2011-10-16 18:39:33

Shenjtorët e javës


Sot 16 tetor e diel, Kisha kremton të dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë sot më 16 tetor sipas kalendarit Kishtar bie përkujtimi i shën Edvigës, dukeshë e Polonisë, rregulltare, të shën Margeritës Alakok, virgjër e Vizitacionit dhe të shën Gjerardo Maielës, vëlla laik redentorist. Festa e tyre na kujton se feja na ndihmon ta njohim e ta lexojmë jetën në këndvështrimin e Hyjit, duke u mbështetur plotësisht në Të e duke e bekuar në amshim emrin e Zotit.
Të hënën më 17 tetor, sipas kalendarit kishtar bie festa e shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe e shën Pjetër Kasanit, meshtar skollop. Liturgjia e ditës na kujton se Ligjin hyjnor, dritë për hapat tanë, Zoti na e dha për të na ndihmuar në rrugën tejet të vështirë të jetës.
Të martën e ardhshme, më 18 tetor, Kisha përkujton shën Lukën ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve. Liturgjia e ditës na kujton se edhe sot e kësaj dite kumtimi i Fjalës së Zotit, pra i Mbretërisë së Hyjit mbetet urgjent e se të korrat janë të shumta, ndërsa punëtorët, të paktë. Prandaj, posa i nisi të dymbëdhjetë apostujt, Jezusi çoi pas tyre edhe shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë, me urdhrin që t’i luteshin të zotit të të korrave të dërgonte punëtorë të tjerë në arë.
Të mërkurën më 19 tetor, ditën e martë, përkujtohet shën Pali i Kryqit, meshtar e themelues i rregulltarëve pasionistë, shën Gjon Brëbëfi dhe shën Isaku Joges, meshtarë e Shokët, jeuzitë martirë kanadezë. Zoti ia shpall paqen popullit të vet, na mëson liturgjia e kësaj dite. I krishteri duhet të rrijë gati, në mënyrë që të mund të marrë pjesë në banketin dasmor të përgatitur prej Hyjit.
Të enjten më 20 tetor, kalendari përkujton shën Irenën e Portugalisë, shën Adelinën, shën Maria Bertila Boskardinin dhe shën Vitalin. Dashuria e Zotit është kërkuese, na tregon Ungjilli i ditës. Edhe shën Palit Apostull, ashtu si të gjithëve, i kërkohet të kundrojë pasurinë e Krishtit, që të mos bëhet kurrë si shërbëtori, që nuk e pret të zotin.
Të premten më 21 tetor, sipas kalendarit kishtar, bie përkujtimi i shën Gasprit nga Bufalo, i shën Orsolës e shën Çeçiles. Me dashurinë e Zotit është plot toka, thonë leximet e kësaj dite. Paqja që Jezusi sjell mbi dhe nuk është thjesht mungesë lufte, por kërkon t’i pranojmë dallimet e kundërshtitë për t’i pëlqyer Zotit, më shumë se sa njerëzve.
Të shtunën më 22 tetor, bie përkujtimi i shën Markut, ipeshkëv i Jerusalemit, shën Donatit Skoto nga Fiezole, dhe e të Lumit Gjon Palit II. Të gjithë këta shenjtorë e kërkuan me ngulm fytyrën e Zotit. Kush është i aftë të kuptojë shenjat e kohës di edhe si ta pranojë Krishtin, i cili shfaqet në ngjarjet e vogla e të fshehta të jetës.
Të dielën e ardhshme me 23 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 23 tetor kalendari kishtar përkujton edhe shën Gjon Kapestranin e shën Severinin. Bie Dita Botërore Misionare. Këta shenjtorë na mësojnë se për të sjellë fryte në këtë botë duhet të arrijmë maturinë e plotë. E për këtë, është e nevojshme të drejtohemi gjithnjë kah Krishti, për të parë dhuratat, që Zoti i ka dhënë secilit.







All the contents on this site are copyrighted ©.