Më 13 tetor 1917 Dukja e fundit e Zojës së Bekuar në Fatima të Portugalisë
Më 13 maj 1917, në livadhet e Kova d’Iria të Portugalisë, ku tre fëmijë: Luçia, Gjaçinta
e Françesko, kullosnin grigjën e tyre, u duk për herë të parë Zoja e Bekuar, Virgjëra
Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore. Për
herë të fundit Zoja e Bekuar, që tashmë njihet me emërtimin “e Fatimës” u duk 13 tetor
të vitit 1917, kur njerëzimi ishte i mbytur në gjakun e Luftës I Botërore. U foli
tre barinjve të vegjël, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje,
flijime e pendesë, që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave. Nga
Kova d’Iria, në historinë njerëzore të shekullit të fundit, vjen një mesazh, që u
rrënjos për vullnet të Hyjit, përmes hireve, veprave të jashtëzakonshme të Zotit në
Kishë e në mbarë botën. U rrënjos përmes dukjeve e mrekullisë së diellit. Zoja foli
për kthimin e Rusisë, gjë që ngjalli për vite me radhë shpresa të mëdha. Pastaj dukjet
u lidhën nga Provania hyjnore edhe me jetën e Gjon Palit II, me atentatin e 13 majit
1981. Me tre sekretet që Virgjëra Mari ua besoi barinjve të vegjël. E edhe me lumturimin
e tre barinjve, ndërmjet të cilëve, Luçia, e cila jetoi gjatë për t’i zbuluar botës
sekretet e Zojës së Fatimës, që njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota. Nga Fatima
vjen një mesazh ngushëllues, jo frikësues. Benedikti XVI, duke vizituar Shenjtëroren
e Zojës në maj të vitit 2010, e ftoi një botë, e cila tepër shpesh e shikon gjithçka
me mosbesim, të mos e shtrembërojë atë, që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël,
në një ditë të largët, të vitit 1917, duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar,
të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë e cila, që asokohe – pohoi Benedikti XVI
gjatë shtegtimit në Fatima – na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron
e shpëton: “Është një mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi kthimin
në rrugën e Zotit, që i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve
të historisë, për ta ftuar njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën
e madhe, të provojë hirin e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë
e i paqes”. Mesazhi që u përcolli Zoja barinjve të vegjël portugezë mbetet
aktual edhe sot për ne: është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Zojës së Fatimës
është shenjtërore e paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi
Papën Gjon Pali II, ngërthyer si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores
së Zonjës. Ruhet edhe një copëz nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja ngadhënjeu
edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot
tronditet rëndë nga konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për
paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.