe unë të kem pjesë në të mirat e
tija.
Psalmi 126 /125/ (1-6) Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, * na
dukej si të ishim në ëndërr. Atëherë goja na u mbush me gaz * e gjuha jonë ia
thoshte këngës së gëzimit! Asohere thuhej ndër paganë: * »Zoti bëri për ta punë
të mëdha!« Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli * e zemrat na u mbushën me gëzim! Ktheji,
o Zot, robërit tanë * porsi përrenjtë e mesditës! Ata që mbjellin me lot, * deh,
le të korrin me gëzim! Në të shkuar ecnin e qanin * duke mbartur farën për ta
mbjellë, kurse në kthim do të vijnë plot gëzim * duke mbartur duajt e vet. Lavdi
Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë
e jetës. Amen
Ant. 2 Çdo gjë bëj për ta shpallur Ungjillin, që edhe unë
të kem pjesë në të mirat e tija.
Ant. 3 Mua më është dhënë hiri që t’u shpall
paganëve pasuritë e pafund të Krishtit.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Qoftë bekuar
Hyji.* Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror
* në qiell në Krishtin. Në Të na zgjodhi * para krijimit të botës që të
jemi të shenjtë e të papërlyer * para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete
* të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit * me pëlqimin e vullnetit
të vet për nder të lavdisë së hirit të tij * me të cilin na pajisi me anë të
të Dashurit: në Të, në saje të gjakut të tij, * e fituam shpërblimin; në
Të na u falën fajet * me anë të begatisë së hirit të tij, të cilin Hyji e ndikoi
në ne * bashkë me çdo urti e kuptim. Ai na vuri në dijeni * mbi misterin
e vullnetit të vet synim që lirisht kishte vendosur * qysh më parë ta kryente
në Të kur të plotësohej koha: * të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të
gjithë qenësitë * që janë në qiell e në tokë. Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit
Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant.
3 Mua më është dhënë hiri që t’u shpall paganëve pasuritë e pafund të Krishtit.
Leximi
i shkurtër Kol 1, 3-6 E falënderojmë Hyjin, Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe
lutemi vazhdimisht për ju, sepse morëm vesh për fenë tuaj në Jezu Krishtin dhe për
dashurinë që keni ndaj të gjithë shenjtërve, për arsye të shpresës që ruhet për ju
në qiell. Për të keni dëgjuar në saje të fjalës së vërtetës - Ungjillit, që arriti
te ju dhe po jep fryte e po zhvillohet.
Përgjigjja e shkurtër C Kumtojeni
ndër popuj * lavdinë e Zotit. Kumtojeni ndër popuj lavdinë e Zotit. D Shpalleni
në mbarë kombet, lavdinë e Zotit. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Kumtojeni
ndër popuj lavdinë e Zotit.
Kënga ungjillore (Magnificat) Ant.Kisha
të nderon, ungjilltar i Krishtit, që neve na flet për mirësinë e Krishtit Shpirti
im e madhëron Zotin, * shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse
shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: * qe se, që tani të gjitha
breznitë do të më quajnë të lumtur, sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm
* - i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni më brezni * për ata
që e druajnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: * hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i
rrëzoi princat prej froneve të tyre * i lartësoi të përvujtët. Me të mira i
mbushi ata që s'kishin ç'të hanë të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit,
shërbëtorit të vet, duke e sjellë në mend mëshirën - si ua pati premtuar etërve
tanë * në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim. Lavdi Atit
e Birit * e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë
e jetës. Amen
Ant. Kisha të nderon, ungjilltar i Krishtit, që neve na flet
për mirësinë e Krishtit
Lutjet e besimtarëve Të ndërtuar mbi themelin e
apostujve, t'i lutemi Zotit, Hyjit të gjithëpushtetshëm, për popullin e tij të shenjtë
dhe t'i drejtohemi duke i thënë: O Zot, le të të bjerë në mend për Kishën tënde. O
Atë, ti deshe që Biri yt i ngjallur prej së vdekuri së pari t'u lajmërohet apostujve —
bëj që të jemi dëshmitarët e tij deri në mbarim të botës. Birin tënd e dërgove
në botë që të varfërve t'u shpallë lajmin e gëzueshëm të shëlbimit — bëj që Ungjilli
t'i predikohet çdo krijese. Birin tënd e dërgove që ai ta mbjellë farën e fjalës —
bëj që edhe ne që në vuajtje e mbjellim farën, me gëzim të korrim. Ti e dërgove
Birin tënd që me gjakun e tij ta pajtojë botën me ty — bëj që të gjithë ne të marrim
pjesë në pajtimin tënd me botën. Birin tënd e vure në qiell në të djathtën tënde —
merri në Mbretërinë e të lumturve të vdekurit tanë të dashur. Ati ynë, që je në
qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në
qiell ashtu në tokë. Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona
si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i
Keqi. Amen.
Lutja O Zot, Hyj, ti e zgjodhe shën Lukën, që, me anë të fjalës
e të shkrimeve, t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë sate, bëj që ata,
të cilët mburren me emrin e krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre e të gjithë
popujt ta shohin shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.
