2011-10-16 18:40:38

Në 33 vjetorin e Papnisë së Gjon Palit, Berisha: Frymëzim për popujt e shtypur.


Ambasada polake në Tiranë në 33 vjetorin e Pontifikimit të Papa Gjon Palit II ka celur një ekspozitë fotografike në qendrën sociale ‘Don Bosko’ në Tiranë.

Ekspozita përmban 70 fotografi gjatë momentit të dhimbjes së madhe të Papës në momentet e fundit të jetës si dhe përjetimit të njerëzimit për humbjen e tij.

Gjatë fjalës së saj në këtë event ambasadorja polake Irena Tatarzynska, u shpreh se Papa nuk ka vdekur, por ai jeton në kujtimin e njerëzve.

“Këto fotografi kanë ardhur nga vende të ndryshme. Miliona njerëz e kanë përjetuar me dhimbje të madhe vdekjen e Papës në 2 prill 2005. Papa nuk ka vdekur, ai jeton me ne, jeton mes popujve ka shkuar një qytetar në librin e ngushëllimeve”,- theksoi ambasadorja polake.

Kryeministri i vendit Sali Berisha u shpreh se 33 vjetori i Pontifikimit është një ditë përkujtimore për mbarë njerëzimin. Berisha solli në kujtesën e tij vizitën që Gjon Pali i II, kreu në Shqipërinë post komuniste.

“Ajo vizitë pati një simbolikë të vecantë. Ne aeroportin e Tiranës pata fatin ta pres me Nënë Terezën, dhuratën më të madhe që kombi shqiptar i ka bërë njerëzimit në të gjitha kohërat. Kjo ishte dita e lumturimit më të madh tokësor të Nënë Terezës. Në takimin e parë me atin e shenjtë në vitin 1991 do më rrëfente se ai lutej cdo ditë për Shqipërinë. Askush asokohe nuk kishte ndjekur më me vëmendje tragjedinë e madhe të shqiptareve nën regjimin e Enver Hoxhës. Ishte lutur cdo ditë për shqiptarët. Por, thirrjet e tij në Pulia ishin frymëzim i madh në fillim të viteve 80 pasi do të njoftonte qytetarët e këtij vendi të zhytur në izolimin më të thellë se ata nuk janë të harruar”,- kujtoi Berisha.

Kreu i ekzekutivit e cilësoi Papa Vojtilën si burim frymëzimi për kombet e shtypura, ndërsa thirrja e tij ‘mos kini frikë’ do mbetej thirrje e përjetshme për liri, theksoi Berisha.

“Papa Gjon Pali II udhëhoqi jo vetëm kishën katolike, por frymëzoi popujt e shtypur të Europës në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor. Mesazhi i tij hyjnor, drejtuar polakëve por jo vetëm, të gjithë popujve të shtypur, mos kini frikë, do mbetet thirrje e pëjetshme për liri, për të gjithë ata që vuajnë nga regjime shtypëse dhe barbare. Por për shqiptarët Papa Gjon Pali është një nga miqtë më të mëdhejtë dhe të çmuar në tërë historinë kombëtare”,- nënvizoi kryeministri.

Në fund të ceremonisë kryeministri nuk ka dashur tu përgjigjet interesit të gazetarëve në lidhje me replikat më të fundit Topi-Topalli.
“Sot jam në nderim të njërit të burrave më të mëdhenj të të gjitha kohërave”,- komentoi Berisha.
(e.m/BalkanWeb)







All the contents on this site are copyrighted ©.