2011-10-17 14:29:45

Papa në mesazhin për Ditën Botërore të Ushqimit: shpërndarja e ndihmave duhet bërë me barazi


Lufta kundër urisë mund të ketë rezultate vetëm “nëse edhe Institucionet ndërkombëtare do të garantojnë barazinë dhe efikasitetin e shërbimit të tyre, duke respektuar plotësisht kushtet më të thella të shpirtit njerëzor e aspiratat e çdo njeriu”. Kështu pohon Papa Benedikti XVI në mesazhin për drejtorin e përgjithshëm të Ogranizatës Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë, Zhak Diëf, me rastin e Ditës së 30-të Botërore për Ushqimin, e cila këtë vit kishte si temë “Çmimet e ushqimeve: nga kriza në stabilitet”. Dita u kremtua dje, por ceremonia në selinë e Organizatës në Romë u mbajt sot. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, imzot Luigji Travaljino e dorëzoi mesazhin e Papës pikërisht sot paradite.
Ati i Shenjtë i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të kujtojë se çlirimi nga zgjedha e urisë është shfaqja e parë, konkrete e së drejtës për jetën. Megjithatë, pavarësisht nga deklaratat e shpalljet, ky objektiv nuk është arritur akoma. Ushqimi, nënvizon më tej Papa, nuk është mall i çfarëdollojshëm, mbi të cilin mund të bëhen manovra e spekullime. Sot, fenomeni i urisë është shtrirë kaq shumë, saqë nuk mjaftojnë më ftesat për reflektime, analiza e problemeve dhe dhënia e gatishmërisë për ndërhyrje. Papa nënvizon se përveç emergjencës, duhet ngulur këmbë në ndërhyrjet afatgjata për të zvogëluar e zhdukur gradualisht ndryshimin ndërmjet atyre, që s’kanë as të hanë e atyre, që kanë me tepri.
Sipas Benediktit XVI, i cili e ka mirë parasysh gjendjen e krijuar kohët e fundit në Bririn e Afrikës, problemi është në rrënjë, në ato vlera, shkruar nga pena e Zotit në zemrën e çdo njeriu, që jo vetëm nuk ndiqen e respektohen, por lihen mënjanë, duke justifikuar sjellje të diktuara nga egoizmi, nga objektiva, ose interesa të veçanta. Mëshira e humaniteti ndaj të tjerëve, detyra e solidaritetit dhe arritja e drejtësisë, thekson Papa, duhet të kthehen në bazën e çdo veprimtarie, edhe të atyre të bashkësisë ndërkombëtare.
Për Atin e Shenjtë, “pa solidaritet e pa vëllazërim të vërtetë, asnjë kompromis ose bisedim, sado me autoritet të jetë, nuk mund të garantojë sigurinë e nevojshme ushqimore për çdo popull e bashkësi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.