Kolegji Saverian i Etërve Jezuitë në Shkodër e filloi veprimtarinë e vet në shekujt
e kaluar, duke përballuar vështirësitë e pushtuesit, pengesat e fanatizmit e sulmet
e antiklerikalizmit vendas. Kështu mund të themi se interesi i Jezuitëve për kulturën
shqiptare është më i hershëm se Kolegji; nis që në shekullin XVIII, kur Papa shqiptar
Klementi XI, posa organizoi Kuvendin e Arbënit dhe i kërkoi dokumentet edhe në gjuhën
shqipe, hodhi idenë të mblidheshin materiale e dokumente iliro-shqiptare. Mbledhjen
e filloi Atë Riçeputi e e vazhduen etërit jezuitë Daniel Farlati e Jakob Koleti, që
realizuan veprën historike fort të çmueshme “Illyricum Sacrum”, një vepër sine qua
non për historinë e Shqipërisë. Ardhja e jezuitëve në Shqipëri do të shoqërohej me
veprimtari të dendura fetare, arsimore, kulturore e shoqërore, të panjohura më parë
në vendin tonë. Ndër këto veprimtari kujtojmë ngritjen e shtypshkronjës së parë, botimin
e revistës së parë “Elçija e Zemrës së Krishtit”, krijimin e bandës së parë muzikore
e të orkestrave moderne, fillimin e artit dramatik, lulëzimin e shoqërive kulturore,
patriotike e sportive, mbledhjen e koleksionit të famshëm numizmatik, hapjen e Muzeut
botanik, etnografik etj. etj. Jezuitët nisën edhe punën arsimore. E filluan me
një shkollë të vogël, me pak nxënës, për të arrit te viti i paharrueshëm 1877,
data 17 tetor kur në praninë e arqipeshkvit plak Pooten e të At Zef
Lombardinit hapi dyert një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që
populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegji Saverian.
Ndër themelues kujtojmë At Luigjin Maca, që dhuroi nga pasuria e shtëpisë së vet 1100
napolona. Ndër laikë civilë duhen përmendur familjet shkodrane: Muzhani, Sima, Suma,
Saraçi e Shiroka. Stema e Kolegjit: në ballë shqipja dykrenore, sipër: ‘Për Zot,
Për Atme e Përparim’. Filluan mësimet me seriozitetin e jezuitëve: arsim i vërtetë,
i plotë, i rregullt; kulturë e përgjithshme perëndimore, qytetërim i zgjedhur evropian,
me programe të studiuara e të zgjedhura; me metoda të përparuara e efikase; me mjete
moderne e të reja. Shkurt, një formim i gjithanshëm perëndimor. Me të drejtë Papa
Piu X i pati thënë Imzot Serreqit: “Jeni të lum që keni jezuitët në Shkodër”. Shkolla
në fillim pati drejtim tregtar, më vonë mori drejtim klasik, por gjithmonë qe e barasvlershme
me shkollat më të mira të mesme të Evropës Perëndimore. E kjo edhe pse mësuesit që
dhanë mësim në këtë shkollë qenë të gjithë me shkollë të lartë të kryer jashtë shteti,
të gjithë autorë tekstesh a veprash me karakter letrar, gjuhësor, historik, filozofik
etj.; të gjithë me një botë të pasur shpirtërore e intelektuale, të gatshëm për të
zhvilluar fuqitë mendore të nxënësve për një formim intelektual të shëndoshë, por
edhe për emancipimin e jetës shoqërore e kulturore si dhe për integrimin e shoqërisë
shqiptare në Kontinentin e Vjetër, në mënyrë që Shqipëria, gjeografikisht në Evropë,
të mos mbetej realisht në Orient. Rrallë ka shkolla me kuadër të tillë arsimor:
Atë Jak Jungu, misionar italian me zemër shqiptari, si i thoshte Shantoja, autor i
një gramatike dhe i një Fjalori dygjuhësh; Atë Anton Xanoni, italian me nënë shqiptare,
që shkroi vetëm shqip për ne, autor i “Prijësi në lamë të literaturës”, dhe “Gramatika
