2011-10-17 15:25:51

Benedikti XVI: “Jo” dhunës sektare në Indi, por respekt e harmoni ndërmjet feve


Megjithëse në Indi, jeta për të krishterët është bërë e ndërlikuar nga mosbesimi e madje nga dhuna sektare kundër tyre, katolikët duhet të jenë “tharm paqeje e harmonie ndërmjet të gjithë njerëzve vullnetmirë të feve të ndryshme”. Këtë i kërkoi Papa Kishës siro-malabareze, anëtarët e Sinodit të së cilës i priti sot në Vatikan. I pranishëm edhe Fortlumturia e Tij, kryeipeshkvi i madh Xhorxh Alençerri.
Benedikti XVI e ftoi këtë bashkësi të vogël por shumë të lashtë, pasi e ka zanafillën në kohën e Apostujve, të punojë vazhdimisht me njerëzit vullnetmirë të të gjitha feve të zonës, për të mirën e Kishës e të qytetarëve të vendit. “Në Kerala – nënvizoi Ati i Shenjtë, duke përmendur shtetin indian, ku katolicizmi është fe kryesore – Kisha siro-malabareze vazhdon të gëzojë respektin e bashkësisë lokale për hir të punës së saj në fushën e arsimit, për veprimtarinë e institucioneve të saj shoqërore e bamirëse, në shërbim të krejt bashkësisë”. Papa e nxiti bashkësinë siro-malabareze të vazhdojë në këtë rrugë.







All the contents on this site are copyrighted ©.