2011-10-13 12:02:39

Çelësi i fjalëve të Kishës: 'dhuna' në dritën e fesë katolike


Të dashur dëgjues, këtyre ditëve, opinioni publik u trondit nga dhuna e ushtruar kundër koptëve ortodoksë në Egjipt, për të cilën e ngriti dje zërin edhe Papa Benedikti XVI. Ipeshkvijtë evropianë deklaruan sot se janë pranë të krishterëve egjiptianë dhe i kërkojnë qeverisë t’i mbrojë. 36 viktima në ndeshjet me ushtrinë e mëse 300 të plagosur tregojnë se të krishterët janë akoma grupi më i persekutuar në botë. Por si e sheh ”dhunën” feja katolike? Kjo është tema e emisionit të sotëm.
Një studiues i Biblës, Rajmund Shvager, vëren se në 600 pjesë të Shkrimit të Shenjtë informohemi për popuj, mbretër e individë, që sulmojnë e vrasin të tjerët; në mëse 100 pjesë të tjera, është zemërimi i Zotit, që dënon me vdekje, shkatërrim e zjarr dhe në 100 pjesë akoma, është vetë Zoti, ai që jep urdhër për të vrarë njerëzit. Dihet se Besëlidhja e Vjetër e përfshin ligjin e dënimit me vdekje. Mjafton të lexojmë kapitullin e 10-të të Jozuehut për të zbuluar pasojat e ”anatemës” (në hebraisht ”herem”), e cila synon zhdukjen e shkatërrimin tërësor të njerëzve e të qyteteve armike.
Para faqeve të tilla, që kullojnë gjak - pasqyrim i ngjarjeve njerëzore të të gjitha kohërave, duke filluar nga vëllavrasja e Kainit - është e qartë se parimi, sipas të cilit çdo gjë që thuhet në Bibël duhet besuar verbërisht, bëhet i rrezikshëm kur zbatohet në mënyrë mekanike e fjalë për fjalë. Këtu i ka rrënjët ”fondamentalizmi”, i cili duke pushtuar mendjen edhe të një personi, që dëshiron vetëm të jetë besimtar i mirë, kalon në paradoks, për të mos thënë në absurditet dramatik.
Është folur shumë për interpretimin e drejtë të Shkrimit të Shenjtë, në të cilin duhen pasur parasysh si aspekti letrar - i gjuhës, i mënyrës së shprehjes, aspekt i lidhur me historinë e njeriut – ashtu edhe ai teologjik. Bibla, si Besëlidhja e Vjetër, ashtu edhe ajo e Re, nuk është një përmbledhje tekstesh, ose teoremash abstrakte, që duhen pranuar e zbatuar automatikisht. Siç duket qartë në çdo faqe, ajo është paraqitja e historisë së shëlbimit të njerëzimit. Zoti na zbulohet duke hyrë në historinë tonë, të mbushur me mëkate e mjerime, e dalëngadalë, me durim, e udhëheq njeriun drejt horizontit më të lartë e më të përsosur të së vërtetës e të dashurisë.
Pra, Zbulimi Hyjnor nuk është fjala, që qëndron pezull në qiell e komunikohet vetëm përmes ekstazës, por është fara, që i bën udhë vetes në terrenin e shurdhër e me pak dritë të ekzistencës tokësore. Atëherë, ne nuk duhet të ndalemi vetëm në hapin e parë, vetëm në konstatimin e dhunës, pasi ajo mund të jetë shprehje e edukimit plot durim të Zotit para ”ngurtësisë së zemrave” të njeriut. Madje, kjo vlen edhe për dhunën që ndodhi në disa periudha të epokës së krishterë, dhunë që është krejtësisht në kundërshtim me Ungjillin e Jezu Krishtit.
Por jo vetëm Krishti – ”paqja jonë”, siç thotë shën Pali, Ai që na fton t’i kthejmë armikut edhe faqen tjetër – është kundër shfrimit me dhunë. Që në Besëlidhjen e Vjetër shihet një Zot, që fal deri në të njëmijtin brez (Es 34,7), që beson në kthimin e mëkatarit, që ndryshon, madje, mendimin e nuk e ushtron drejtësinë e Tij mbi të keqin (Es 32,14). Mund të marrim këtu, si shembull, dy tekste emblematike. I pari është ai në Librin e Ezekielit profet: ”Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit – është fjala e Zotit Hyj – e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?... Unë nuk i kënaqem vdekjes së vdekatarit” (18,23.32). I dyti ndodhet në Librin e Urtisë: ”Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe…Duke vepruar në këtë mënyrë, ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm” (12,18-19).
Mund të themi pra, se dhuna e pranishme në Bibël është shenja e ”mishërimit” të Fjalës së Zotit, e cila nuk qëndron e ndrydhur mes reve të qiellit e në formula të përsosura, por lidhet me historinë reale të njerëzimit, për të fituar mbi të keqen e për ta çuar Gjithësinë drejt harmonisë, së parashikuar nga Hyji në planin e tij fillestar. Një plan, që përfshin edhe lirinë e njeriut, i aftë për dhunë e urrejtje, por i destinuar të mbështetet nga Hiri hyjnor, që dashuria të bëhet ligji më i lartë i jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.