2011-10-14 17:35:31

Papa Ronkali në Stamboll: një libër kujton miqësinë e tij me Turqinë.


“Stambolli, pikë ku takohen dy botë”. Ky është titulli i vëllimit, shkruar nga Rinaldo Marmara, zëdhënës i Konferencës ipeshkvnore të Turqisë. Flet për praninë e imzotit të asokohshëm Ronkali në Turqi, nga viti 1935, deri në vitin 1944. Qëllimi është të kujtojë jetën dhe veprimtarinë e prelatit në këtë qytet si dhe fillimin e marrëdhënieve miqësore, që krijoi Papa i ardhshëm Gjoni XXIII, së pari si delegat apostolik, e më pas, si Kryebari i Kishës Katolike, për të arritur deri në realizimin e lidhjeve të mirëfillta të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Titulli – njofton agjencia AsiaNews – nënvizon se Papa Ronkali arriti të lidhë dy botë, dy kultura, dy fe, të lidhë dy qytete, me një simbolikë të thellë e të gjithanshme: Romën e Stambollin.Renato Marmara, që është edhe historian zyrtar i Vikariatit të Stambollit si dhe drejtor i arkivit të këtij Vikariati, shpjegon se gjatë dhjetë vjetëve të kaluara në Stamboll si delegat apostolik, imzot Ronkali krijoi në mjediset qeveritare turke, frymën e miqësisë me Selinë e Shenjtë, të cilën e thelloi më tej gjatë papnisë së tij. Pas vizitës së Calal Bayar, President i Republikës së Turqisë, tek Papa Gjoni XXIII, më 11 qershor 1959, Vatikani e Turqia vendosën, reciprokisht, të shkëmbenin përfaqësitë zyrtare, që nisën veprimtarinë e tyre më 21 janar 1961, kur nunci i parë apostolik, imzot Françesko Lardone, u vendos në Ankara. Imzot Ronkali – shpjegon akoma autori i librit – e dinte mirë se nunci i ri nuk do të kishte rol tjetër në Turqi, veç atij shpirtëror e baritor. Gjithsesi u shprehu autoriteteve civile nderimin dhe mirënjohjen për këtë hap të parë, kaq të rëndësishëm, gjë që u prit me admirim të thellë nga pala tjetër. Nuk ishte miqësi e rastit, kjo e Papës Ronkali. Nuk lidhej thjesht me praninë e tij në Turqi. Lidhej konkretisht me atë vëllazëri universale, të cilën e kërkonte vetë Krishti, së cilës Papa Ronkali i shërbeu me thjeshtësinë e mirësinë proverbiale, që e karakterizoi gjatë gjithë jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.