Më 14 tetor kalendari përkujton shën Kalistin I, papë
Kalisti, pasardhës i Papës Zeririnit (217) në kohën e të cilit ishte diakon i tij,
e lidhi emrin e tij me katakombet romake e me kultin e martirëve të krishterë. Shën
Kalisti, Papë mbrojti fenë trinitare kundër disa devijimeve e pësoi martirizimin për
fenë e tij në Krishtin në Romë në vitin 222 në vendin ku u ndërtua një Kishë kushtuar
atij. Në Romë janë të njohura katakombet e shën Kalistit, gjatë rrugës Apia. Ndërmjet
shumë varreve të nëndheshme të Qytetit të Amshuar, këto të Shën Kalistit janë më të
vizituarat, të famshme posaçërisht për ‘Kriptën e Papëve’. Por ndërmjet shumë
martirëve e papëve, që pushojnë në paqe në këtë vend, shtegtari e kërkon më kot varrin
e Kalistit. Ai, që i dha emrin këtyre katakombeve, që shënohet sot në kalendarin e
Kishës katolike e që nderohet si martir, nuk është aty. Fati i këtij shën Kalistit
I, Papë në fillimet e shekullit III, është vërtetë i çuditshëm. Në kohën e vet pati
shumë kundërshtarë ndërmjet disidentëve të Romës, e pikërisht nga një shkrim i kryetarit
të këtyre të krishterëve të përçarë, dmth nga një antipapë, i kemi pothuajse të gjitha
të dhënat për Shën Kalistin. Natyrisht, duhen lexuar përmbys, sepse e paraqesin shenjtin
si njeri plot me gabime, gati-gati të denjë për t’u urryer. Shkruhet se para se të
bëhej papë, qe skllav e mashtrues. I ikur në Portugali, u arrestua e u mbart në Romë,
ku u dënua të bënte punë të detyruar në minierat e Sardenjës. Si u kthye në Romë,
duke përfituar nga një amnisti, u dërgua në Ancio. Ndërkaq Papa Zefirini e thirri
në Romë e i besoi kujdesin e varrezave të Kishës. Nisi kështu gërmimin e varrezës
së madhe poshtë rrugës Apia, që mban edhe sot e kësaj dite emrin e tij. E, pas vdekjes
së Zefirinit, u zgjodh papë e vijoi të kujdeset jo vetëm për shpirtrat e të vdekurve,
por edhe për ato të të gjallëve. Gjithsesi papnia e tij u pa me sy armiqësor nga
një krah i bashkësisë së krishterë të Romës, e cila e akuzoi, pa të drejtë, për herezi.
Qortohej për zell të paktë, ndërsa në një periudhë begatie, vendosi të agjërohet në
Kohën e Katërt. Përflitej për mungesë ashpërsie disiplinore, sepse pranonte në Kishë
mëkatarët e penduar e të krishterët që ishin ligështuar në kohë rreziku. Por çfarëdo
lloj reje e zezë që të jetë shtrirë mbi jetën e shën Kalistit, u davarit me vdekjen
e tij. Papa Kalisti vdiq si martir. U hodh në një pus të Trasteverit, gjatë një kryengritjeje
kundër të krishterëve, në vitin 222. Trupi i tij u varros përtej Lumit, gjatë rrugës
Aurelia, larg nga katakombet, që i pati hapur në rrugën Apia e që ruajnë emrin e shën
Kalistit, por jo reliket e tij.