2011-10-16 18:22:20

Papa shpall “Vitin e Fesë”: misioni i Kishës është të flasë për Zotin.


Në Meshën për ungjillëzuesit e rinj, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Vatikanit, Papa Benedikti XVI shpalli “Vitin e Fesë”, që do të fillojë më 11 tetorin e vitit të ardhshëm. Ky vit – kujtoi Ati i Shenjtë – shpallet për ta ndihmuar botën ta njohë bukurinë e Ungjillit, që jep jetë. E më pas shpjegoi:
“Për t’i dhënë një hov të ri misionit të mbarë Kishës, që t’i udhëheqë njerëzit jashtë shkretëtirës, ku gjenden shpesh, drejt vendit të jetës, të miqësisë me Krishtin, i cili na jep jetë me begati, dëshiroj të njoftoj, në këtë kremtim eukaristik, se vendosa të shpall “Vitin e Fesë”.
Këto, fjalët e Papës në përfundim të homelisë: Viti i Fesë do të hapet më 11 tetor 2012, me rastin e 50-vjetorit të fillimit të Koncilit II të Vatikanit, do të mbyllet më 25 nëntor 2013, në Solemnitetin e Krishtit, Mbret i Gjithësisë dhe do të shpjegohet me një Letër apostolike:
“Do të jetë një çast hiri dhe impenjimi për t’u kthyer gjithnjë më shumë kah Zoti, për të forcuar besimin tonë në Të e për t’ ia kumtuar me gëzim njeriut të kohëve tona”.
Benedikti XVI, gjatë procesionit të hyrjes nga sakrestia, drejt elterit të madh, ashtu si dhe në përfundim të Meshës - i shoqëruar nga të pranishmit me duartrokitje të përzemërta - përdori pedanën lëvizëse, si pati bërë më parë edhe Gjon Pali II, thjesht për të lehtësuar impenjimin e sotëm - siç njoftoi edhe drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi.
Në homeli, duke komentuar leximet e Liturgjisë të së dielës, Papa kujtoi se misioni i Kishës duhet kuptuar sipas “domethënies teologjike të historisë”, me vetëdijen se ndryshimet epokale, fuqitë e mëdha që i zënë vendin njëra-tjetrës, janë nën sundimin më të lartë të vetë Zotit, të cilit nuk mund t’ia zërë vendin asnjë pushtet tokësor:
Teologjia e historisë është aspekt i rëndësishëm, themelor, i ungjillëzimit të ri, sepse njerëzit e kohëve tona, pas stinës të kobshme të perandorive totalitare të shekullit XX, kanë nevojë për një shikim të përgjithshëm mbi botën e mbi kohën, për një shikim vërtet të lirë e paqësor”.
Çdo misionar i sotëm i Ungjillit - nënvizoi Papa - duhet ta ketë mirë parasysh se zemrat i prek vetë Zoti me Fjalën e tij e me Shpirtin e tij, se nuk jemi ne, që i zgjedhim anëtarët e bashkësisë. Është vetë Zoti ai, që i thërret njerëzit në rrugën e fesë. Përveç kësaj, ungjillëzimi, që të jetë i frytshëm, ka nevojë për forcën e Shpirtit Shenjt. Shpirti i Zotit i jep jetë kumtimit, e përforcon njeriun, që ka sigurinë e plotë, për të cilën flet Shën Pali Apostull, “ungjillëzuesi më i madh i të gjitha kohëve”. Më pas Benedikti XVI i ftoi të gjithë t’ia kumtojnë botës Krishtin, që është rruga për arritjen e jetës së vërtetë:
“Ungjillëzuesit e rinj janë të thirrur të ecin të parët në këtë Udhë, që është Krishti , për t’i ndihmuar, kështu, edhe të tjerët, ta njohin bukurinë e Ungjillit jetëdhënës. E në këtë rrugë nuk ecet kurrë vetëm, por në shoqëri; është përvojë bashkimi e vëllazërie, e cila u ofrohet atyre që takojmë, për të marrë pjesë në përvojën tonë të Krishtit e të Kishës së Tij. Kështu dëshmia, e bashkuar me kumtimin, mund t’ia hapë zemrat njerëzve, që janë në kërkim të së vërtetës e t’i ndihmojë për të gjetur kuptimin e jetës”.
Duke komentuar thënien e Jezusit në Ungjillin e sotëm “Jepini, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit” (Mt 22,21), Papa pohoi se kjo shprehje nuk mund të kufizohet vetëm në fushën politike. Me që haraçi i Cezarit do paguar, sepse fytyra e vulosur mbi monedhë është tija, duhet thënë edhe se çdo njeri mbart mbi vete shembëlltyrën e Zotit. Për më tepër, duhet kujtuar se çdo njeri është borxhli ndaj atij, që i dhuroi gjënë më të çmuar: jetën. Në këtë kuptim Kisha nuk kufizohet t’i mësojë njerëzit për ta dalluar si duhet sferën e autoritetit të Cesarit nga ajo e Zotit, atë të fushës politike nga ajo fetare:
Misioni i Kishës, si ai i Krishtit, është kryesisht të flasë për Zotin, të kujtojë sovranitetit e tij, t’u bëjë thirrje të gjithëve, posaçërisht të krishterëve, të cilët e kanë humbur identitetin e tyre, të drejtën që ka Zoti mbi gjithçka i përket, domethënë, mbi vetë jetën”.
Së fundi Papa u paraqiti të gjithë ungjillëzuesve, si model e si prijëse, Virgjërën Mari, që nuk pati frikë t’i përgjigjej ‘po’ Fjalës së Zotit: “Mësoni nga Nëna e Zotit e Nëna jonë të jeni të përvuajtur e, njëkohësisht, edhe të guximshëm, të thjeshtë, të urtë, të butë e të fortë, jo me forcën e botës, por me atë të së vërtetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.