2011-10-17 14:29:32

Benedikti XVI mbi figurën e shën Injacit të Antiokisë


Në audiencën e përgjithshme të 14 marsit 2007 në Vatikan Papa Benedikti XVI foli mbi figurën e shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir i Krishtit, shembull i imitimit të Krishtit dhe të apostujve të Ungjillit për të gjithë.
Bashkim i çdo besimtari me Krishtin, derisa t’i përngjajë plotësisht. Bashkim i klerit dhe i besimtarëve me ipeshkvijtë për t’i kumtuar Ungjillin botës. Në audiencën e përgjithshme të 14 marsit 2007, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI u foli 40 mijë besimtarëve të pranishëm për përvojën e fesë që kërkon, mbi të gjitha, bashkim e mision. E këtë e bëri duke u nisur nga fjalët e njërit nga personalitetet më karizmatike të bashkësive të para të krishtera, Shën Injacit të Antiokisë.
“Nuk duhet ndërmarrë asnjë veprimtari që ka të bëjë me Kishën, pa ipeshkvin”. Na vjen nga Kisha më e lashtë - nga ajo në të cilën ndjehet fuqimisht freskia e kohëve të para dhe jehona e një breznie që njohu drejtpërdrejtë apostujt – një nga shtyllat mbi të cilat mbështetet tradita e saj dymijëvjeçare: bashkimi i ngushtë ndërmjet pjesëtarëve të ndryshëm të bashkësisë së krishterë, me në krye ipeshkvin.
Mijëra besimtarëve e shtegtarëve, të cilët më 14 mars 2007 e ndoqën audiencën e së mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të ndriçuar nga një diell i ëmbël pranveror, Benedikti XVI u paraqiti si shembull një bari të njohur të Antiokisë, Shën Injacin, që u quajt ‘dijetar i bashkimit’, falë energjisë së tij të ndriçuar nga Zoti, me të cilën iu kundërvu herezive, që nisën të përhapen qysh në ditët e para të vitit 100 pas Krishtit.
“Asnjë nga Etërit e Kishës nuk e shpreh me thellësinë e Shën Injacit dëshirën e zjarrtë të bashkimit me Krishtin e me jetën në Të. Në të vërtetë, tek Shën Injaci shkrihen dy rryma shpirtërore: ajo e Palit, e prirur plotësisht drejt bashkimit me Krishtin e ajo e Gjonit, e përqendruar mbi jetën në Jezusin, dy rryma që të çojnë në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit”.
Ky tension i papërballueshëm i Injacit për t’u bërë një me Krishtin – vërejti Benedikti XVI – themelon mistikën e mirëfilltë të bashkimit. Por – shpjegoi më pas Papa – bashkimi “në gjendje të pastër” gjendet vetëm në Zotin, prandaj ajo që mund të realizojnë njerëzit nuk është tjetër veçse përpjekja për t’i përngjarë, mundësisht sa më shumë, modelit. Ashtu si Papa Klementi romak – figurë tjetër e përmendur e krishterimit të lashtë, propozuar nga Benedikti XVI të mërkurën e kaluar, edhe Shën Injaci i Antiokisë ngul këmbë, me mësime e figura, mbi vlerën e bashkimit themelor që i lidh ndërmjet tyre të gjithë besimtarët në Krishtin.
Duket qartë përgjegjësia e posaçme e ipeshkvijve, e meshtarëve dhe e diakonëve në përforcimin e bashkësisë. Vlen në radhë të parë për ta ftesa për dashuri e bashkim (…) Injaci, i pari në letërsinë e krishterë, e quan Kishën ‘katolike’, dmth ‘universale”. E pikërisht në shërbimin që i bën unitetit të Kishës katolike, bashkësia e krishterë e Romës, sipas tij, ushtron një lloj parie në dashuri (…). Siç shihet, Injaci është vërtetë “doktor në unitet’.
Në fund të fundit - pohoi Benedikti XVI- realizmi i Shën Injacit i fton të krishterët e djeshëm e të sotëm të zotërojnë atë shpirt të pandarë, që është vetë Krishti.
“Fton kështu për sintezën progresive ndërmjet përpjekjes për t’i shëmbëllyer Krishtit e përkushtimit ndaj Kishës, ndërmjet bashkimit të Kishës brendapërbrenda e misionit. E ne lutemi që Zoti të na ndihmojë ta gjejmë këtë unitet, sepse është dashuria ajo që pastron shpirtrat”.
Mësimi i Shën Injacit u aktualizua në fjalët që Papa, pasi i përshëndeti në dhjetë gjuhë shtegtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, u drejtoi besimtarëve nga Pulia, të cilët shoqëroheshin nga ipeshkvijtë e tyre, të pranishëm në Romë për vizitën ‘ad Limina”:
Të dashur miq, ju jap zemër të bashkëpunoni gjithnjë më shumë në misionin e Kishës për të përballuar kështu me hov të ri apostolik, sfidat e panumërta shoqërore e fetare të epokës së sotme. E ju, të dashur vëllezër në Ipeshkvi, mos u lodhni kurrë s’i nxituri ata që i janë besuar kujdesit tuaj baritor për ta takuar Krishtin e gjallë mes nesh, duke i përmbushur plotësisht mësimet e Ungjillit e kërkesat morale që burojnë prej tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.