e gjuhës shqipe”; Atë Fulvio Kordinjani, autor i shumë veprave; Atë Buxeti i ‘Fjalorit’
të madh; martiri Imzot Bonati që përktheu ‘Lahuten e Malcis’ italisht. Pastaj Atë
Aldeghieri, Atë Fracchioni, Atë Zef Valentini, autor i shumë vëllimeve, ndërmjet të
cilëve, 25 vëllimet e “Acta Albaniae Veneta”. Nder mësues shqiptarë: Filip Ashiku,
Gaspër Benusi, Pjetër Marubi, Fejzullah Efendì, Kolë Dema, Dom Ndre Mjeda, mësuesi
ynë i paharrueshem, siç thoshte Valentini; Etërit Mark Harapi e Zef Saraçi; Gjush
Sheldija, bashkëpuntori i ngushtë i Valentinit; Musa Efendì Boriçi, Mati Logoreci,
Gjon Qerraxhija, Kolë Thaçi, kater Gurakuqë, tre Rrota (vëllezërit e Pater Justin
Rrotës), dy Çefa e deri te dijetari i thellë, i persekutuari i paepur e mbrojtësi
i të drejtave të njeriut, Atë Pjeter Meshkalla, emrin e të cilit gëzon sot shkolla
e rilindur saveriane. Procesin mësimor e ndihmonin edhe ambientet shkollore, si kabinetet
e fizikës e të kimisë e, sidomos, biblioteka shumë e pasur e jezuitëve. Këtu, si fort
rrallë gjetiu, gjindeshin veprat e autorëve tanë të vjetër: Bardhit, Bogdanit, Budit,
këtu ‘Illyricum Sacrum’, dhe ‘Gramatika’ e parë shqipe e Françeskos prej Leçes (1716),
si thoshte Mjeda; e para gramatikë në Ballkan; “Historia bizantine” e Du Fressne e
Du Cange, pastaj veprat e Hahnit, Mayer, Joklit, Kamardes, Kristoforidhit etj. etj.
dhe skedari i famshëm i Valentinit, dorëshkrime e dokumente me rëndësi, të cilat më
vonë do të grabiteshin, do të digjeshin, do të zhdukeshin, e çka do të tepronte, do
të çohej për karton. Por, nëse puna mbatet me rezultatin, atëherë vjen natyrshëm
pyetja: ‘Cila shkollë ka pasur rezultate më të mira, më të frytshme se kjo shkollë?
Këtu mjafton të kujtojmë vetëm disa nxënës, emrat e të cilëve flasin vetë: “Imzot
Lazër Mjedën, meshtar e atdhetar i flaktë, themelues i shoqërive letrare e botuese,
mecenat e lavrues i letrave shqipe; Imzot Luigj Bumçin, anëtar e pastaj kryetar i
Dergatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, senator i Shqipërisë; Imzot Prengë
Doçin, luftëtar i idealeve të binomit “Fe e Atdhe”, politikan e diplomat, themelues
i shoqërisë “Bashkimi” e autor krijimesh artistike; Faik Konicën, aristokratin elegant
të letrave shqipe, stilistin e madh e, së fundi, djaloshin e jashtëzakonshëm, Luigj
Gurakuqin, përfaqësuesin e politikës kombëtare e “pionierin e qytetërimit evropian”,
pastaj nxënës të tjerë të shumtë, që u bënë drejtues të administratës shqiptare, kur
kjo hidhte hapat e para të jetës vërtetë demokratike. E ajo që do ia rritë më shumë
emrin e mirë kësaj shkolle, janë shumë profesorë e nxënës, që pritet të ngjiten në
nderimet e elterit si martirë të fesë e të atdheut. Kujtojmë Imzot Bonatin, Atë Faustin,
Atë Dajanin, seminaristin Mark Çuni, të pushkatuarit Dom Lazër Shantoja, Pater Anton
Harapi, Dom Alfons Tracki, Dom Mark Dushi, Dom Dedë Maçaj, Dom Zef Bici, Dom Pjetër
Çuni, Dom Luigj Pici, Dom Mark Gjani e Dom Lazër Jubani, që vdiq i helmatisur nga
sigurimi komunist. E përfundojmë këtë përkujtim të shkurtër me vlerësimin e Faik
Konicës: “Me këto e të tjera, Kolegji Saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe
të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës munden të dëshmojnë se
ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë, të vihet në një me to”.