2011-10-14 18:10:46

Takim i Fondacionit "Centesimus Annus": Vlera e familjes në botën e biznesit për kapërcimin e krizës ekonomike


Vlera e familjes në botën e biznesit për kapërcimin e krizës ekonomike. Kjo është tema e takimit të organizuar në Romë nga Fondacioni “Centesimus Annus-Pro Pontefice”, për të kremtuar 20-vjetorin e Enciklikës së madhe shoqërore të Papës së lum Gjon Pali II. Dy ditë debatesh për familjen, ekonominë, solidaritetin, që do të arrijnë kulmin nesër me pritjen, që u rezervon Benedikti XVI në Vatikan, anëtarëve të fondacionit, me të njëjtin emër si enciklika e Papës Vojtila.
Familja është një bashkësi solidare, që jeton e punon për të mirën e përbashkët. Kur ky koncept, i përsëritur shpesh nga papët, zbatohet për biznesin familjar sjell një fenomen shoqëror, që duhet çmuar e mbrojtur. Jo vetëm sepse familjet janë në gjendje të mbrojnë anëtarët e vet dhe të krijojnë punë të qëndrueshme në kohë për ta, por edhe sepse janë në gjendje të solidarizojnë më frytshëm me firmat e tjera të të njëjtit lloj, duke e përmirësuar shoqërinë. Vlerat e saj, nga e cila duhet të marrë shembull e gjithë shoqëria, sipas Fondacionit “Centesimus Annus”, janë bashkëpunimi, mbështetja e ndërsjelltë, ndihma në të mirë e në të keq. Ashtu si në familje, nënvizon Fondacioni, edhe ndërmjet ndërmarrjeve të ndryshme nuk duhet të kemi vetëm konkurrencë, por edhe bashkëpunim për të kapërcyer vështirësitë e krizës aktuale. Familja është model bashkësie pune e solidariteti.







All the contents on this site are copyrighted ©.