2011-10-16 18:40:25

Të indinjuarit në sheshet e botës, manifestojnë në një atmosferë paqësore, me përjashtim të Romës.


Protestat nëpër rrugë, që filluan në distriktin financiar të Nju Jorkut, Uoll Strit, para një muaji, u përhapen në gjithë botën, teksa numërohen plot 900 qytete që kanë ngritur krye. Në to marrin pjesë kryesisht të rinjtë, të cilët demonstrojnë kundër kapitalizmit, varfërisë, pabarazisë, racizmit, energjisë bërthamore dhe padrejtësive të tjera shoqërore, siç i shikojnë ata.Qindra protestues marshuan në Filipine, Japoni, Hong Kong, Taivan, Australi, Kore të Jugut dhe vende të tjera në mbështetje të protestave në Nju Jork duke dënuar, siç u shprehën ata, "imperializmin amerikan si dhe agresionin dhe luftërat e udhëhequra nga Amerika". Për t'u veçuar, shfaqja e Julian Assange në mbështetje të protestuesve në Londër, ndërsa në Romë pati një ndeshje të mirëfilltë ndërmjet protestuesve dhe policisë. Tensioni u thellua kur grupe black blok depërtuan në radhët e lëvizjes së njerëzve të indinjuar, që protestonin paqësisht kundër qeverive e bankave, të konsideruar si përgjegjëse për krizën ekonomike. Nga protesta paqësore, u kalua në atë të dhunshme: u dogjën automobilë, u thyen xhamat e vitrinave të supemerkateve e të bankave, u sulmua Ministria e Mbrojtjes. Situata më e vështirë u krijua në Sheshin e Shën Gjonit. Gjatë ndeshjes u plagosën rreth 130 vetë nga manifestuesit dhe forcat e rendit. Tre prej tyre, në gjendje të rëndë. 12, të arrestuarit.
Ngjarja u dënua njëzëri nga gjithë bota politike.Duke folur për këtë ngjarje tejet të hidhur, kardinali mëkëmbës i Romës, Agostino Valini, shprehu shqetësimin e tij të thellë. “S’mund të mos tronditesh, kur shikon skena të tilla të guerriljes – nënvizoi Prelati i lartë - i cili në vijim shprehu edhe shqetësimin për hyrjen me forcë të disa përfaqësuesve të dhunës në Kishën romake të shenjtorëve Pjetri e Marçelini. Kardinali Valini e quajti episodin “blasfemi e dhunim”, duke pasur sidomos parasysh faktin se gjatë pranisë së tutazinjve në Kishë, u thye një shtatore e Zojës dhe një Kryq.







All the contents on this site are copyrighted ©.