2011-10-16 18:31:54

U paraqit kanali i ri i internetit “www.aleteia.org”, i hapur për të gjithë kërkimtarët e së vërtetës.


Është “www.aleteia.org” adresa e kanalit të ri të internetit, që u paraqit dje, me rastin e takimit të madh, organizuar në Vatikan nga Këshilli Papnor për ungjillëzimin e ri. Emri “aleiteia”, marrë nga greqishtja, do të thotë “e vërteta, që zbulohet”. E ky është edhe qëllimi i kanalit të ri: të bëjë pyetje e të japë përgjigje për fenë katolike, për jetën e shoqërinë. Të gjithë “kërkuesit e së vërtetës janë të thirrur të marrin pjesë në debatin, që mund të gjallërohet edhe në social network, me faqe kushtuar në Facebook, Twiter e You tube. Është, pra, përpjekje për dialog, për ndërtimin e një ure ndërmjet atyre që besojnë e atyre që kërkojnë përgjigje për kuptimin e jetës së tyre.Kanali i ri “aleteia”, nën kujdesin e “Fondacionit për ungjillëzimin me mediat” u realizua në sajë të bashkëpunimit të shumë realiteteve katolike, që punojnë në këtë drejtim. Është përpjekje moderne për t’i dhënë përgjigje konkrete sfidave komunikative, që Benedikti XVI i thekson me forcë në mesazhet për Ditët Botërore të Komunikimeve Shoqërore. Kanali, vënë në jetë nga një grup specialistësh, gazetarësh, teologësh e punonjësish të tjerë të mediave, do të hapet zyrtarisht më 19 tetor. Do të flasë në katër gjuhë: italisht, anglisht, frëngjisht e spanjisht, për të arritur shumë shpejt edhe në variantin arab, portugez e, më pas, edhe në gjuhë të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.