2011-10-16 18:38:40

Editorial i atë Federiko Lombardit: Mrekullia e heshtjes


Të dielën e kaluar, Papa Benedikti XVI ishte për vizitë baritore në Kalabri, në veçanti, në Lamecia Terme dhe në Serra San Bruno. Pikërisht këtu jeton në klauzurë një grup murgjërish të Shën Brunos, të cilët nuk flasin as me njëri-tjetrin për t’iu kushtuar plotësisht lutjes e dialogut shpirtëror me Zotin. Ky dhe çaste të tjera të veprimtarisë së Kishës janë në qendër të komentit të sotëm javor të zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, kushtuar heshtjes:RealAudioMP3

“Më 29 shtator u njoftua tema e reflektimit për Ditën e ardhshme Botërore të Komunikimeve Shoqërore: “Heshtja e Fjala: rruga e ungjillëzimit” e, pak ditë më vonë, të dielën më 9 tetor, Papa shkoi në Çertozën e Serra San Brunos, në Kalabri, për t’u lutur me murgjërit në një nga vendet më karakteristike të përshpirtërisë së kishës, ku – siç thoshte Eprori – prej shekujsh “mbahet ndezur llampa e lutjes në heshtje, në fshehtësi”.
Nuk ka kundërshti ndërmjet heshtjes e fjalës, ndërmjet lutjes dhe shpalljes. Sepse heshtja është premisa thelbësore për të pranuar e përgatitur dëgjimin e Fjalës. Sepse tingëllimi i fjalës merr kuptim pikërisht nga intervali i heshtjes, që i vjen pas.
Për njeriun e sotëm, të zhytur në fluksin e zhurmës së vazhdueshme – fizike apo mendore – jeta e murgjërve zgjon admirim e një lloj frike plot respekt, nostalgji e ritmeve dhe e ekuilibrit të jetës, humbur në të kaluarën. Gjithsesi, gati të gjithë e ndjejnë tërheqjen dhe e kuptojnë – të paktën, ashtu ngatërruar – rëndësinë thelbësore, që ka një vend ku heshtja nuk është boshllëk i asgjësë, por frymëmarrja e shpirtit, ku është e mundur të dëgjohet rrotullimi pa zë i sferave qiellore e, në fund, vërshëllima e “puhizës së lehtë”, prania e Zotit, “Realiteti më i vërtetë që mund të ekzistojë – siç tha Papa – i cili shkon përtej çdo përmase të prekshme”.
Ndërsa e pyesim veten si mund t’i japim krahë “ungjillëzimit të ri” dhe mesazheve të tij, të mos harrojmë se efikasiteti i tyre lind nga dëgjimi, premisat e të cilit gjenden në heshtjen e mbushur me realitetin e jetës së Zotit. Jeta e fshehur e murgjërve të klauzurës – siç thoshte Eprori i tyre – të cilët “në Zotin e ndjejnë veten afër të gjithë njerëzve të tokës, sidomos pranë atyre që kërkojnë, luftojnë dhe vuajnë”, na shoqëron e na ngushëllon”.







All the contents on this site are copyrighted ©.