PASMBRËMËSORJA PAS
LUTJES SË MBRËMJËS II TË SË DIELËS DHE TË KREMTEVE
V. Hyj, më eja në ndihmë! P.
O Zot, shpejto të më ndihmosh! V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt, P. si
ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja) Në
këtë moment është mirë të mbahet një moment qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes.
Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e
pendesës që përdoren gjatë meshës. Ose
PUNA E PENDIMIT O Zoti im,
po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë
parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar,
që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën
tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas
dëshirës
HIMNI Para fundit të dritës, ty duam, krijuesi i sendeve, me
mirësinë e zakontë, të na kryesosh në roje. Ty ëndërrofshin zemrat tona, në
gjumë të rëndë Ty ndjefshin, dhe gjithmonë lavdinë tënde këndofshin në ag të
dritës. Na jep jetë të shëndetshme, ngrohtësinë tonë përtërije, mjegullën
e zezë të natës ta sqarojë drita jote. Na jep, Atë fuqiplotë, me anë t’Hyjit
Jezu Krisht, që me ty në amshim mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen. Ose: O
Krisht, që tërë shkëlqim e dritë zbulon errësitë e natës, e ndriçim drite quhesh kur
dritë u flet të lumëve. O Hy i Shenjtë të lutemi Ti në këtë natë na ruaj; në
ty të gjejmë pushimin, n a i bëj të qeta orët. Nëse sytë i zë gjumi, për
ty zemra t’rrijë zgjuar; të mbrosh me dorën tënde besnikët që të duan. Shiko,
o mbrojtësi ynë, na ruaj ndër prita e kurthe, sundo shërbëtorët tu që me
gjak tënd shpërbleve. O Krisht, mbret shumë i drejtë, Ty e Atit iu qoftë lavdia, me
Shpirtin Ngushëllimtar ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 Bano nën
hijen e të Gjithëpushtetshmit: dhe do të gjesh strehim prej ngashënjimeve të
së keqes.
Psalmi 91 /90/ (1-16) Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit Qe,
ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep (Lk 10, 19). Kush
banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, * do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit. Do
t’i thotë Zotit: »Strehimi im, * kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.« Sepse
Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve * dhe nga fjala dijekeqe. Do të
të bëjë hije me krahët e vet * do të strehohesh nën fletët e tija, shqyt e pancir
e vërteta e tij. * Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës, as prej shigjete
që fluturon ditën, † as prej murtaje që shëtit në errësirë, * as prej shfarosjes
që shkretëron në mesditë. Le të bien me mijëra rreth teje, † dhjetëra mijëra
në të djathtën tënde, * ty nuk do të të ndodhë asgjë! Porsa ti me sy të vetëtish,
* shpagimin e mëkatarit do ta shikosh! Pasi Zoti është mburoja jote * dhe
e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd, e keqe nuk do të të gjejë, * dhe
frushkull s’do t’i afrohet tendës sate: sepse engjëjve të vet urdhër u dha * të
të ruajnë në të gjitha udhët e tua. Do të të mbartin para duarsh * që gand të
mos e ndeshësh këmbën tënde për gur. Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, * do
të kalosh mbi luanë e gjarpërinj. »Do ta shpëtoj sepse më do, * do ta marr ndore
sepse e njeh Emrin tim. Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, † në vështirësi
do të jem me të, * do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj. Do t’i dhuroj jetë të gjatë,
* do t’ia tregoj shëlbimin tim.« Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si
ka qenë në fillim, * ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Bano
nën hijen e të Gjithëpushtetshmit: dhe do të gjesh strehim prej ngashënjimeve
të së keqes.
Leximi i shkurtër Zb 22, 4-5 Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë
fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita
e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë
mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
Përgjigjja e shkurtër C
O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim. O Zot, në duart e tua po e dorëzoj
shpirtin tim. D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar: në duart e tua po e
dorëzoj shpirtin tim. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. O Zot, në duart
e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na
ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe. (K.
P. aleluja)
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32 Krishti, drita e popujve dhe lavdia
e Izraelit. Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë * shërbëtori yt në paqe sikurse
the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin * që ti e bëre gati në sy
të të gjithë popujve: Dritën që bën të njohin Ty paganët * e që i jep nder popullit
tënd, Izraelit. Lavdi Atit e Birit * e Shpirtit Shenjt, si ka qenë në fillim,
* ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa
rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë
prehje në paqe. (K. P. aleluja)
Lutja Le të ngritët para teje, o Atë, lutja
jonë në fund të kësaj dite, përkujtimore të ringjalljes së Zotit: bëj me hirin tënd
që të pushojmë në paqe, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim
për ta kënduar làvdin tënd. Nëpër Zotin
Në të kremte: Lutja Vizito,
o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë
që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
Edhe
kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi: Zoti i gjithëpushtetshëm
na dhuroftë një natë të qetë dhe një mbarim të mirë. C Amen.
Të falemi
Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të
thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në
këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli
prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na
e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
Nën
mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër
nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë
rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na
porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.