2011-10-16 18:37:48

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: misionarë fisnikë e guximtarë për kohët tona


Misionarët duhet “Të rikujtojnë bukurinë dhe qendërsinë e fesë”: Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, përsëriti thirrjen urgjente për kumtimin e ri të Ungjillit, posaçërisht ndër vendet me traditë të lashtë kristiane.
“Krishti erdhi për të gjithë. Uroj, prandaj, që Shpirti Shenjt të frymëzojë misionarë të fisëm e guximtarë për kohët tona”. Kështu u shpreh Benedikti XVI në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve francezë, bashkuar me besimtarë nga mbarë bota në Sheshin e Shën Pjetrit, pas Meshës për Ungjillëzimin e ri. Gjatë lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi të gjitha arsyet, që e nxisin Kishën të punojë me zell të përtërirë për kumtimin e ri të Ungjillit, duke pasur parasysh edhe vitin e ardhshëm, kushtuar fesë:
Mendoj se, pasi kaloi një gjysëm shekulli nga hapja e Koncilit, lidhur me kujtimin e të Lumit Gjoni XXIII, është e nevojshme të vëmë përsëri theksin mbi bukurinë dhe qendërsinë e fesë, mbi kërkesën për ta fuqizuar e për ta thelluar në nivelin vetjak e në atë të bashkësisë e për ta bërë, në të ardhmen, jo aq kremtore, sa misionare, në perspektivën e misionit ndërmjet popujve e në atë të ungjillëzimit të ri”.
Më pas Ati i Shenjtë, duke vijuar komentin e liturgjisë të së dielës, shpjegoi fjalët e Shën Palit drejtuar Selanikasve “Ungjilli ynë nuk u përhap ndërmjet jush vetëm me fjalën, por edhe me pushtetin e Shpirtit Shenjt e me bindje të thellë”. Prej këndej, urimi i Benediktit XVI: “Kjo fjalë e Apostullit të Popujve qoftë urim e program për misionarët e sotëm - meshtarë rregulltarë e laikë – të impenjuar për t’ia kumtuar Krishtin atij, që nuk e njeh, ose që e pranon thjesht si personalitet historik”.







All the contents on this site are copyrighted ©.