2011-10-13 14:54:13

Kryeministri egjiptian i shpreh ngushëllimet për koptët, Papës Shenuda


Kryeministri egjiptian Esam Sharaf shkoi sot për vizitë te Papa Shenuda III, kreu i Kishës kopte ortodokse, për t’i shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e së dielës në Kajro. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i viktimave, pas ndeshjeve ndërmjet manifestuesve të krishterë dhe ushtrisë, është 36.
Sharaf dhe Papa Shenuda diskutuan për pasojat e kësaj krize mbi vendin dhe për hapat e nevojshme, që çojnë drejt zgjidhjes. Kryeministri u njoftua edhe për planin e Kishës për të ulur zemërimin e koptëve, që natyrisht, është rritur pas dhunës. Ndërkaq, vetë kolegët e saj, kanë denoncuar një gazetare të televizionit shtetëror, e cila gjatë ndeshjeve të së dielës, i nxiste shikuesit të dilnin në shesh e të sulmonin manifestuesit koptë.
Edhe Amnesty International, që dje, ka kërkuar, me anë të një note, të bëhet e qartë se kujt i takon përgjegjësia për kthimin e një manifestimi kundër diskriminimit fetar në një det me gjak. Kush ka dhënë urdhër për të qëlluar kundër manifestuesve – pyet Amnesty – e nëse askush, cila është kompetenca e ushtrisë në administrimin e gjendjeve të vështira, gjatë protestave publike? Mjekët e spitalit kopt të Kajros deklarojnë se viktimat kishin shenja plumbash në trup dhe fraktura, të shkaktuara nga kalimi i autoblindave sipër trupave të tyre.
Pas thirrjes së djeshme të Papës, në favor të koptëve ortodoksë, ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme i kërkojnë botës të mos i harrojë të krishterët e rajonit. Ambasadorja egjiptiane pranë Selisë së Shenjtë, Lamia Mekhemar deklaroi se thirrja e Benediktit XVI do të merret parasysh nga autoritetet. Ligji parashikon të drejtat të barabarta për të gjithë, por nuk zbatohet si duhet – pranoi ambasadorja.







All the contents on this site are copyrighted ©.