2011-10-13 12:02:53

Rio-de-Zhanèjro: 80 vjet më parë përurohej shtatorja e Krishtit Shëlbues.


Kanë kaluar 80 vjet nga përurimi i shtatores së Shëlbuesit mbi majën e malit Korkovado, që sundon gjithë peizazhin mbi gjirin e Rio-de-Zhanéjros. 38 metra i gjatë, monumenti vigan, që u bë simbol i qytetit të Brazilit, u përurua më 12 tetor 1931. Vihej, kështu, në jetë, një propozim i bërë dhjetë vjet më parë nga kryedioqeza e Rio-de-Zhanéjros. Në vitin 2007 u radhit ndërmjet shtatë mrekullive të botës moderne. Kremtimet kushtuar këtij përvjetori të madh, nisën të martën e kaluar, me një mbrëmësore lutjeje. Vijuan edhe me meshën, kryesuar nga kryeipeshkvi i Rios, imzot Orani Jaõa Tempesta mbi majën më të lartë të Korkovados, ku ngrihet një kapelë, në të cilën ruhet kopja e shtatores së Zojës së Aparesidës, Pajtore e Brazilit, festa e së cilës u kremtua pikërisht dje. Në kuadrin e kremtimeve – kujton agjencia Sir – këto ditë do të jepet “Koncerti për paqen”, me pjesëmarrjen e një kori prej 500 zërash. Do të hapet edhe ekspozita shtegtare, titulluar “Krishti Shëlbues”, që do të vizitojë më parë qytetet kryesore të Brazilit e, më pas, vende të tjera, ndërmjet të cilave, Kanadaja, Italia e Japonia.
Me që jubileu i njërës nga shtatë mrekullitë e botës moderne nuk mund të mos na ngacmojë kureshtjen për t’i njohur gjashtë të tjerat, po kujtojmë listën dhe historinë e tyre.
U caktuan pas një sondazhi botëror, realizuar në vitin 2007 nga fondacioni privat “New 7 Wondres Foundation” (Fondacioni i 7 mrekullive të reja të botës”).
Gjithsesi nuk është aspak fjala për mrekulli të reja, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Janë të lashta, por që nuk e kanë humbur risinë e tyre në rrjedhë shekujsh. Janë: “Muri i Madh kinez”; “Qyteti i lashtë i Petras”, në Jordani; “Shtatorja e Krishtit Shëlbues”, në Rio-de-Zhanéjro (Brazil); “Qyteti i humbur i Maçu-Piçu”, në Peru; “Kompleksi arkeologjik i Chichén Itzà”, në Jukatan të Meksikës; “Koloseum”, në Romë dhe “Taxh Mahalli”, në Indi.
Por, të kthehemi mbrapa, në botën e lashtë. Romakët e shekullit III para Krishtit, qenë të parët që u kujtuan të zgjidhnin shtatë mrekullitë e botës së tyre, listë që nuk ishte aspak e lehtë për t’u hartuar, sepse bota antike nuk kishte më pak mrekulli, se kjo moderne. Madje, duke llogaritur edhe mrekullitë e zhdukura nën dhe nga sulmet e njeriut e të kohës, ka shumë mundësi të kishte më shumë. Zgjodhën, pas shumë diskutimesh, këto kryevepra:
“Kopshtet e varura të Babilonisë”, në të cilat rrëfehet se mbretëresha Semiramida mblidhte trëndafilë të freskët në të katër stinët: “Kolosin e Rodit”, shtatore vigane, që lartohet në ishullin grek me të njëjtin emër; “Mauzoleun e Alikarnasit”, varr monumental, ku u kall satrapi Mauzolo (Alikarnasi është Bodrumi aktual në Turqi); “Tempullin e Artemises në Efez”, në Lidian e lashtë, Turqia e sotme; “Farin e Aleksandrisë”, në Egjipt, i cili në kohë të largëta u ndriçonte rrugën tregtarëve, që afroheshin në port; “Shtatoren e Zeusit” (Jovit, sipas romakëve) në Olimpia, dëshmi e shquar e artit pagan, vepër e skulptorit të famshëm të Greqisë, Fidias; “Piramidën e Keopsit” në Gizë, më e lashta ndërmjet shtatë mrekullive të botës, e vetmja që arriti e paprishur deri në kohët tona. Mbeti, për t’u kujtuar breznive moderne, banesën e përjetshme të faraonit, për të lavdëruar veprat e tij e për t’ia përjetësuar emrin.
Një poet anonim latin u kushtoi mrekullive antike, që të mund të mbaheshin mend më lehtë, poezinë e mëposhtme:

“Shtatë mrekullitë e botës së lashtë

Piramida e Egjiptit u ngrit më parë
pastaj, Kopshtet e Babilonit, që rrinë varë.
e varri i Mauzolit, kujtim për fatzez.
E katërta - Tempulli i Dianës në Efez;
e vezullon, në Rodi, Kolosi i ndritur;
e gjashta, është Jovi atë, nga Fidia i skalitur.
Fari në Egjipt i mbyll mbi këtë letër
të shtatë mrekullitë e botës së vjetër!
Antike apo moderne, shtatë mrekullitë i dëshmojnë botës aftësinë që ka njeriu për të krijuar bukuri, të cilat u bëjnë ballë shekujve!







All the contents on this site are copyrighted ©.