2011-10-17 12:48:01

Fjalimi i Nënë Terezës në Oslo, kur me 1979 mori Çmimin Nobel për Paqen


Data e sotme na kujton 17 tetorin e vitit 1979, kur Juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë e nderoi me Çmimin Nobel për paqen bamirësen shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.
Rregulltarja e madhe shqiptare u ngjit në tribunën ku janë ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave të varfra indiane dhe e pranoi çmimin vetëm sepse një pranim i tillë do t'u vlente shumë të varfërve të saj.
Ndonëse u shmangej intervistave, që e bezdisnin, më 17 tetor 1979, kur u ngjit në Tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, të Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut iu desh të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme. E Nënë Tereza tregon:
“Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.
Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: “Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”. E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël.
Më pas fola për abortin e thashë: “Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”.
Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë Papë më tha:“Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”.
“Lapsi i vogël në duar të Zotit”, është Nënë Tereza, bija e një populli dhe toke të vogël, që i bëri të njohur e të nderuar kudo shkeli. Arsyeja e gjithë këtij përkujtimi është pse: “Ajo ishte dëshmitare, që tundte zemrat e të gjithëve. I tundte me fenë e saj në Zotin, të shprehur përmes veprave konkrete. Duke fituar kështu edhe zemrat e hinduistëve e të myslimanëve. “Shpresoj se do t’ia dal mbanesh t’i kthej njerëzit në rrugën e Zotit – thoshte e Lumja Nënë Terezë. E kur flas për kthim, kam parasysh kthimin e zemrave. Nëse takohemi me Zotin, e mirëpresim në jetën tonë, e kjo domethënë se jemi në rrugën e kthimit. Domethënë se bëhemi hinduistë më të mirë, myslimanë më të mirë, katolikë më të mirë”.
Me këtë bindje Nënë Tereza, ashtu si Shën Pali Apostull, u bë “gjithçka për të gjithë”, e prandaj sot e nderojmë gjithkund e të gjithë, sepse u dha të varfërve në trup e në shpirt, një flakë dashurie, që duke djegur, pastron, rilindë e shpëton!Kështu duke kujtuar dhe nderuar të Lumen Nënë Terezë, në jubileun e njëqind vjetorit të lindjes, nuk duhet të harrojmë se Ajo është një mesazh dashurie, pa kufij fesh e racash, motra e vogël dhe e madhe shqiptare dinte t’u fliste të gjithëve, mësuese e artit të dashurisë vëllazërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.