2011-10-14 17:59:11

Kinë: roli i intelektualëve katolikë në jetën e Kishës.


“Roli i intelektualëve katolikë në jetën e Kishës” ishte tema e takimit të 9-të të intelektualëve katolikë të provincës Zhe Zhiang, mbajtur më 7 deri më 9 tetorin e kaluar në dioqezën e Ven Zhou-ut. Sipas njoftimeve, mbledhur nga agjencia Fides, 68 pjesëmarrës, ardhur nga 10 qytete dhe lokalitete të provincës bregdetare jugperëndimore kineze, ndoqën 3 ditët e ngarkuara me veprimtari kishtare e kulturore. Ishin mjekë, profesorë universitarë, arkitektë, inxhinierë, ekonomistë katolikë e përfaqësues të profesioneve të tjera, me moshë 25 deri në 78 vjeç. Njerëz me rol vendimtar në zhvillimin e shoqërisë. Sipas organizatorëve, intelektualët, që dëshironin të merrenin pjesë në këtë takim, ishin shumë më tepër. Por, për shkak të mundësive të kufizuara organizative, u mblodh vetëm një grup. Gjithsesi, çdo vit po bëhen përpjekje për programimin e tipeve të ndryshme të takimeve, për ta përmirësuar rolin e intelektualëve katolikë në veprimtarinë baritore e në ungjillëzim.
Një takim i kësaj natyre është bërë traditë që prej 9 vitesh. Nga viti 2003, kur u organizua së pari, gjatë çdo takimi, që zgjat tri ditë, intelektualët katolikë shkëmbejnë përvojën e tyre të fesë e të impenjimit në jetën e Kishës, duke kremtuar meshë, duke thënë lutje, duke organizuar veprimtari shpirtërore, shtegtime e tryeza të rrumbullakta. Nisma, e realizuar me sukses, po përhapet edhe në provincat e tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.